Gjykata Themelore Penale – Shkup sot solli aktvendim për tre nga gjithsej katër të dyshuarit në rastin për ndërmjetësimin e vajzave nga Brazili për prostitucion në Shkup. Gjykata të dyshuarës së parë, De Jesus Neves Marliene, shtetase e Brazilit, i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej pesë vjet e gjashtë muaj, ndërsa të dyshuarin të tretë, Sabedin Demiri dhe të dyshuarit e katërt Nemanja Mihajlovski, shtetas të Maqedonisë së Veriut, u është shqiptuat aktvendim alternativ, gjegjësisht një vit burg dhe një vit e gjashtë muaj nëse kryejnë vepra penale në tre vitet e ardhshme, raporton MIA.
Gjykata në seancën e sotme solli vendim që të ndahet procedura për të akuzuarin e dytë Maan Mahmalad, shtetas i Maqedonisë së Veriut, sepse vetëm ai nuk e pranoi fajin nga katër të dyshuarit.
Duke e elaboruar aktakuzën, prokurorja publike Suzana Mirçevska – Kërstevska potencoi se tre nga të akuzuarit kanë kryer veprat penale “Ndërmjetësim në kryerjen e prostitucionit” dhe “Larje parash dhe të ardhura tjera nga vepra penale”, ndërsa i dyshuari i katërt, Mihajlovski, vetëm veprën penale “Larje parash dhe të ardhura tjera nga vepra ndërshkuese”.
Gjatë periudhës prej gati një viti, ata për shkak të kryerjes së prostitucionit pranuan pesë braziliane të moshës prej 26 deri 38 vjeçare, të cilat i kanë vendosur në banesa të marra me qira në Shkup, në kompleksin “Xhevahir Holding”. Vajzat ishin të vendosura në dy banesa, ku u ofronin shërbime seksuale klientëve nga 150 euro për gjysmë ore, 200 euro për një orë, 300 euro për dy orë, 450 euro për tre orë dhe 800 euro për gjithë natën për shërbime seksuale.
Ndryshe, Policia e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me prokurorinë në dhjetor të vitit 2024 kanë kryer arrestimin e katër personave të dyshuar për prostitucion dhe shpëlarje të parave. Në lidhje me rastin, policia e Shkupit dhe Kumanovës ka kryer pesë bastisje.
Numrat, fotografitë dhe çmimet për shërbime i kishin publikuar në ueb faqet e specifikuara për shërbime të tilla.