Ramiz Dauti reagoi ndaj Bekim Salit: Agim Islamit nuk i duhet ndihmë shëndetësore, por drejtësi

Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Bekim Sali për Portalb.mk, lidhur me gjendjen shëndetësore të Agim Islamit dhe gatishmërinë për t’i ofruar ndihmë mjekësore, ka reaguar Ramiz Dauti, shok i Agim Islamit, i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”.

Përmes një postimi në Facebook, Dauti ka falënderuar për gatishmërinë për ndihmë, por ka theksuar se Agimi ka familjen e tij, e cila kujdeset për gjendjen shëndetësore dhe nevojat e tij. Sipas tij, ajo që Agimi ka nevojë tash e 18 vite është drejtësia.

“Pas disa deklaratave të figurave shtetërore që kanë deklaruar se do të ofrojnë ndihmë shëndetësore për Agimin, dua të sqaroj se Agimi për momentin është në gjendje stabile shëndetësore dhe i ndjek rekomandimet e mjekëve. Nuk kemi nevojë për ndihmë nga askush, sepse Agimi e ka një familje të shëndoshë dhe mua personalisht, që kujdesemi për gjendjen dhe nevojat e Agimit. Ju faleminderit për ndihmën! Agimi ka nevojë për një gjykim fer dhe të paanshëm politikisht. Kërkon drejtësi dhe asgjë tjetër. E për këtë kemi nevojë që Qeveria të ndërhyjë (duke formuar komision) për t’i trajtuar rastet e montuara politike”, ka shkruar Dauti.

Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Salit se rishikimi i rastit është në kompetencë të gjyqësorit dhe se duhet të ruhet pavarësia e tij.

“Po flasim për një gjyqësor me 2% besueshmëri dhe nuk i pranojmë deklaratat e tipit “gjyqësori është i pavarur”. Jemi dëshmitarë se çka ka ndodhur në shumë raste”, ka shkruar Dauti.

Statusi i Ramiz Dautit. Screenshot nga profili i tij në Facebook.

Ndryshe, zëvendëskryeministri Bekim Sali, në një prononcim për Portalb.mk, ka deklaruar se institucionet përgjegjëse kanë obligim të sigurojnë kujdesin e nevojshëm shëndetësor për personat që vuajnë dënimin me burg dhe se është i gatshëm të ofrojë ndihmën e tij për Agim Islamin.

Sa i përket kërkesës për rishikimin e rastit “Alfa”, Sali ka theksuar se familjarët kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ligjore, ndërsa procedurat për rishikimin e vendimeve gjyqësore janë në kompetencë të organeve të drejtësisë.

Sali gjithashtu ka deklaruar se ka kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të merren parasysh edhe faktet e paraqitura ndërkohë, duke theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë epilogun e tij.

Ndërkohë, Ramiz Dauti, shok i Agim Islamit, më herët për Portalb.mk kishte deklaruar se gjendja shëndetësore e Agim Islamit, si fizike ashtu edhe psikike, ka filluar të përkeqësohet pas 18 vitesh në burg. Dauti tha se familja është takuar me Salin dhe ish-zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, por ende është në pritje të një zgjidhjeje konkrete për rishikimin e rastit.

“Kemi pasur takim me ish zvëvendëskryeministrin Izet Mexhitin, kemi pasur edhe me Bekim Salin dhe ende jemi në pritje për diçka konkrete. Na kanë thënë që kanë mirëkuptim me palën maqedone të koalicionit, VMRO-në, që të gjendet ndonjë zgjidhje ligjore për ta rishikuar rastin edhe njëherë. Ajo pjesë prapë ngelet nga politika, a do të formohet komision, apo metodologjia si do të jetë, presim nga ata”, pati deklaruar Dauti.

Kujtojmë se Rasti “Alfa” lidhet me vrasjen e pjesëtarit të njësitit policor “Alfa”, Afrim Arifi, më 26 nëntor 2008 në Shkup. Për këtë vrasje, Agim Islami dhe Rexhail Qerimi u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri me gjashtë vjet burg. Rexhail Qerimi vdiq në burgun e Idrizovës më 27 janar 2022.

Gjykata Penale në Shkup në dhjetor të vitit 2024 e refuzoi kërkesën e Agim Islamit për përsëritjen e gjykimit. Në prill të vitit 2025, Gjykata e Apelit e refuzoi edhe ankesën kundër këtij vendimi.

Bekim SaliRasti Alfa