Çfarë po u mësojmë të rinjve?

Viti i ri shkollor sapo ka filluar. Oborret e shkollave janë mbushur përsëri me nxënës, ndërsa fotografitë e ditës së parë si gjithmonë u shoqëruan me urimet e zakonshme për një vit të mbarë dhe të suksesshëm. Pothuajse në të njëjtën kohë, rezultatet e fundit të testimit PISA na kthyen te një realitet shumë më pak ceremonial: afërsisht tre nga katër nxënës 15-vjeçarë në vendin tonë nuk e arrijnë nivelin bazë të aftësisë në lexim.

Kjo nuk do të thotë se këta nxënës nuk dinë t’i lexojnë shkronjat apo fjalët. Do të thotë se kanë vështirësi ta kuptojnë idenë kryesore të një teksti, t’i lidhin informacionet, të dallojnë faktin nga interpretimi dhe të vlerësojnë në mënyrë kritike atë që lexojnë. Pikërisht këto janë aftësitë që PISA përpiqet të masë: jo sa mirë nxënësi e ka mësuar përmendësh një përmbajtje, por sa është në gjendje ta përdorë dijen në situata reale.

Problemi i leximit nuk është vetëm i Maqedonisë së Veriut. Ai paraqitet, me dallime të caktuara, edhe në vendet e tjera të rajonit. Shqipëria, për shembull, ka shënuar rezultate dukshëm më të mira se vendi ynë në matematikë dhe shkencat natyrore, por në lexim dallimi mbetet shumë më i vogël. Në këtë fushë, të rinjtë e vendeve tona vazhdojnë të ngecin dukshëm prapa një pjese të madhe të bashkëmoshatarëve të tyre në botë. Kjo tregon se nuk kemi vetëm një problem me programet mësimore ose me mënyrën e testimit, por edhe një raport gjithnjë e më të dobët me vetë leximin.

Prandaj, këto rezultate nuk janë thjesht edhe një rankim jo i favorshëm ndërkombëtar, të cilin do ta komentojmë për disa ditë dhe më pas do ta harrojmë. Ato tregojnë se një pjesë e madhe e të rinjve po hyn në jetën e të rriturve pa një nga mjetet më të rëndësishme për t’u orientuar në botën bashkëkohore: aftësinë për ta kuptuar dhe gjykuar informacionin.

Kjo bëhet edhe më serioze në një kohë kur të rinjtë janë të rrethuar nga një sasi e pakufishme përmbajtjesh. Informacioni u vjen vazhdimisht përmes telefonave, rrjeteve sociale, videove të shkurtra, reklamave dhe, gjithnjë e më shumë, inteligjencës artificiale. Mirëpo, qasja e lehtë në informacion nuk është e njëjtë me dijen. Mundësia për ta gjetur menjëherë një përgjigje nuk nënkupton domosdoshmërisht aftësi për ta kuptuar, verifikuar apo kundërshtuar atë.

Raportet e tjera mbi sjelljet dhe shëndetin e të rinjve e plotësojnë këtë tablo me të dhëna po aq shqetësuese. Përdorimi i cigareve dhe alkoolit fillon herët dhe përfshin një pjesë të konsiderueshme të nxënësve. Bastoret dhe lojërat e fatit janë bërë lehtësisht të qasshme, ndërsa reklamimi i tyre e paraqet kumarin si argëtim të zakonshëm dhe si mundësi për sukses të shpejtë. Ende kemi vajza që bëhen nëna para moshës madhore, shpesh pa edukimin, mbështetjen dhe mundësitë që do t’u lejonin të merrnin vendime të informuara dhe ta vazhdonin shkollimin.

Pikërisht në këtë kohë, Ministria e Arsimit vendosi ta tërheqë nga programi lëndën zgjedhore të edukimit gjithëpërfshirës seksual, me arsyetimin se ajo do t’i nënshtrohet një rishikimi të thellë. Vendimi është më së paku thënë kontradiktor. Ky program përmbante tema si familja, mbrojtja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënia e padëshiruar, barazia dhe mosdiskriminimi. Në vend që të forcojmë një edukim të mbështetur në dije shkencore, në mënyrë që të rinjtë të marrin vendime të informuara, tërhiqemi pikërisht kur treguesit dëshmojnë se një edukim i tillë është i domosdoshëm. Programet mund dhe duhet të rishikohen kur kanë mangësi, por rishikimi nuk duhet të shndërrohet në mungesë të edukimit.

Këto të dhëna vijnë nga burime të ndryshme dhe matin aspekte të ndryshme të jetës së të rinjve. PISA mat aftësinë e 15-vjeçarëve për ta përdorur dijen në lexim, matematikë dhe shkencë. Raportet e organizatave shëndetësore flasin për duhanin, alkoolin, shëndetin riprodhues dhe sjelljet e tjera të rrezikshme, ndërsa studime të veçanta trajtojnë kumarin dhe përdorimin e teknologjisë. Institucionet tona i lexojnë zakonisht secilin prej këtyre raporteve brenda sektorit të vet. Por në jetën e një të riu, këto nuk janë botë të ndara. Vështirësitë në arsim, mungesa e informacionit të besueshëm, varësitë dhe mungesa e mbështetjes lidhen mes tyre dhe tregojnë se të rinjtë nuk po rriten në një mjedis që i orienton, i mbron dhe i përgatit mjaftueshëm për jetën.

Për alkoolin, drogat dhe lojërat e fatit flasim, të paktën, si forma varësie. Për përdorimin e pakontrolluar të ekraneve flasim shumë më pak në këto terma. Telefoni është bërë aq i pranishëm në jetën e përditshme, saqë varësia prej tij mezi dallohet. Lëvizja e pafundme nga një përmbajtje te tjetra, ajo që tashmë njihet thjesht si scrolling, konsumon orë të tëra pa lënë pas as dije, as pushim të vërtetë dhe as ndonjë përjetim që mbahet mend. Ajo e copëton vëmendjen, e dobëson durimin për të lexuar një tekst më të gjatë dhe krijon nevojën për stimulim të vazhdueshëm.

Ndoshta kjo është një nga varësitë më të mëdha të kohës sonë, pikërisht sepse është më e normalizuara. Dhe nuk është vetëm problem i të rinjve. Edhe të rriturit e humbin një pjesë të madhe të ditës duke kaluar mekanikisht nga një lajm, fotografi apo video te tjetra. Vështirë se mund t’u kërkojmë fëmijëve një disiplinë ndaj ekraneve që vetë nuk e praktikojmë. Teknologjia nuk është armiku dhe mund të jetë një mjet i jashtëzakonshëm për të mësuar, por vetëm kur ne e përdorim atë dhe nuk lejojmë që ajo të na përdorë ne.

Do të ishte e padrejtë që këto shifra të shërbenin si aktakuzë ndaj vetë të rinjve. Ata nuk e kanë krijuar sistemin arsimor në të cilin kalojnë vite duke riprodhuar përkufizime, ndërsa rrallë nxiten të parashtrojnë pyetje dhe të argumentojnë. Nuk i kanë vendosur bastoret pranë shkollave dhe nuk i kanë krijuar reklamat që premtojnë pasuri pa punë. Nuk e kanë ndërtuar kulturën në të cilën alkooli dhe substancat narkotike tolerohen si pjesë pothuajse e natyrshme e çdo feste. Nuk i kanë krijuar as platformat digjitale, modeli i biznesit i të cilave mbështetet në mbajtjen e vëmendjes së tyre sa më gjatë para ekranit.

Prandaj, sa herë që themi se të rinjtë nuk lexojnë, duhet të pyesim çfarë u kemi ofruar për të lexuar dhe si ua kemi mësuar leximin. Kur ankohemi se nuk janë të përqendruar, duhet të mendojmë për mjedisin në të cilin kërkojmë prej tyre të përqendrohen. Kur i kritikojmë për cigaret, alkoolin apo bastet, duhet të shohim sa seriozisht e kufizojmë qasjen në to dhe reklamimin e tyre. Kur flasim për përgjegjësinë e familjes, duhet të kujtojmë se shumë familje janë të lodhura, të varfra, të ndara nga emigrimi ose thjesht të pambështetura.

Përmirësimi i rezultateve të PISA-s nuk mund të arrihet vetëm me ndryshimin e teksteve shkollore apo me shtimin e një programi të ri. Nevojiten mësues të mbështetur dhe të trajnuar, biblioteka funksionale, më shumë lexim e diskutim dhe më pak mësim mekanik. Nxënësit duhet të mësojnë jo vetëm ta gjejnë përgjigjen e saktë, por edhe të kuptojnë përse është e saktë, si ndërtohet një argument dhe si dallohet një burim i besueshëm nga një manipulim.

Por krahas reformimit të arsimit, nevojitet edhe një politikë më serioze ndaj mirëqenies së të rinjve: parandalim i hershëm i varësive, edukim shëndetësor dhe seksual, kufizim real i qasjes së të miturve në lojërat e fatit, mbështetje psikologjike në shkolla dhe edukim për përdorim të mençur të teknologjisë. Këto nuk janë çështje dytësore. Janë pjesë e së njëjtës detyrë për të përgatitur njerëz të aftë që të kujdesen për veten dhe të marrin vendime të lira e të informuara.

Në fillim të çdo viti shkollor përsërisim se të rinjtë janë e ardhmja e vendit. Por e ardhmja nuk ndërtohet duke ua lënë të rinjve barrën për ta korrigjuar atë që ne nuk kemi ditur ta rregullojmë. Rezultatet e PISA-s dhe treguesit e tjerë nuk na tregojnë vetëm çfarë nuk dinë ose çfarë bëjnë të rinjtë. Ato, para së gjithash, tregojnë çfarë nuk kemi bërë ne për ta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Besa ArifiKolumnat e Portalbit