Një krim i menduar si i përsosur dhe përballja me ndërgjegjen ishin në qendër të shfaqjes “Litari”, me të cilën Teatri Kombëtar i Kosovës u prezantua mbrëmë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë. Drama e autorit Patrick Hamilton, me regji të Skender Podvoricës, rrëfen historinë e dy të rinjve që kryejnë një vrasje për të dëshmuar se janë mbi të tjerët dhe mbi ligjet e moralit. Trupin e fshehin në një arkë, mbi të cilën organizojnë një darkë me të ftuar. Por, gjatë mbrëmjes, dyshimet shtohen dhe ideja e krimit të përsosur nis të shembet, shkruan Portalb.mk.
Sonte, festivali ul siparin me komedinë satirike “Zotëriu i parë” të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me regji të Fatos Berishës. Shfaqja trajton etjen për pushtet, para dhe privilegje, duke vënë në lojë njeriun që, sapo i afrohet pushtetit, fillon ta konsiderojë veten më të rëndësishëm se të tjerët. Përmes humorit, ajo ngre pyetje për një shoqëri ku pasuria dhe pozita shpesh marrin më shumë peshë se karakteri dhe ndershmëria. Shfaqja nis në orën 20:00, në Pallatin e Kulturës.
Festivali nisi më 1 tetor me “Duke pritur Godonë” të Teatrit Shqiptar të Kumanovës. Në netët pasuese u prezantuan edhe “Darkë për budallenjtë” nga Velesi, “Big Baby” nga Tirana dhe “Vetmi në Perëndim” nga Presheva. Me komedinë e sontme përmbyllet programi prej gjashtë shfaqjesh, që solli në skenën tetovare drama, humor dhe tema nga jeta shoqërore.