“Kujdes në mendimet tuaja, ato bëhen fjalë. Kujdes në fjalët tuaja, ato bëhen veprime. Kujdes në veprimet tuaja, ato bëhen shprehi. Kujdes në shprehitë tuaja, ato bëhen fati juaj.” – thotë filozofi kinez Lao Tzu.
Maqedonia nuk pati shumë fat me udhëheqjen e saj që nga fillimi, dhe për këtë arsye humbi mundësi të shumta për të krijuar një shtet funksional. Edhe ato lëshime që bëri, u detyrua me vështirësi t’i realizonte nga kokëfortësia e një gomari. Së bashku me Slloveninë, ato ishin vendet më premtuese në të gjithë ish-bllokun socialist, por mu ajo kokëfortësia e gomarit e bëri të mbetej e fundit në Evropë. Ajo nuk kishte dhe akoma nuk ka udhëheqje të mençur. Udhëheqësit e fortë shohin mundësi në çdo vështirësi, e jo një vështirësi në çdo mundësi. “Një marinar i keq i frikësohet stuhisë, një mesatar pret që moti të qetësohet, kurse më i miri rregullon velat” – thotë John Maxwell. Udhëheqja e një vendi është shumë e ngjashme me lundrimin, pasi ka kohë të mira, por edhe stuhi të rrezikshme. Udhëheqësit tanë të vegjël silleshin gjatë gjithë kohës sikur të ishin udhëheqës të universit. Kurse ne jemi plotësisht një xhuxhë, me një të ardhme të pasigurt. Nëse një Spartë e fortë, Perandoria Romake e çelikt dhe ajo Mongole më e madhja në botë u zhdukën, cili vend tjetër mund të shpresojë të zgjasë përgjithmonë? Superfuqia e madhe Bashkimi Sovjetik u shemb brenda disa muaj, madje edhe njëra nga ekonomitë më të suksesshme në shekullin e 20-të – Jugosllavia. Po ne, që që në fillim shkelëm mbi normalitetin, prandaj pas 36 vitesh ende po lundrojmë nëpër një stuhi të rrezikshme me vela të grisura dhe një anije të prishur. Truri i zbrazët nuk mban ujë. Tani kemi pagën minimale më të ulët në rajon (Mali i Zi – 750 euro, Serbia 741 euro, Bosnja dhe Hercegovina – 535 euro, Kosova – 499 euro, Shqipëria – 481 euro, kurse Maqedonia është e fundit me 423 euro).
Pas rënies së socializmit në Evropën Lindore, ne ende po ecnim mirë. Por partishmëria dhe privatizimi i keq na varrosën. Edhe pas 36 vitesh, normaliteti nuk është rikthyer kurrë. Normaliteti ikë nga ne, e ne ikim nga ai. Nga njëmendësi e dobishme, kaluam në çmenduri fatale! Si arsye, disa tregojnë privatizimin e keq, do të tjerë udhëheqjen e keqe, disa thirren në ate se jemi shoqëri komplekse, e të tjerë ende e kërkojnë fajin në modelet dhe sistemet zgjedhore, etj. Kurse krimi fillon aty ku mbaron shteti. Tani marrëzia e ktuit na është bërë një e mirë publike e përbashkët. Takimet e rralla të udhëheqësve i ngjajnë një koleksioni të bukur thikash pas shpine. Askush nuk mund të na ngarkonte me aq shumë telashe sa mund t’i bëjmë vetë ne. Në vend të burrave të shtetit, ne mbështesim “politikanë me çmim të lirë e të dëmshëm, qëllimi i të cilëve janë zgjedhjet e ardhshme, por jo brezat e ardhshëm” – thotë James Clark.
Maqedonia po luan me fatin e vet!
Fatkeqësisht, kemi arritur në grupin e vendeve në borxhe më të mëdha në botë. Borxhet e mëparshme ishin për shkak të deficiteve të vazhdueshme fiskale nga pandemia, të cilat mesatarisht ishin rreth 5 përqind në vit, thotë ish-drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci. Megjithatë, për shkak të lakmisë së qeverisë për para, e shoqëruar nga mungesa e mekanizmave të kontrollit të shpenzimeve, borxhi publik tani i ngjan një aeroplani pa pilot!
Qeveria u mburr në mënyrë të rreme se kishte një lloj “marrëveshjeje partneriteti strategjik” me Britaninë e Madhe! Dhe se do të shërbente si një ombrellë në rast të një “stuhie”. Por deri më tani nuk kemi parë asgjë nga ai partneritet. Në vend të mjaltit dhe qumështit, marrim hudhër dhe ujë. Kurse oligarkët, për shkak të të cilëve autoritetet nuk mund të miratojnë një ligj për konfiskimin e pronës së pavërtetuar, ende shpresojnë për ndonjë “tryez suedeze” të re.
Model i keq zgjedhor!
Në parim, modelet zgjedhore janë alfa dhe omega për një shoqëri të shëndetshme dhe shërimin e një shoqërie të sëmurë. Modeli proporcional ekzistues, në kushtet tona, ka provuar të jetë një katastrofë në lëvizje, sepse udhëheqësi vendos se cilët do të jenë kandidatët dhe si do të renditen ata, dhe bëhet i paprekshëm në të mirë dhe të keq. Kriteri i tij i vetëm për shpërblimin ose ndëshkimin është bindja dhe mosbindja ndaj tij. Dhe për të pasur një autoritet të fortë legjislativ si një “çekan” mbi qeverinë, duhet të kemi një model zgjedhor ku fitojnë më të fortët dhe më të drejtët. Dhe jo më të bindurit. Siç është, andaj ne kurrë nuk do të zgjedhim më mirë sesa meritojmë. Vetëm “modeli zgjedhor mazhoritar” lejon konkurrencë individuale midis kandidatëve, kështu që partitë janë të kujdesshme se kë do të nominojnë në një “duel” kaq të fortë të drejtpërdrejtë. Ajo që kemi tani është një qindkëmbëse helmuese. Qytetarët nuk dinë kujt t’i drejtohen midis atyre 20 deputetëve në një zonë zgjedhore, sepse secili ia kalon topin një kolegu tjetër. Ata e dinë mire se ndëshkimi nuk do të jetë personal. Sistemi ekzistues ka një të metë të natyrshme – zhvlerëson deputetët e ndershëm dhe të guximshëm dhe promovon të dëdhueshmit.
Prandaj, është jetike që udhëheqësit partiak të kenë sa më pak pushtet të jetë e mundur. Sepse janë ata që udhëheqin “skuadrën e pushkatimit” për ekzekutimin e Drejtësisë. Ajo nuk mund ta masë drejtësinë me peshore dhe me shami syri, ndërsa dikush e godet fort në kokë me çekiç. Nuk është rastësi që këtu kriminelët kanë gjithçka përveç një emri dhe mbiemri!
Të gjithë po ikin nga ne!
Çdo shoqëri normale pretendon të krijojë institucione normale, gjë që është e mundur vetëm me një sistem plotësisht normal. Kanë kaluar 36 vjet pa bërë asnjë hap përpara. Gjatë kësaj kohe, Jugosllavia e Titos e ka rritur cilësinë e jetës 13 herë. Mali i Zi mund të përfundojë negociatat me BE-në deri në fund të vitit 2026, dhe viti 2028 është një vit realist për anëtarësim, tha në një intervistë me “Europulse” në “Radio Mali i Zi”, profesori Dr. Predrag Zenović, kryenegociatori i Malit të Zi me BE-në. Ai thotë se gjeopolitika mund të përshpejtojë procesin e integrimit evropian, por nuk mund të zëvendësojë zbatimin e reformave, ndërsa e sheh vazhdimin e atij procesi si një nga kushtet kryesore të mbështetur nga të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Shqipëria po hap grupin e fundit të klasterëve të negociatave me BE-në. Në pak më shumë se një vit, ajo ka hapur të gjashtë grupet, të cilat përfaqësuesit evropianë i vlerësuan si përparim të arritur “me një ritëm të paparë”! Kurse Mickovski na ngushëllon me një fatamorganë shkretëtire!
Të rinjtë po largohen sepse shohin se shteti po bëhet një degë partiake. Qeveria prodhon urrejtje etnike për të krijuar një mjegull. Prandaj, “dielli ynë i ri në lindje” është errësuar plotësisht. Këtu, mençuria vyshket lehtë kurse budallallëku lulëzon shpejt. Qeveria jo vetëm që urren yjet e BE-së, por ka edhe një koleksion të madh thikash pas shpine! Kurse Mickowski dhe jehona e tij Davkova po na mbajnë në mes të një shkretëtire të nxehtë! Ata duan pushtet të përjetshëm të pakufizuar, por kërkojnë që ne, “të kufizuarit”, të paguajmë çmimin. Dhe kjo është arsyeja pse secili prej nesh ka borxh fantastik prej 9,035 eurosh. Në vend të parave të pakthyeshme nga BE-ja, ne po marrim hua të larta deri në qiellin e shtatë. Borxhi publik ka tejkaluar dhjetë miliardë euro. Një pjesë e madhe e këtij borxhi janë “brirë në thes”. Nevojitet një strategji zhvillimi afatgjatë dhe e drejtë. Nevojitet industri, bujqësi dhe ferma moderne, arsim cilësor, infrastrukturë, energji të qëndrueshme, vende pune të paguara mirë dhe politika që nuk ndryshojnë sa herë që ndryshon qeveria. Pa institucione profesionale, nuk ka shtet funksional. Pa një strategji zhvillimi, nuk ka ekonomi konkurruese. Pa drejtësi, nuk ka besim. Historiania Dubravka Stojanović shkroi një libër të titulluar “E kaluara po vjen”. Uket se gjithnjë e më shumë po vjen.
Ne mbetemi aty ku ishim 35 vjet më parë, por pa gjysmën e popullsisë. Sepse udhëhiqemi nga njerëz gjysmë të shëndoshë mendërisht. Jemi vazhdimisht ose në një udhëkryq ose në një rrethrrotullim. Në Evropë, trenat “fluturojnë” me 350 km/orë, në Kinë dhe Japoni mbi 600 km/orë, dhe ne, të mbërthyer në shina të ndryshkura, qajmë për fatin e trishtuar që i kemi sjellë vetes. Mburremi me një tren 50 km/orë, i cili u prish në kthesën e dytë. Për tridhjetë e pesë vjet, kemi krijuar një administratë të paaftë, arsim analfabet, kujdes shëndetësor të sëmurë dhe bujqësi të vyshkur. Kemi krijuar gënjeshtra dhe marrëzi të shtrembëruara gjer në ekstazë. Atje ku sistemi i meritës nuk funksionon, edhe Ajnshtajni do të detyrohej të punonte si higjienist – thotë një shkrimtar. Margjinalë të zakonshëm janë bërë zotër të lumturisë së tyre dhe ndërtues të fatkeqësisë së popullit. Ekspertët botërorë të zhvillimit besojnë se vendi ynë mund të ketë një bum zhvillimi me 1) bujqësi dhe blegtori moderne, 2) turizëm rural modern, 3) ambiente moderne spa: 4) qendra rekreative, qendra skijimi, shtigje ecjeje, sporte të ndryshme, etj. E gjithë kjo e shoqëruar me reklama të forta, transport të organizuar të lirë, fluturime çarter, etj. Autoritetet e këtij shteti nuk kishin iniciativë, as ofertë e as ide. Austria nuk ka det, por të ardhurat nga turizmi janë pothuajse si ato të Italisë, e cila është e rrethuar nga deti.
Duhet të pyesim veten – çfarë na ndodhi saktësisht që vendet fqinje që ishin 30 vjet pas nesh (Bullgaria, Rumania, Shqipëria) por na tejkaluan?! Ato janë në BE ose në pragun e saj, kurse ne për 35 vjet vajtojmë për fatin e pafat që kemi krijuar vetë.
Shteti duhet të ketë zona zhvillimi të planifikuara në çdo fshat dhe qytet, të disponueshëm në një procedurë të shkurtër dhe të thjeshtë. Duhet t’i edukojë të rinjtë se bujqësia dhe blegtoria janë një privilegj moral dhe material, jo një kompleks inferioriteti. Këto janë vlera, e jo nënvlerësime. Arat tona janë kryesisht të pambjella. Kujdesi dhe mirëmbajtja bazë mungojnë. Hapësira të gjera të fushave tona janë të papërdorura ose janë të mbjella me produkte me çmim të ulët. Kinezët janë të ndryshëm nga ne sepse ata bëjnë gjithçka nga hiçi, dhe ne nuk bëjmë hiç nga gjithçkai! Fatkeqësisht, njerëzit këtu, edhe kur lavdërojnë Zotin, ndjekin djallin. Ekspertët kinezë thonë se në këtë vend, me një standard të mirë jetese, ata mund të mbështesin një popullsi njëzet herë më të madhe se ajo aktuale. Kurse ne po i largojmë edhe ata që ende hamenden nëse ia vlen të qëndrosh këtu.