Për shkak të mungesës së procesverbalistit, sot përsëri u anulua seanca gjyqësore përmes së cilës rreth 50 ish të punësuar në shtypshkronjën e falimentuar “Napredok” po përpiqen të marrin 10 rrogat e papaguara, transmeton Portalb.mk.
Ish të punësuarit kërkojnë që ky rast të përmbyllet sa më parë.
Zhivka Dimovska, ish e punësuar në shtypshkronjë thotë se presin me vite dhe muaj por që seanca nuk po mbahet.
“Pritëm tri muaj, që do të thotë se ky është viti i dytë, që presim seancën gjyqësore të mbahet dhe me shpresë se një ditë, do të realizohet. Për fat të keq, erdhëm edhe para tre muajve, na thanë që të vijmë sot me shpresën se do të mbahet seanca por ashtu siç e patë edhe sot u anulua. Për shkak se nuk kishte procesverbalist. Por ne u zotuam që do ta bëjmë procesverbalistin, pasi jemi pa punë që njëherë e përgjithmonë t’i vihet fundi kësaj teme. Të na japin vetëm rrogat tona sepse nuk kërkojmë tjetër gjë”, tha Dimovska.
Behixhe Sejdija, njëjtë ish e punësuar thotë se do vazhdojnë ta ngrenë zërin, pasi siç thotë, ata kanë të drejtë.
“U mbyll firma jonë. Punë kishte shumë dhe ne mbetëm në rrugë. Unë jam me 45 vjet stazh pune, mbetëm në rrugë, kjo nuk është në rregull. Më shumë jam e revoltuar me Gjykatën e Tetovës se pse nuk merr hapa për ne. Edhe zërin do e ngremë edhe më tutje”, theksoi Sejdija.
Ndryshe, shtypshkronja Napredok është ndër shtypshkronjat më të vjetra në rajonin e Tetovës. Kjo shtypshkronjë ka qenë shtetërore, ndërsa më pas u privatizua dhe ka funksionuar deri në fund të vitit 2023. Pas falimentimit, punëtorët mbetën pa punë dhe me 10 paga të pa paguara.