Peshevski: Inspektorët të dalin nga zyrat, punëtorët nuk lejohet të punojnë jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00

Pavarësisht rekomandimeve për kufizimin e punës në ambiente të hapura gjatë valës së të nxehtit, një numër i madh punëtorësh të ndërtimtarisë, korrierësh, taksistësh dhe personash nga profesione të tjera edhe sot vazhduan t’i kryejnë detyrat e tyre të punës, të ekspozuar ndaj rrezeve të drejtpërdrejta të diellit dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta. Kjo gjendje ngre pyetje se deri në ç’masë punëdhënësit po i zbatojnë rekomandimet dhe masat për mbrojtjen e punëtorëve në kushtet e valës së të nxehtit, transmeton Portalb.mk.

Meta.mk bisedoi me Ivan Peshevskin, kryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë, Industrisë dhe Projektimit të Republikës së Maqedonisë (SNIP), i cili u bën apel inspektorëve të dalin nga zyrat në terren dhe të ndëshkojnë nëse nuk respektohen rekomandimet për mbrojtjen e punëtorëve.

“Për shkak të temperaturave ekstreme të larta të paralajmëruara, të cilat sot pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, u bëjmë apel punëdhënësve që urgjentisht të ndërmarrin masa për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve. Punëtorët të mos ekspozohen në punë në ambiente të hapura (nën rrezet e drejtpërdrejta të diellit) në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00. Të sigurohen lëngje dhe personat përgjegjës të ofrojnë sasi më të mëdha uji. Duhet të kryhet edhe kontrolli i masave kolektive teknike dhe teknologjike për mbrojtje (ventilim adekuat dhe, nëse është e mundur, klimatizim). Në përputhje me Planin e Veprimit për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit mbi popullsinë dhe masat për sigurinë dhe shëndetin në punë, theksojmë se punëdhënësit në të gjithë vendin duhet të respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, si: mbrojtja nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell, shmangia e qëndrimit jashtë në periudhën 11:00–17:00, konsumimi i më shumë lëngjeve dhe përgatitja higjienike e ushqimit. SNIP rekomandon dhe kërkon që rekomandimet e mësipërme të mbeten në fuqi për aq kohë sa zgjasin temperaturat e larta ose derisa organet kompetente shtetërore të nxjerrin udhëzime zyrtare”, tha Peshevski.

Ai kujton se siguria dhe shëndeti në punë për të punësuarit në vendin tonë është një e drejtë dhe detyrim jashtëzakonisht i rëndësishëm që duhet të zbatohet dhe respektohet.

Gjatë fundjavës 10 persona pësuan kolaps për shkak të motit të nxehtë

Drejtoresha e Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, dr. Anita Dimoska, tha për Meta se gjatë fundjavës pati 10 raste të kolapsit në vende publike.

“Fatmirësisht, shumica ishin kolapse afatshkurtra dhe pacientët u stabilizuan në vend. Bëhej fjalë për persona të moshuar dhe kolapset u shkaktuan nga temperaturat e larta. Këta persona nuk duhet të dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00. Më së shpeshti u bie tensioni i gjakut, niveli i sheqerit në gjak ose nuk janë të hidratuar mirë. Ndodh që shumë të moshuar marrin terapi për tension të lartë dhe me djersitjen e humbjen e lëngjeve tensioni ulet edhe më shumë. Prandaj nuk është keq që para çdo daljeje nga shtëpia të bëhet një kontroll i vogël, të matet tensioni ose sheqeri nëse pacienti është diabetik. U bëj apel të gjithëve që, kur të shohin një person në rrugë të djersitur, që nuk ndihet mirë ose humbet ndjenjat, ta vendosin menjëherë në hije”, këshillon Dimoska.

I domosdoshëm qëndrimi në ambiente me kondicioner

Në kushte të motit të nxehtë, nëse qëndrimi jashtë është i domosdoshëm, rekomandohet veshja e rrobave të lehta dhe me ngjyra të çelëta, syze mbrojtëse dhe kapelë me strehë të gjerë, si dhe pushime më të shpeshta në hije. Qytetarët ftohen të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të klimatizuara, ndërsa shtëpitë t’i mbajnë më të ftohta duke mbyllur dritaret dhe roletat gjatë ditës dhe duke ajrosur në orët e mbrëmjes.

“Instituti i Shëndetit Publik rekomandon gjithashtu marrje të rregullt të lëngjeve, para së gjithash ujë dhe pije minerale joalkoolike, pa pritur të shfaqet etja. Njëkohësisht këshillohet shmangia e alkoolit, pijeve me kafeinë, pijeve shumë të ftohta, si dhe ushqimeve të yndyrshme, me shumë kalori dhe të pasura me sheqer. Vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojnë personat me sëmundje kronike, veçanërisht ata me sëmundje kardiovaskulare, neurologjike dhe të mushkërive. Për ta është e rëndësishme të marrin rregullisht terapinë e përshkruar dhe, në çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore, të konsultohen me mjekun e tyre familjar. Nëse shfaqen simptoma si marramendje, dobësi, etje e fortë, dhimbje koke ose ngërçe muskulore, personi duhet të zhvendoset menjëherë në një vend më të freskët, të hidratohet dhe të pushojë. Nëse simptomat nuk largohen ose përkeqësohen, është e domosdoshme të kërkohet ndihmë mjekësore”, thuhet në rekomandimet e ISHP-së.

Në rastet kur një person ka temperaturë të lartë trupore, lëkurë të nxehtë dhe të thatë, ngërçe ose është pa ndjenja, ISHP apelon që menjëherë të thirret Ndihma e Shpejtë Mjekësore në numrat 194 ose 112. Deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore, personi duhet të zhvendoset në një vend të freskët, të ftohet me kompresa të ftohta dhe ujë, ndërsa nëse është pa ndjenja, të vendoset në pozitë anësore.

Me diell dhe shumë nxehtë deri në 38 gradë

Sipas parashikimit të fundit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), deri nesër moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta lokale.

“Nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, nga e marta pasdite moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje të herëpashershme shiu. Lokalisht do të ketë kushte për paraqitjen e paqëndrueshmërisë me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar. Në disa vende do të ketë procese më intensive në formën e motit të lig me reshje më të dendura, shkarkime elektrike, erë të fortë dhe breshër. Do të fryjë erë mesatare, herë pas here e përforcuar, kryesisht nga drejtimi verior, e cila nga e enjtja do të jetë më e theksuar përgjatë luginës së Vardarit dhe herë pas here në disa vende do të tejkalojë shpejtësinë prej 50 kilometrash në orë”, thuhet në njoftimin e DPHM-së.

Prej disa ditësh, Maqedonia e Veriut po përballet me një valë të fuqishme të të nxehtit, me temperatura që në disa rajone kanë arritur deri në 40 gradë Celsius. Autoritetet shëndetësore dhe meteorologjike kanë bërë vazhdimisht thirrje për respektimin e masave mbrojtëse, veçanërisht për grupet e rrezikuara dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura. Ndërkohë, vala e të nxehtit ka përfshirë edhe pjesën më të madhe të Evropës, ku temperaturat ekstreme kanë shkaktuar pasoja serioze, përfshirë qindra viktima dhe kanë rikthyer paralajmërimet për ndikimin në rritje të ndryshimeve klimatike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale.

MotiTemperatura të larta