Gjuha shqipe u përjashtua edhe te tabela në kufirin me Greqinë

Tabela rrugore në pikën kufitare Bogorodicë (Gjevgjeli) me Greqinë ku thuhet ‘Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë së Veriut” e ka përjashtuar gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Kjo tabelë e mban mbishkrim vetëm në maqedonisht, anglisht dhe në frengjisht, ndërsa jo edhe në gjuhën shqipe.

Tabela në pikën kufitare me Greqinë, Bogorodicë (Gjevgjeli) ku nuk figuron gjuha shqipe. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk kërkoi nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore se pse në këtë tabelë nuk figuron gjuha shqipe, nga aty thanë se “shenja në fjalë ndodhet në zonën e pikës kufitare, e cila është në kompetencë të Drejtorisë së Doganave”.

“Kompetencat e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRrSh) shtrihen mbi rrugën shtetërore deri në fillim të korsisë së pikës kufitare”, thanë nga aty.

Për këtë çështje Portalb.mk pyeti edhe Drejtorinë e Doganave si dhe ndërmarrjen Makedonijapat, por deri në botimin e këtij teksti asnjëra nuk u përgjigj.

Kujtojmë se para dy muajve rast i ngjashëm u shfaq edhe në pikën kufitare në Tabanoc me Serbinë.

Tabela në pikën kufitare me Serbinë, Tabanoc ku nuk figuron gjuha shqipe. Foto e edituar nga rrjetet sociale

Kjo nuk është hera e parë që gjuha shqipe përjashtohet nga mbishkrimet e tabelave rrugore, në vend janë regjistruar disa raste, ndërsa shumë tabela nuk figurojnë aspak në gjuhën shqipe.

"MakedonijaPat" NP e mirëmbajtjes se rrugëveDrejtoria e doganave RMVGjuha shqipeKufiri RMV-GreqiNP “Rrugët e Maqedonisë” – “Rrugët Shtetërore”