Për tekstet fyese mësimore në RMV fajet janë tonat

Përpjekjet për reformimin e sistemit arsimor në Maqedoni kanë nisur në vitet e ’90-ta. Kanë rrjedhur shumë projekte, janë mbajtur shumë seminare, janë shpenzuar shumë para, por e gjitha ka rezultuar me rezultate modeste. Koha e humbur në kërkim të modeleve bashkëkohore të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove për jetën dinamike të së sotmes ka krijuar vakume të dukshme. Shumëçka nuk u bë në përputhshmëri me nevojat e nxënësve të epokës dixhitale, kur gjërat vjetërrohen sa çel e mbyll sytë. Kjo është e kushtueshme për brezat e mbetur peng vorbullash të krijuara prej insititucioneve të thirrura për të ndryshuar gjendjen ekzistuese në arsim.

Shkaqet e ngecjes në fjalë janë të shumta, por ne po ndalemi sot në cilësinë e disa teksteve mësimore për nxënësit e shkollave shqipe, që përpilohen kryesisht nga autorë joshqiptarë, që, përveç leshimeve të patolerueshme gjuhësore e teknike, fyejnë rëndë nxënësit, duke i quajtur ardhacakë dhe qiraxhinj në trojet e tyre stërgjyshore.

Së këndejmi, me të drejtë shtrohet pyetja: Si është e mundur që edhe në shekullin e XXI nxënësit shqiptarë të poshtërrohen me tekste skandaloze të lëndëve me aromë etnie, si: Historia, Arsimi Muzikor…

Për hir të së vërtetës dhe për të dëshmuar se shteti ynë prej vitesh nuk ndërmerr asgjë për ta ndërprerë sakatosjen e teksteve shkollore me profka sipas të cilave ne qenkemi pasardhës romësh e çerkezësh dhe kolonizatorë të tokës së shënjtë të popullit të sotëm maqedonas?! Shi për këtë, po i referohem kolumnës së shkruar në shkurt të vitit 2021, që trajton përmbajtjet e teksteve me të cilat nxënësit shqiptar “e mësonin” lëndën Arsimi Muzikor nga klasa e IV gjer në klasën e IX, pa çka se librat në fjalë nuk kishin asnjë lidhje me muzikën dhe kulturën shqiptare, sepse kryekëput kishin të bëjnë me folklorin maqedonas, me muzikën, me tekstet e këngëve maqedonase, me instrumentistët, solistët, kompozitorët, dirigjentët dhe këngëtarët maqedonas, pa asnjë shqiptar të vetëm.

Këto janë arsyet përse i quajmë tekste skandaloze, sepse qëllimi i tyre nuk është arsimimi muzikor por asimilimi shpirtëror i nxënësve shqiptarë, i toleruar pabëzajtur me dekada nga klasa politike shqiptare, tamam sikur të ishte fjala për fëmijë ufosh të zbritur nga Marsi në Maqedoninë e Veriut.

Nga e sipërthana vetëkuptohet se librat e këtillë i kanë vetëm titujt shqip, vetëm fasadën, që mjafton për të vënë në gjumë dhe për ta bërë të padukshëm anën përmbajtësore, me të cilën bëhet injektimi i viruseve në damarët e ardhmërisë sonë, që dalëngadalë e tjetërsojnë dhe e shpëlajnë trurin e nxënësve tanë.

Në vijim i keni: titujt dhe tekstet e këngëve të përkthyera shqip, emrat që përmenden në tekste këngësh, emrat e kompozitorëve, dirigjentëve dhe instrumentistëve,
emrat e valleve, këngëve të krishtlindjes, këngëve folklorike dhe ninullave maqedonase, festivalet dhe manifestimet më të rëndësishme muzikore, traditat e bashkësive të ndryshme në RMV…

Tituj këngësh: Крај Вардара седеше, калино моме”, “Насред село тапан чука”, “Денес е Божик, пресветол ден”, “Под дрво седи млад јунак”, “Мајка на Маринка думаше, земи го ќерко Ѓорѓија”, “Куќа имам в Пелистер”, “Ој, Лијарче бога моли”…

Tekste këngësh të përkthyera shqip: Миле има коцка мала, тој ми вели не е шала./ Волшебна е душа има, чудно нам ни дава сила. – Mile ka kub magjik, ai më thotë nuk është shaka. Shpirti i tij është magjik,/ për çudi na jep fuqi; Ој, Лијарче бога моли,/ Ојлие, ој лије – Moj Lijarkë, lutju zotit, ej lije, ej lije…; Ване, Мирјана, сите дечиња./ Скок, скок, скокаме, игра играме… – Vane, Mirjana, të gjithë fëmijët./ Kërcim, kërcim, kërcejmë, lojë luajmë…

Emra që përmenden në tekste këngësh: Stanko, Dime, Mile, Pallavko, Millka, Jana, Tanja, Martin, Rada, Vane, Mirjana…

Kompozitorë: Kiril Makedonski, Trajko Prokopiev, Risto Avramovski, Toma Preshev, Dimitrije Buzharovski, Aleksandër Xhambazov, Todor Skallovski, Goce Kollarovski…

Dirigjentë: Tomisllav Shopov, Oliver Balaburski, Aleksandar Lekovski, Sasha Nikollovski-Gjumar, Borjan Canev, Bisers Cadllovska…

Solistë operistikë: Boris Trajanov, Vesna Ginovska-Ilkova, Nikola Gogjov, Millka Eftimova, Sllavica Petrova-Galiq, Cvetan Stojanovski, Gabriela Georgieva, Igor Durlovski, Ana Durlovski, Blagoj Nacoski…

Instrumentistë: Dragan Trajkovski, Ninosllav Dimov, Stojan Dimov, Gordana Josifova, Vaso Ristov, Kiril Ribarski, Aleksadar Goshev, Simon Trpçevski, Zorica Karakutovska…

Natyrisht, kjo nuk është e tëra, sepse autorët maqedonas të librave të Arsimit Muzikor për shkollat shqipe dhe nxënësit shqiptarë janë kujdesur edhe për elementet tjera të kësaj fushe, ku bën pjesë dhe vallja Тешкото”…; kompozimet: “Mbreti Samoil”, “Vallja sllovene”…; këngët e Krishtlindjes…; festivalet dhe manifestimet më të rëndësishme muzikore, si: Xhaz festivali i Shkupit, Mak festi – Shtip, Ohri fest – Trubadurët e Ohrit, Vera e Ohrit, Ditët e muzikës Maqedonase…

Autorët e teksteve shkollore të përkthyera në gjuhën shqipe kanë përzgjedhur për nxënësit shqiptarë ninulla maqedonase, dhe njësi mësimore mbi folklorin maqedonas e hajt bir. Të sigurtë në durimin, moskokëçarjen dhe butakësinë tonë kronike, përpiluesit e teksteve nuk i kanë lënë anësh as gjepurat skajshmërisht poshtërruese për ne shqiptarët. Dëshmi për këtë është njësia mësimore që trajton traditat e bashkësive të ndryshme në RMV, prej të cilave mësojmë se në pjesën Përëndimore të Maqedonisë së Veriut maqedonasit kanë Dasmën tradicionale të Galishnikut; romët kanë traditën e festimit të Shën Gjergjit, me çrast pjekin qengja; kurse bashkësitë etnike myslimane, ku bashkë me turqit, ashkalinjtë, boshnjakët…, bëjnë pjesë edhe shqiptarët, kanë traditën e filijimit të bagëtisë, kurbanit, i cili ndahet më pastaj për shpirtin e të vdekurve…

Siç mund të shihni, në këto libra shkollorë nuk ka asgjë shqiptare: asnjë tekst, asnjë këngë, asnjë kompozitor shqiptar, asnjë këngëtar, asnjë muzikan, asnjë dirigjent, asnjë kompozitor, asnjë solist, asnjë instrimentist, asnjë koreograf, asnjë ninull, asnjë këngë folklorike shqiptare… Nuk ka asgje prej gjëje, ndaj shtrohen pyetjet: a mund të mësojnë diçka nxënësit shqiptarë nga këto tekste shkollore?, dhe kush i ka fajet për këtë turp të cilin e hamë me dekada si gjellën tonë të përditshme?

Unë them me gojën plot se fajet për tekstet fyese mësimore janë tonat. Prandaj duhet ta drejtojmë gishtin nga vetvetja dhe nga subjektet politike shqiptare që tolerojnë poshtërrimet e padronëve të tyre. Faje ka edhe klasa heshtake intelektuale, bashkë me arsimtarët, të cilët duhet të jenë të zëshëm në raste të këtilla. Ata duhet të kenë marë para të tjerëve mësimet e urtarëve të botës, si Dante Aligieri, i cili, që në mesjetë, sfidoi “dijetarët” e etnive të fjetura si ne, me vargjet:

Askush mos të harrojë se është njeri,
ju le nuk keni për t’gjallue si shtazë,
po për të ndjek virtyt e dituni…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit