Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër dy personave fizikë, pronarë dhe drejtues të një subjekti juridik, si dhe kundër vetë subjektit juridik, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Evazion fiskal” nga neni 279 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
I kallëzuari i parë, N.O., shtetas i Republikës së Turqisë, në cilësinë e pronarit faktik dhe drejtuesit të personit juridik gjatë periudhës 2016–2021, kur për herë të fundit në emër të subjektit juridik të kallëzuar kishte dorëzuar llogari përfundimtare me humbje neto të deklaruar në vlerë prej 834.571 denarësh, me qëllim të paracaktuar për të përvetësuar mallrat tregtare të blera dhe të evidentuara në stok, si dhe për të shmangur përmbushjen e detyrimeve tatimore në periudhën pasuese për shkak të detyrimeve afatshkurtra të vjetërsuara, kishte ndryshuar strukturën pronësore dhe drejtuese të subjektit juridik. Në këtë proces, si drejtues dhe pronar i ri ishte regjistruar i kallëzuari i dytë, E.M.
Në emër të subjektit juridik të kallëzuar, për vitet 2022, 2023, 2024 dhe 2025 nuk ishin përgatitur dhe dorëzuar llogaritë përfundimtare, me çka të kallëzuarit në mënyrë të pabazë kishin përvetësuar për vete mallra tregtare të blera në vlerë të përgjithshme prej 32.054.759 denarësh.
Me këtë rast, ata nuk kishin llogaritur, deklaruar dhe paguar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me normë tatimore prej 18%, në vlerë prej 5.769.856 denarësh, ndërsa subjekti juridik i kallëzuar nuk kishte llogaritur, deklaruar dhe paguar Tatimin mbi të Ardhurat Personale, në emër dhe për llogari të personave të kallëzuar, në vlerë prej 3.561.283 denarësh.
Për më tepër, të kallëzuarit nuk i kishin shlyer dhe nuk i kishin paraqitur si të ardhura detyrimet afatshkurtra të vjetërsuara ndaj furnitorëve, më të vjetra se tre vjet, në vlerë të përgjithshme prej 32.847.325 denarësh. Për këtë shumë, ata nuk kishin llogaritur, deklaruar dhe paguar Tatimin mbi Fitimin me normë prej 10%, në vlerë prej 3.284.732 denarësh, për shkak të detyrimeve të vjetërsuara ndaj furnitorëve që nuk ishin paraqitur si të ardhura në bilancin e suksesit dhe bilancin tatimor të subjektit juridik.
Me këto veprime, të kallëzuarit nuk kishin llogaritur, deklaruar dhe paguar detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj, mbi bazat e lartpërmendura, në vlerë të përgjithshme prej 12.615.871 denarësh, duke i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.