Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” ngjashëm si kolegët e tyre nga Universiteti i Evropës Juglindore, e ridorëzuan kërkesën që tu mundësohet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, raporton Portalb.mk.
Pas dy protestave dhe shumë premtimeve të zyrtarëve shtetëror, ende nuk ka zgjidhje që provimet profesionale të jepen edhe në gjuhën shqipe.
Për këtë, studentët e “Nënës Terezë” sot dorëzuan kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë.
Kryetari i Kuvendit Studentor, Besar Sejdi, tha se kur u ndryshua ministri kanë pritur se do t’i ftojë në takim, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
“Dy vite e gjysmë, dhjetëra kërkesa, dy protesta të zhvilluara, zëvendësim i ministrave dhe përsëri sot gjendemi në të njëjtën situatë para ministrisë së drejtësisë po e bëjmë të njëjtën kërkesë që të zbatohet Kushtetuta dhe ligji dhe studentëve shqiptarë t’u lejohet provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Kërkojmë nga ministri të njëjtën kërkesë që kemi pasur këto dy vite e gjysmë ta zbatojë kushtetutën, ta zbatojë ligjin për përdorimin e gjuhëve”, tha Sejdi.
Studenti i juridikut, Jon Selimi, theksoi se nuk e përjashtojnë mundësinë sërish të dalin në protestë.
“Nuk është çudi që të bëjmë përsëri protestë. Një ministër e larguam nuk e kemi problem ta largojmë edhe tjetrin. Njëherë do të presim përgjigje të shohim çfarë hapa do të ndërmarrin dhe do të shohim pastaj mund të organizohemi të bëjmë përsëri protesta”, tha Selimi.
Javën e kaluar, kërkesë të ngjashme në Ministrinë e Drejtësisë dorëzuan edhe studentët e Universitetit të Evropës Juglindore.
Në ndërkohë, Ministria e Drejtësisë në krye me Jeton Shasivarin nuk u përgjigjet pyetjeve gazetareske për ditë të tëra vazhdon të heshtë dhe të mos përgjigjet për këtë çështje.
Ndërkaq kanë kaluar muaj që kur zëvendëskryeministri, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Ndërkohë, Sali premtimin e ka zhvendosur për në shtator të këtij viti.
Kujtojmë se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare.
- LEXO: Bekim Sali nuk i mban premtimet për jurisprudencën në shqip, nga një javë kaloi në shtator
- LEXO: Kaluan pesë javë ndërsa Bekim Sali nuk e realizoi premtimin për provimin e jurisprudencës në shqip siç u zotua
- LEXO: Sali e shpalli zgjidhjen rreth provimit të jurispudencës, por Mickoski tha se ende po punohet për zgjidhjen
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.