Pritet që në periudhën e ardhshme të ketë takime me qeverinë e re bullgare, tha kryeministri i RMV-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski pret që në periudhën e ardhshme të ketë takime me përfaqësues të qeverisë bullgare dhe kjo, siç tha ai, nuk është për t’u habitur, sepse është normale të bisedohet me fqinjët dhe të ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore, transmeton Portalb.mk.

“Edhe në të kaluarën kemi pasur takime me lidershipin më të lartë bullgar, me kryeministrin e tyre teknik në atë kohë. Pres që në periudhën e ardhshme të kemi takime në një nivel tjetër. Është normale të ndërtosh marrëdhënie me fqinjët. Dhe kjo nuk është për t’u habitur, sepse as ne do të zhdukemi, as ata nuk do të zhduken. Ne do të jemi përsëri fqinjë. Por kjo nuk do të thotë se jemi dakord për disa tema që na ndajnë. Kjo është arsyeja pse unë jam mbështetës i diskutimit të temave që na afrojnë më shumë”, tha ai.

Ai theksoi se qëndrimi i tyre është i qartë dhe i pandryshueshëm dhe se beson se shteti ka bërë shumë për integrimet evropiane në dy dekada e gjysmë, siç nuk ka bërë askush.

“Vlerësoj që nuk duhet të kemi më kushte bilaterale, por duhet të kemi kushte objektive në procesin e negociatave. Dhe kjo nuk është diçka ndryshe nga ajo që kam thënë deri tani. Dhe këtë do ta them në takimet në Uashington, përmes Brukselit, në Londër, Romë, Paris, Berlin, Sofje, Athinë, kudo në botë. Unë besoj në këtë, sepse ne kemi bërë mjaft, siç nuk ka bërë askush tjetër, në emër të asaj të ardhmeje evropiane. Maqedonia bëri aq shumë lëshime sa e meritonte të paktën të fillojë procesin”, tha kryeministri.

Sipas tij, ai nuk do të diskutojë vetëm për fillimin e procesit pa diskutuar edhe për përfundimin e tij.

“Kur kam një bashkëbisedues të tillë, le të urdhërojë, le të vijë. Përndryshe do t’i zgjidhim problemet dhe detyrat tona”, thotë Mickoski.

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, dje nga Brukseli tha se ka sinjale të gatishmërisë për dialog nga pala bullgare, si dhe se përfaqësuesi i Bullgarisë në grupin punues për zgjerimin e BE-së i ka përcjellë se pala bullgare është e gatshme për bisedime dhe dërgon mesazhe pozitive për vendosjen e dialogut.

“Mendoj se po krijohet një mjedis i mirë, të cilin duhet ta shfrytëzojmë jo vetëm për të vendosur një dialog, i cili duhet të ekzistojë mes vendeve fqinje për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një hapësirë ​​që do të na çojë drejt një zgjidhjeje të përbashkët të pranueshme, e cila përfundimisht do të na sjellë në BE”, tha ministri.

Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, është pyetur këtë fundjavë në një intervistë për BTV-në bullgare, nëse Sofja zyrtare do të ndryshojë qëndrim, duke pasur parasysh se kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, është absolutisht kategorik se derisa është kryeministër, bullgarët nuk do të përfshihen në Kushtetutë, pa garanci të qarta nga Bashkimi Evropian, deklaroi se nëse nuk përmbushen obligimet e marra, Unioni nuk ka mundësi të vazhdojë procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me njoftimet se kryeministri i Maqedonisë do të kërkojë takim me kolegun e tij bullgar Rosen Zheljazkov, Georgiev konsideron se nëse një takim i tillë kërkohet protokollor, ai supozon se do të shqyrtohet nga prizmi i seriozitetit.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianNdryshime Kushtetuese RMV