Peng i garancive të pamundura

Vizita e komisares evropiane për zgjerim, Marta Kos, në Maqedoninë e Veriut solli një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Reformat po vërehen. Përparimi ekziston. Por pa ndryshimet kushtetuese, negociatat reale me Bashkimin Evropian nuk mund të fillojnë.

Ky nuk është mesazh i ri. Por ndoshta është koha ta dëgjojmë qartazi, pa interpretime politike të përshtatshme për përdorim të brendshëm.

Mesazhi tjetër i rëndësishëm ishte edhe më i qartë: asnjë vend kandidat për anëtarësim në BE nuk ka marrë garanci absolute se gjatë procesit nuk do të përballet me pengesa, kundërshtime ose kushte të tjera. Deri në ratifikimin përfundimtar nga të gjitha shtetet anëtare, procesi mbetet politik, institucional dhe i ndërlikuar. Kjo është natyra e zgjerimit evropian.

Prandaj, kërkesa zyrtare e Maqedonisë së Veriut për garanci të plota dhe paraprake tingëllon gjithnjë e më shumë si një arsyetim për mosveprim. Në pamje të parë, ajo duket si kujdes politik. Në thelb, është një mënyrë për ta mbajtur vendin në vendnumërim.

Sigurisht, qytetarët kanë arsye të jenë të lodhur. Maqedonia e Veriut ka bërë kompromise të vështira dhe ka pritur shumë gjatë. Por lodhja nuk mund të zëvendësojë strategjinë shtetërore. Zhgënjimi nuk mund të bëhet politikë. Dhe frika nga një pengesë e mundshme që mund të ndodhë nesër nuk mund të përdoret si arsye për të pranuar bllokimin e sigurt që po ndodh sot.

Kjo është kontradikta kryesore e politikës sonë aktuale: duke kërkuar siguri absolute për të ardhmen, po prodhojmë pasiguri të plotë në të tashmen. Duke thënë se nuk duam të hyjmë në një proces pa garanci, po qëndrojmë jashtë procesit pa asnjë garanci fare. As për reforma më të shpejta, as për institucione më të mira, as për pozicion më të fortë ndërkombëtar.

Ndryshimet kushtetuese janë bërë nyja politike e procesit. Mund të diskutohet gjatë për mënyrën se si kemi ardhur deri këtu. Por sot pyetja është më e thjeshtë: a duam ta zhbllokojmë procesin apo duam të vazhdojmë ta arsyetojmë bllokimin?

Një shtet serioz nuk ndërton politikë duke pritur kushte ideale. Ai vepron brenda realitetit që ka përpara. Realiteti ynë është se ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e procesit. Realiteti tjetër është se BE-ja nuk funksionon me garanci absolute për asnjë kandidat. Këto dy fakte mund të mos na pëlqejnë, por nuk zhduken vetëm pse nuk i pranojmë.

Për më tepër, ndryshimet kushtetuese nuk duhet të paraqiten si humbje. Njohja e komuniteteve që jetojnë në këtë shtet nuk e dobëson shtetin. Një shtet demokratik nuk rrezikohet kur i zgjeron garancitë kushtetuese, por kur i mban qytetarët peng të kalkulimeve politike afatshkurtra.

Sigurisht, ndryshimet kushtetuese nuk do ta reformojnë vetvetiu gjyqësorin, nuk do ta luftojnë korrupsionin dhe nuk do ta bëjnë administratën më efikase. Për këto duhen reforma të vërteta, punë serioze dhe përgjegjësi institucionale. Por pa zhbllokimin e procesit evropian, edhe reformat e tjera mbeten pa drejtim të qartë politik.

Mesazhi i Marta Kos ishte i rëndësishëm pikërisht sepse e ktheu debatin te realiteti. Jo te dëshirat tona, jo te frikërat tona, jo te premtimet që askush nuk mund t’i japë, por te ajo që duhet bërë tani.

Maqedonia e Veriut nuk mund të vazhdojë ta ndërtojë politikën evropiane mbi pyetjen: “Po sikur nesër të ketë një pengesë tjetër?” Sepse kjo pyetje nuk ka fund. Gjithmonë mund të ketë një rrezik tjetër, një veto tjetër, një kusht tjetër, një krizë tjetër. Por shtetet nuk ecin përpara duke pritur fundin e të gjitha rreziqeve. Ato ecin përpara duke marrë vendime në kohën kur vendimmarrja shtetbërëse është e nevojshme.

Kërkesa për garanci të pamundura është bërë një komoditet politik. Ajo tingëllon patriotike, por në praktikë prodhon stagnim. Tingëllon si mbrojtje e interesit kombëtar, por në fakt e mban vendin larg tavolinës ku merren vendimet.

Prandaj pyetja nuk është nëse kemi garanci absolute. Nuk i kemi. Nuk i ka pasur askush. Pyetja është nëse kemi guxim politik ta bëjmë atë që varet nga ne.

Sepse më i rrezikshëm se një proces pa garanci është një shtet që e pranon ngecjen si normalitet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Besa ArifiKolumnat e Portalbit