Themelimi i Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut u promovua me shumë pompozitet nga VLEN, por dy vite pas qeverisjes së tyre mbetet premtim i parealizuar. Nga premtimet e mëdha, akademia përfundoi në organizatë joqeveritare me mbështetje të kufizuar financiare nga disa komuna. Nuk ka asnjë hap për institucionalizimin e saj, shkruan Portalb.mk.
Një nga premtimet më të theksuara të VLEN-it ka qenë edhe themelimi i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut.
VLEN pati premtuar se Akademia do të jetë institucion, që do të përkushtohet plotësisht ndaj shkencës dhe artit dhe do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për zhvillimin e hulumtimeve shkencore, avancimin e arteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Krijimi i kësaj Akademie është një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së standardeve të arsimit dhe krijimtarisë shkencore në vendin tonë. Duke ofruar një platformë për studiuesit, artistët dhe intelektualët shqiptarë, Akademia do të mundësojë shkëmbimin e njohurive dhe talenteve, duke nxitur një kulturë të re të ekselencës dhe inovacionit”, patën premtuar nga VLEN në 2024.
Dy vite më vonë, kjo nismë nuk është institucionalizuar, ndërsa nuk ka asnjë hap konkret për të njëjtën. Kjo akademi, funksionon si organizatë joqeveritare me mbështetje financiare nga disa komuna të udhëhequra nga kuadro shqiptare.
Se pse ky premtim nuk është realizuar, nga VLEN nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske të Portalb.mk.
Vitin e kaluar nga ky koalicion, tanimë parti, patën thënë se nuk kanë marrëveshje me partnerët e koalicionit për institucionalizimin e akademisë.
Hasan Jashari, kryetar i Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art, për Portalb.mk sqaroi se për momentin ligjërisht janë vetëm shoqatë joqeveritare, por ata vazhdojnë të merren me projekte, të cilët kanë të bëjnë me kulturën, gjuhën dhe fushat të tjera të identitetit etnik shqiptar.
“VLEN na përkrahën me fonde përmes komunave. Një pjesë të shpenzimeve, përfshirë qiranë, botimet dhe kostot e tjera të domosdoshme për funksionimin e organizatës i mbulojmë përmes këtyre fondeve. Megjithatë, ndonëse ato përbëjnë një mbështetje të rëndësishme, nuk mjaftojnë për të përballuar të gjitha shpenzimet e nevojshme për një funksionim të qëndrueshëm dhe të mirëfilltë”, u shpreh Jashari.
Pikërisht për këto arsyeje, Jashari, shtoi se duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe jo e përkohshme siç është për momentin.
Ai tha se për institucionalizimin e Akademisë ekzistojnë tre variante. Varianti i parë sipas tij është që brenda Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, të krijohet një departament për gjuhën, kulturën, historinë shqiptare dhe në përgjithësi për identitetin etnik të shqiptarëve, pasi në botimet dhe projektet e tyre nuk mund të gjesh asnjë fjalë për shqiptarët.
Ndërkohë sa i përket variantit të dytë, ai tha se rruga kalon përmes Kuvendit, ku me një ligj të veçantë të themelohet një institucion publik shqiptar për shkencë dhe art.
Kurse varianti i tretë është që komunat me shumicë shqiptare të themelojnë një institucion publik për hulumtime shkencore.
Kujtojmë se partitë maqedonase në qeveri, VMRO-DMNE dhe ZNAM nuk e kanë përkrahur idenë për Akademinë Shqiptare.
Ndërkohë themelimi i Akademisë shqiptare në RMV, është kundërshtuar edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).
Ndryshe, Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art është themeluar me 29 dhjetor 2021 në Shkup nga një grup i profesorëve universitarë.
- LEXO: Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në RMV mbetet pa institucionalizim, shoqatë nën lëmoshën e zyrtarëve lokalë
- LEXO: Akademia e Shkencave të Shqiptarëve: VLEN fillon financimin komunal, BDI e konsideron si krijim të improvizuar
- LEXO: ASHAM: Në Maqedoni ka vetëm një akademi nacionale
- LEXO: Komunat e Tetovës, Gostivarit, Çairit dhe Zhelinës do ta financojnë Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në RMV