Pritjeve trevjeçare po ju vjen fundi: Këtë javë pritet të shpallen konkurset për punësime, çerdhja e Tearcës pritet të hapet në shtator

Pas zvarritjeve disa vjeçare dhe ngecjeve institucionale, çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës pritet të hapet në muajin shtator, shkruan Portalb.mk.

Pas dy përgjigjeve negative, Ministria e Financave javë më parë ka dhënë pëlqim për punësimet që për shkak të mosrealizimit të tyre pamundësohej hapja e çerdhes së re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës.

Nga Ministria e Politikës Sociale njoftuan për Portalb.mk se gjatë kësaj jave do të publikohen konkurset për punësim në Kopshtin e Fëmijëve “Foleja” – Tearcë.

“Pas përfundimit të procedurës së punësimit të stafit të nevojshëm profesional, pritet që kopshti të fillojë me punë gjatë muajit shtator”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore si nga administrata e kaluar komunale ashtu edhe ajo aktuale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.

Çerdhe Kopsht fëmijëshKomuna e TearcësMinistria e Financave (MF)Ministria e Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë (MPSDR)Portalb Fakt - Premtime parazgjedhore