Eko-svest kërkoi publikimin urgjent të Projektligjit për Mbrojtjen e Tokës dhe nisjen e konsultimit publik

Për shkak të krijimit të një zbrazëtire ligjore në menaxhimin e zonave të kontaminuara në vend, Eko-svest i kërkon Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të përshpejtojë procedurën për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Tokës, transmeton Portalb.mk.

Me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Ligjit për Mjedisin Jetësor, dispozitat për menaxhimin e zonave të kontaminuara u fshinë, duke i lënë këto lokacione pa bazë ligjore dhe pa një regjim përkatës të menaxhimit. Vonesa në finalizimin e Ligjit për Mbrojtjen e Tokës e thellon më tej këtë problem dhe pamundëson zbatimin në kohë të një sistemi për mbrojtjen e tyre.

“Publikimi në kohë i tekstit të projektligjit është thelbësor për të siguruar një proces transparent, të hapur dhe gjithëpërfshirës. Me hapjen e konsultimit publik, publiku profesional dhe i gjerë, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë subjektet e prekura do të kenë mundësi të njihen me kohë me zgjidhjet e propozuara, të japin kontribut konkret dhe të ndihmojnë në identifikimin e sfidave të mundshme gjatë zbatimit të tij”, deklaroi Marko Guçeski, jurist i mjedisit në Eko-svest.

Projektligji për Mbrojtjen e Tokës është hartuar nga ekspertë të jashtëm dhe i është dorëzuar Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Hapi i radhës është publikimi dhe miratimi i tij.

Për këtë arsye, gjatë ditës së djeshme, Eko-svest i dorëzoi ministrisë një kërkesë për ndërmarrjen urgjente të këtyre aktiviteteve:

  • Përshpejtimi i procedurës: Publikimi urgjent i Projektligjit për Mbrojtjen e Tokës në Sistemin Elektronik Kombëtar për Rregullore (ENER).

  • Konsultimi publik në kohë: Nisja e procesit të konsultimit sa më shpejt që të jetë e mundur, duke siguruar një afat të përshtatshëm për dorëzimin e komenteve, mendimeve dhe propozimeve.

  • Gjithëpërfshirja dhe informimi: Informimi aktiv dhe përfshirja e të gjitha palëve përkatëse të interesuara, përfshirë organizimin e debatit publik ose takimeve konsultative.

Duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet vendi ynë lidhur me pikat e nxehta ekologjike, përkatësisht zonat e kontaminuara dhe ndotjen historike në të paktën 13 lokacione në Maqedoni, miratimi i Ligjit për Mbrojtjen e Tokës duhet të konsiderohet prioritet.

Ekologji