Përplasen Komuna dhe Myftinia e Tetovës për inkasimin e shitësve ambulantë në pazarin e grave

Shitësit ambulantë në pazarin e grave në Tetovë janë në hall, nuk e dinë nëse duhet të paguajnë qira ditore për përdorimin e hapësirave gjatë ditës së enjte (ditës së tregut). Kjo sepse Komuna e Tetovës akuzon Myftininë e Tetovës se pa të drejtë inkasojnë mjete nga shitësit. Myftinia nga ana tjetër pranon se kanë inkasuar mjete, por se të njëjtat janë përdorur për mirëmbajtjen e varrezave, raporton Portalb.mk.

Komuna e Tetovës akuzon Myftininë e Tetovës në krye me Qani Nesimin se pa të drejtë dhe pa ju dhënë kuponë fiskalë inkasojnë nga shitësit ambulantë mjete për shfrytëzim ditor të trotuareve në Pazarin e Grave.

Nga Komuna theksojnë se të drejtat për inkasim apo jo të mjeteve kanë vetëm institucionet përkatëse, organet komunale. Nga atje shtuan se shitësit nuk duhet të paguajnë qira për shfrytëzim të hapësirave publike në ditën e tregut.

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani tha se ky aksion është kryer në përputhje të plotë me ligjin, përfshirë edhe Drejtoria e të Hyrave Publike, Inspektorati i Tregut, si dhe asistenca e Policisë, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga çdo formë abuzimi apo zhvatjeje të paligjshme.

“Theksojmë se askush, përfshirë këtu edhe organizatat pa kompetenca ligjore në këtë çështje, nuk ka të drejtë të vendosë tarifa apo të përfitojë nga shitësit ambulantë, të cilët luftojnë për mbijetesë përmes punës së tyre. Në këtë rast, Myftinia e Tetovës me në krye Qani Nesimin, nuk ka kompetenca për të mbledhur para nga këta shitës. Çdo pagesë apo veprim ligjor duhet të kryhet nga një subjekt i autorizuar, i fiskalizuar dhe i njohur ligjërisht”, tha Besarta Ramadani.

Nga ana tjetër, nga Myftinia e Tetovës pranuan se kanë inkasuar mjete nga shitësiit, por që të njëjtat janë përdorur për mirëmbajtjen e varrezave.

Myftiu i Tetovës Qani Nesimi tha se nga viti 2002 ky pazar është aktiv dhe ka marrëveshje me komunën që ti shfrytëzojnë këto hapësira sepse shfrytëzohen rreth e qark objektet e varrezave.

“Pazari i grave që është hapësira është vakëf. Rruga është e vërtetë se është pronë shtetërore dhe është vakëf, por janë varreza mbi atë asfalt ku kalojmë ne dhe nuk pretendojmë se është pronë e jona apo se ne duhet të marrim nga shitësit, por le ti merr komuna dhe le ta mirëmbajë, por ne kemi dëmtime që bëhen dhe kjo është një marrëveshje me një çmim simbolik. Komuna nuk kërkon prej nesh që të merremi vesh por e bën tinëzisht. Përse, nuk e di”, tha Qani Nesimi.

Komuna e Tetovës ka paralajmëruar padi nëse Myftinia e Tetovës do vazhdojë të inkasojë mjete nga shitësit ambulantë.

Komuna e TetovësTetovaTregtar(e) Tregti