Shkupi do të jetë nikoqir i edicionit të nëntë të festivalit “Skupi Kamerfest”, i cili do të mbahet nga 10 tetori deri më 5 nëntor. Pesë mbrëmje koncertale do të sjellin para publikut artistë nga vendi dhe skena ndërkombëtare, me një repertor të përzgjedhur nga veprat e kompozitorëve të njohur të muzikës klasike, shkruan Portalb.mk.
Organizatorja dhe pianistja Nita Grubi, në një prononcim për Portalb.mk, thotë se festivali e ka ndërtuar identitetin e tij duke iu kushtuar muzikës kamertale, e njohur edhe si muzikë e dhomës. Sipas saj, kjo muzikë krijon një afërsi të veçantë mes artistëve dhe publikut dhe u mundëson të rinjve të njohin një tjetër dimension të muzikës klasike.
Grubi thekson se sjellja e artistëve ndërkombëtarë në Shkup mbetet sfidë, për shkak të kushteve që ndryshojnë nga ato në vendet e tjera evropiane. Megjithatë, cilësia që festivali ka dëshmuar ndër vite ka bërë që artistët të largohen me përshtypje të mira dhe me dëshirën për t’u rikthyer. Për organizatorët, kënaqësi e veçantë është edhe pjesëmarrja e nxënësve dhe studentëve, të cilët çdo vit i ndjekin koncertet me entuziazëm.
Festivali do të hapet më 10 tetor me koncertin “Caprice Viennoise”. Violinisti Gernot Winischofer dhe pianisti Denis Javorsky nga Austria do të interpretojnë vepra të Mozartit, Zemlinskit dhe Kreislerit.
Më 12 tetor, mbrëmja “Trompeta Spanjolle” do të sjellë trompetistin Vicente Campos nga Spanja, të cilit do t’i bashkohen artistët mysafirë Stefan Iliev nga Maqedonia e Veriut dhe Avni Krasniqi nga Kosova. Publiku do të dëgjojë vepra të Vivaldit, Pradasit, Haydnit dhe Rodrigos.
Koncerti i tretë, “Con Brio”, do të mbahet më 16 tetor. Violinisti Vadim Tchijik nga Franca dhe pianistja Nita Grubi do të interpretojnë vepra të Mendelssohnit dhe Dvořákut.
Më 23 tetor, festivali do të vazhdojë me koncertin “Dy zëra, katër duar”, me pianistët Sugiko Chinen dhe Luca Arnaldo Maria Colombo. Në repertor janë vepra të Griegut, Schubertit, Rossinit dhe Puccinit.
Edicioni i nëntë do të përmbyllet më 5 nëntor me koncertin “Këngë pa fjalë” të ansamblit “Amatis Trio”. Violinistja Lea Hausmann, violonçelisti Samuel Shepherd dhe pianisti Mengjie Han do të interpretojnë vepra të Schubertit dhe Mendelssohnit.
Të gjitha koncertet do të mbahen në Muzeun e Luftës së Maqedonisë në Shkup dhe do të fillojnë në orën 19 e 30 minuta.
Ky festival përkrahet nga Ministria e Kulturës dhe Turizimit të RMV-së dhe disa mbështetësve të tjerë.