Piktorja Enisa Memeti solli para publikut ekspozitë ekspresive, plot ngjyra dhe reflektim të ndjeshëm

Mbrëmë në Qendrën Informative Kulturore në Shkup, piktorja Enisa Memeti hapi ekspozitën “Mjellma e zezë, simbol i madhështisë”, nën kurimin e Nora Halimit, shkruan Portalb.mk.

Publiku pati mundësinë të shoh nga afër 27 punimet që njihet me botëkuptimin krijues dhe atë shpirtërorë të artistes Enisa Memeti.

Piktorja Enisa Memeti për Portalb.mk tha se flet konkretisht për mjellmën e bardhë duke marrë rolin dhe rëndësinë që ajo ka në botën kulturore të interpretuara në zhanre të ndryshme artistike si mitologjinë, baletin, letërsinë dhe artet vizuale.

“Cikli i “Mjellma e zezë, simbol i madhështisë”, është një përpjekje krijuese e imja e cila ndërtohet tre vite me radhë duke studiuar subjektin që trajtoj më pas duke e gjet formën dhe teknikën për ta prezantuar vizualisht, duke ndjek dhe parimet teorike figurative me qëllim që të sjell në formën më të mirë të mundshme. Kalimin që bëra nga mjellma e bardhë në atë të zezë ishte një kureshtje e cila përgjatë studimit rezultoi të jetë tërheqëse dhe kuptova se edhe e zeza kishte atributet e njëjta si elegancën, pastërtinë, partneritetin mirëpo ajo që hasa ishte edhe madhështia ose mbretërorja që mjellma e zezë ka si karakteristikë”, tha Memeti.

Fotografi nga ekspozita “Mjellma e zezë, simbol i madhështisë”. Foto:Portalb.mk

Mjellma e zezë shpreh një formë më të thellë dhe më enigmatike të bukurisë-një bukuri që nuk bie në sy menjëherë, por që mahnit kur njihet, theksoi ajo.

“Mjellma e zezë është një nga krijesat më të rralla dhe më të veçanta, por edhe një simbol i thellë që përfaqëson madhështinë, misterin dhe fuqinë e individualitetit. Mjellma e zezë shpreh një formë më të thellë dhe më enigmatike të bukurisë-një bukuri që nuk bie në sy menjëherë, por që mahnit kur njihet. Madhështia qëndron në kontrastin e saj. Ajo është e zezë, por s’është simbol i errësirës-përkundrazi, ajo përfaqëson thellësinë dhe kompleksitetin. Ajo nuk ka nevojë të jetë e bardhë për të qenë e bukur, dhe pikërisht kjo e bën të veçantë”, tha Memeti.

Memeti gjithashtu deklaroi se arti ndryshon shumë në varësi të kontekstit kulturor, teknologjik dhe social ndryshon shumë në varësi të kontekstit kulturor, teknologjik dhe social.

Fotografi nga ekspozita “Mjellma e zezë, simbol i madhështisë”. Foto:Portalb.mk

“Vlerësimi i artit në ditët e sotme është një temë komplekse, sepse ai ndryshon shumë në varësi të kontekstit kulturor, teknologjik dhe social. Është më i larmishëm, më i aksesueshëm përmes rrjeteve sociale dhe më shpesh i lidhur me mesazhe sociale. Qasja moderne që kahzon drejt artit konceptual ku ideja transmetohet mes teknikave të ndryshe dhe materialeve të ndryshme është fryma që mbretëron në botën e artit bashkëkohorë. Një tentativë e artistëve në përpjekje për të sjell risi dhe tema të shoqërisë aktuale. Sa i përket të rinjve, interesimi i tyre për artin vjen në forma më të reja dhe më moderne duke iu përshtatur dhe kohës teknologjike me qëllim të influencimit”, tha Memeti.

 

Kuratorja e ekspozitës Nora Halimi për Portalb.mk tha se Enesa ka krijuar një realitet paralel artistik që ka përbrenda si praninë ashtu edhe mungesën, si mallin dhe dhimbjen, ashtu edhe vlerësimin dhe përulësinë për çfarë ishte dhe nuk është më.

“E ballafaquar me realitetin e trishtë të humbjes së njerëzve më të dashur, Enesa ka krijuar një realitet paralel artistik që ka përbrenda si praninë ashtu edhe mungesën, si mallin dhe dhimbjen, ashtu edhe vlerësimin dhe përulësinë për çfarë ishte dhe nuk është më. Në raste të këtilla, askund tjetër s’mund të kërkohet ngushëllimi përveç se te kujtimi dhe përjetësimi i tij. Në përpjekje për ta jetësuar këtë kujtim dhe për ti kornizuar këto ndjesi, Enesa e kthen mungesën e njeriut të saj më të dashur në prani të përhershme, duke e bërë banore poetike të përjetshme të pikturës së saj”, tha Halimi.

Fotografi nga ekspozita “Mjellma e zezë, simbol i madhështisë”. Foto:Portalb.mk

Halimi theksoi se pikturat e Enesës janë të gjitha interpretime ekspresive dhe metafora të bukurisë, lirisë, elegancës, ndryshimit, hireve dhe madhështisë që përfaqëson ky zog i rrallë ujor siç është mjellma e zezë. Shfaqja e rrallë e saj të josh drejt misterit dhe të panjohurës.

“Enesa e ka trajtuar mjellmën si subjekt edhe në ciklin paraprak, por këtë herë vjen me një kalim domethënës nga simboli i mjellmës së bardhë në mjellmën e zezë, si një simbolikë e fuqishme për transformimin, kontrastin mes dritës dhe errësirës, brishtësisë dhe forcës, pafajësisë dhe misterit, qetësisë dhe trazimit, kalimin nga jeta në vdekje ose ndërrimin e gjendjeve emocionale”, tha Halimi.

Fotografi nga ekspozita “Mjellma e zezë, simbol i madhështisë”. Foto:Portalb.mk

Art - Vepra artistikeEkspozitëKultura shqiptareKulturë lajme