BDI dhe VLEN shkëmbyen akuza lidhur me procesin e integrimit evropian dhe përgjegjësinë për gjendjen aktuale të vendit. BDI akuzoi VLEN-in se ka dështuar të përshpejtojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar mungesën e reformave, stagnimin e procesit dhe mosshfrytëzimin e mundësive që ofrojnë fondet evropiane. Nga ana tjetër, VLEN iu kundërpërgjigj duke akuzuar nënkryetarin e BDI-së, Bujar Osmani, për mungesë rezultatesh gjatë ushtrimit të funksioneve të larta shtetërore, duke e fajësuar për përfitime personale dhe për mosmbrojtjen e interesave të shqiptarëve, transmeton Portalb.mk.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani tha se pas dy vitesh qeverisje nuk është bërë asnjë hap thelbësor drejt Bashkimit Evropian, ndërsa janë humbur mundësi për shfrytëzimin e fondeve evropiane. Ai shtoi se raporti i fundit i Parlamentit Evropian konstaton regres dhe kërkon zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe respektim të barazisë gjuhësore. Ai fajësoi VLEN-in për dobësimin e zërit evropian të shqiptarëve në Qeveri.
“Shteti nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm substancial drejt Bashkimit Evropian. Në vend të përshpejtimit, kemi stagnim. Në vend të reformave, kemi improvizime. Në vend të agjendës evropiane, kemi politikë ditore. Presidenca e Irlandës e BE -së nuk e përmend fare vendin tonë në agjendën e saj. Ministrat e Vlen përgjegjës për BE, asnjë vizitë në kryeqytetet Evropiane. Veçanërisht shqetësues është fakti se edhe mundësia historike që ofroi Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian ka mbetur kryesisht i pashfrytëzuar. Në vend që shteti të ishte lider në rajon në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve evropiane, sot kemi vonesa, realizim të pamjaftueshëm dhe mungesë të vullnetit të mirëfilltë reformues”, tha Bujar Osmani.
VLEN nga ana tjetër reagoi duke thënë se Bujar Osmani në vend se të merret me ata, duhet të japë përgjigje për vitet e kaluara nëpër postet më të larta shtetërore nga të cilat solli shumë beneficione për veten dhe familjarët e tij, por me zero rezultate për shqiptarët dhe ndjekësit e tij.
“I preferuari i çdo pushteti dhe funksionari i përjetshëm i BDI-së, i mësuar me përkëdhelitë e pushtetit dhe privilegjet e posteve të njëpasnjëshme, bën mirë që t’i tregojë popullatës se cili ishte hajri për qytetarin e thjeshtë nga qëndrimi i tij në poste pa ndërprerë. Ministër pa legjitimitet, politikan pa bazë elektorale, funksionar pa vota, Bujar Osmani do të mbahet mend vetëm si i dëgjzeshmi i shefave që shfrytëzoi postet për beneficione personale, ndërkohë shqiptarët i la në mjerim dhe varfëri. Kur flet për izolimin e vendit, ia kujtojmë Bujar Osmanit se ai u zgjodh Ministër në Qeverinë anti- NATO që doli nga vetoja e Greqisë në Bukuresht; ai ishte Ministër në Qeverinë e antikuizimit të Maqedonisë- e aprovoi Shkupi 2014, riemërtimin e Aeroportit, riemërtimin e autostradës. Sa i përket lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve, Bujar Osmanin e kujtojmë si avokatin publik të shtetit në rastin Monstra, si të heshturin në rastin Harun Aliu, si të humburin në Lagjen e trimave, si të frikësuarin në të gjitha proceset e montuara ku shqiptarët vërtetë kishin përfaqësues, por nuk kishin përfaqësim dhe zë në Qeveri”, reaguan nga VLEN.
Dy partitë vazhdimisht lëshojnë akuza ndaj njëra-tjetrës për çështje të ndryshme politike dhe institucionale. Ditët e fundit, BDI dhe VLEN janë përplasur për përgjegjësinë dhe meritat rreth autostradës Shkup–Bllacë, ndërsa kanë shkëmbyer akuza edhe për tenderë milionësh në Komunën e Çairit, si dhe për çështje që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe. Retorika mes dy blloqeve politike është intensifikuar, me secilën palë që fajëson tjetrën për keqqeverisje, mungesë transparence dhe dështime në realizimin e premtimeve politike.