Ali Sinani: Çifte Hamami ka nevojë për më shumë autonomi profesionale

"Galeria nuk duhet të komunikojë vetëm me artistë dhe profesionistë të artit, ajo duhet të krijojë ndjenjën se i përket edhe qytetarit të zakonshëm."

Çifte Hamami ndonëse një nga hapsirat më të rëndësishme kulturore në vend, vazhdon përballet me një sërë problemesh të natyrave të ndryshme, për të cilat Portalb.mk bisedoi me drejtorin e institucionit, Ali Sinanin i cili propozoi më shumë autonomi profesionale për këtë institucion.

Portalb.mk: Programi i Çifte Hamamit shpesh përballet me pyetjen nëse po sjell mjaftueshëm risi. Si përcaktohet programi artistik dhe sa hapësirë ka realisht për artistë të rinj, forma eksperimentale dhe tema që lidhen me zhvillimet bashkëkohore në art?

Ali Sinani: Galeria Nacionale e Maqedonisë, Objekti Çifte Hamam, në këtë institucion programi synon të jetë një hapësirë e hapur ndaj risive, dialogut dhe zhvillimeve bashkëkohore në art. Përzgjedhja e programit artistik nuk bazohet vetëm në emrat e konsoliduar por në cilësinë, relevancën dhe potencialin që një projekt artistik ka për të komunikuar me publikun dhe për të hapur diskutime të reja.

Në këtë drejtim, një rëndësi e veçantë i kushtohet balancës ndërmjet artistëve me përvojë dhe brezit të ri.

Artistët e rinj, duhet të kenë mundësi reale për t’u prezantuar në një institucion kombëtar, ndërsa format eksperimentale dhe qasjet e reja artistike duhet të gjejnë hapësirën e tyre, sidomos kur ato trajtojnë çështje që lidhet me realitetin dhe zhvillimet e shoqërisë bashkëkohore.

Programi duhet të pasqyrojë materiale nga skenat artistike: nga piktura, skulptura, dhe instalacioni, deri te fotografia, videoarti, arti konceptual dhe format ndërdisiplinore.

Njëkohësisht, temat që lidhen me ndryshimet sociale, teknologjinë, identitetin, mjedisin, migrimin, konfliktet dhe sfidat e kohës sonë janë pjesë e rëndësishme e dialogut që një institucion kulturor duhet ta zhvillojë me publikun.

Përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm në numrin e ekspozitave të reja, por në cilësinë e ideve, në diversitetin e artistëve dhe në aftësinë e programit, për të krijuar hapësirë për mendimin kritik dhe eksperimentimin.

Qëllimi ynë është që Çifte Hamami ose objektet tjera të Galerisë Nacionale të mos jenë vetëm një hapësirë ku ekspozohet vepra, por një platformë ku arti bashkëkohor zhvillohet, debatohet dhe takohet me publikun.

Për këtë arsye, hapësira për artistët e rinj, projektet eksperimentale dhe bashkëpunimet ndërinstitucionale do të mbeten një nga drejtimet e rëndësishme të programit tonë.

Ne nuk duam një program të mbyllur vetëm për emra të njohur, përkundrazi një nga përgjegjësitë tona është që t’u krijojmë hapësirë edhe artistëve të rinj dhe ideve të reja.

Risia për ne nuk është vetëm të prezantosh një emër të ri, por të sjellësh një mënyrë të re të të menduarit.

Nevojitet një dialog mes gjeneratave, ku përvoja e artistëve të konsoliduar dhe energjia, guximi dhe eksperimentimi i brezit të ri, mund ta bëjë programin shumë më të pasur.

Prandaj, nëse pyetja është nëse ka hapësirë për më shumë risi, përgjigjja ime është: po, gjithmonë ka hapësirë për më shumë risi. Dhe kjo është pikërisht sfida që duhet pranojë një institucion kombëtar.

Ambicia ime është që Çifte Hamami të mos jetë vetëm një vend ku ekspozohen vepra, por një platformë aktive për artin bashkëkohorë ku artistët e rinj mund të provojnë, të eksperimentojnë dhe ta sfidojnë publikun, ndërsa artistët e afirmuar të vazhdojnë të jenë pjesë e dialogut profesional.

Portalb.mk: A mendoni se Çifte Hamami arrin të komunikojë përtej rrethit të artistëve dhe njerëzve të kulturës? Nëse publiku i gjerë ende nuk e sheh galerinë si një hapësirë të vetën, ku qëndron problemi dhe çfarë duhet të ndryshojë?

Ali Sinani: Mendoj se kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme që duhet t’ia bëjë vetes një drejtor i një institucioni kulturor.

Galeria nuk duhet të komunikojë vetëm me artistë dhe profesionistë të artit, ajo duhet të krijojë ndjenjën se i përket edhe qytetarit të zakonshëm.

Nëse publiku i gjerë ende nuk e sheh Çifte Hamamin si një hapësirë tyre, problemi nuk është domosdoshmërish te publiku, por shpesh problemi qëndron te mënyra se si institucioni komunikon me të.

Ekspozitat duhet të shoqërohen me bisedat, debate, punëtori për fëmijë dhe të rinj, aktivitete që e bëjnë vizitorin pjesëmarrës nga “ejani ta shihni ekspozitën”, te “ejani të përjetoni diçka”.

Të flitet me një gjuhë më të kuptueshme, të krijohet publiku i nesërmes, të dëgjohet publiku, dhe një gjë shumë e rëndësishme ku si drejtor do ta shihja suksesin e Çifte Hamamit jo vetëm nga numri i ekspozitave apo emrat e artistëve, por edhe nga pyetja: a po bëhet Çifte Hamami një vend ku qytetari hyn edhe kur nuk është profesionit i artit?

Në këtë kuptim, Çifte Hamami duhet ta ruajë autoritetin e një institucioni nacional dhe jo të udhëhiqet nga njerëz të dirigjuar, joprofesionistë, siç është duke ndodhur në ditët e sotme.

Çifte Hamami duhet të ketë vizion, të jetë jo vetëm një hapësirë ku ekspozohen vepra arti, por një vend i hapur për qytetarët, artistin, të rinjtë, familjet, komunitetin dhe vizitorët ndërkombëtarë.

Qëllimi është që publiku të mos ndihet si mysafirë në Galeri, por të krijojë ndjenjën: “Kjo hapësirë është edhe imja”. Prandaj unë si drejtor bazohem në një parim të qartë:

“Nuk presim që publiku të vijë te ne, ne mundohemi të ndërtojmë urë që publiku të vijë te ne, ku si objektiv përfundimtar Çifte Hamami nuk duhet të jetë vetëm një ndërtesë ku ekspozohet arti. Duhet të bëhet një nga vendet ku qytetari takohet me artin, kulturën, idetë dhe njëri-tjetrin.

Portalb.mk: Cilat janë kufizimet që po e pengojnë Çifte Hamamin të ketë një program më ambicioz? A është problemi kryesisht financiar, institucional, infrastruktural, mungesa e publikut apo edhe mënyra se si menaxhohet dhe konceptohet programi?

Ali Sinani: Nëse e shohim Çifte Hamamin jo vetëm si një hapësirë ekspozuese, por si një institucion nacional që duhet të prodhojë ide, debat dhe audiencë, ajo nuk kufizohet vetëm në çështjet financiare.

Problemi është më shumë një kombinim faktorësh ku mënyra e konceptimit dhe menaxhimit të programit ka peshë të veçantë.

Financimi është pengesë reale, por jo e vetmja.

Buxheti përcaktohet sa ekspozita mund të realizohen, cilësinë e prodhimit, katalogët, transportin, honorarët e artistëve dhe promovimin.

Një institucion publik, shpesh ka procedura administrative, partneritet, sponsorime dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Kjo arsye mund ta bëjë programin më pak fleksibil dhe më të ngadalshëm sesa që kërkon skena bashkëkohore artit.

Çifte Hamami ka nevojë për më shumë autonomi profesionale në kurimin dhe planifikimin shumëvjeçar.

Vetë hapësira e Çifte Hamamit është njëkohësisht avantazh dhe kufizim ku kërkon zgjidhje më kreative: ekspozita multimediale, instalacione të mëdha, video dhe sound art, ndriçimi, konservimi, siguria, qasja për persona me aftësi të kufizuara, pra infrastruktura nuk duhet të shihet vetëm si problem, por si identitet kuratorial i Galerisë.

Lind pyetja: çfarë po bëjmë që një i ri, një familje, një student apo një qytetar që nuk është pjesë e botës së artit të ndiejë se Çifte Hamami është edhe hapësirë e tij?

Për një Galeri Nacionale, synimi duhet të jetë edhe rajonal edhe ndërkombëtar, jo vetëm duke ftuar artistë, por duke krijuar bashkëprodhime, rezidenca, shkëmbime kuratoriale dhe ekspozita që udhëtojnë.

Çifte Hamami nuk ka nevojë vetëm për më shumë mjete financiare, ka nevojë për një model ambicioz institucional.

Financimi bëhet shumë më i lehtë për t’u argumentuar kur ekziston një vizion i qartë: Çfarë institucioni duam të jemi, cilin publik duam ta krijojmë dhe çfarë pozicioni duam të kemi në rajon.

Foto nga arkivi personal i Ali Sinanit

Portalb.mk: Sa e hapur është Çifte Hamami ndaj emrave të rinj? A mjafton talenti dhe cilësia e punës për një artist të ri që të hyjë në program, apo në praktikë reputacioni, kontaktet dhe emri i krijuar vazhdojnë të jenë vendimtare?

Ali Sinani: Nëse analizojmë Çifte Hamamin si një institucion të artit bashkëkohor, përgjigjja më e saktë është se talenti dhe cilësia janë të domosdoshme, por jo gjithmonë të mjaftueshëm.

Për një artist të ri, hyrja në program varet edhe nga mënyra se si funksionojnë përzgjedhja, kuratorët, rrjeti profesional dhe hapësira që institucioni u krijon emrave të rinj.

Nëse programi ndërtohet kryesisht mbi emrat që tashmë kanë reputacion, ekspozita ndërkombëtare dhe rrjeti profesional, atëherë artisti i ri hyn në një konkurrencë të pabarabartë.

Jo domosdoshmërish sepse mungon cilësia, por sepse nuk ka pasur mundësi ta ndërtojë CV-në që e kërkon institucioni.

Për këtë arsye, do të rekomandoja që programi i Çifte Hamamit të ketë dy shtylla:

  1. Emra të konsoliduar: artistë me karrierë, reputacion dhe përvojë ndërkombëtare
  2. Platformë për gjeneratën e re

Një përqindje e përcaktuar e programit të rezervohet për artistët e rinj, të përzgjedhur përmes një procedure të qartë kuratoriale.

Për këtë kategori, kriteri kryesor duhet të jetë cilësia e projektit dhe potenciali artistik, jo numri i ekspozitave të mëparshme.

Këtu qëndron një çështje shumë e rëndësishme, nëse Çifte Hamami dëshiron të jetë realisht një hapësirë nacionale e artit bashkëkohor, nuk duhet të jetë vetëm vendi ku duhet të ekspozohen artistët që tashmë janë të njohur, duhet të jetë edhe vendi ku artistët bëhen të njohur.

Kjo do ta transformonte rolin e institucionit nga një hapësirë që e pasqyron reputacionin ekzistues në një institucion që e ndërton karrierën e së ardhmes.

Në këtë kuptim, një program i mirë nuk duhet të zgjedhë mes “emrave të mëdhenj” dhe “emrave të rinj”.

Duhet të krijojë një ekuilibër ku reputacioni respektohet, por talenti i ri nuk mbetet peng i mungesës së reputacionit.

Portalb.mk: Çifte Hamami ka bashkëpunime me institucione dhe artistë jashtë vendit, por sa përtej shkëmbimeve formale shkojnë ato? A po sjellin këto bashkëpunime vërtet standarde të reja, artistë të rëndësishëm dhe publik të ri, apo ende mbeten kryesisht në nivel simbolik?

Ali Sinani: Nëse e shohim në mënyrë kritike, Çifte Hamami ka një histori reale të bashkëpunimeve ndërkombëtare, dhe nuk do të ishte e drejta të thuhej se ato janë vetëm formale.

Ka pasur ekspozita me artistë të huaj, projekte me ambasada, institucione ndërkombëtare, dhe evenimente që ka sjellë një numër të konsiderueshëm artistësh nga jashtë.

Kur pyetja më e rëndësishme është Çfarë mbetet pas ekspozitës?.

Një bashkëpunim ndërkombëtar bëhet vërtet strategjik kur nuk përfundon me “Erdhi artisti, u hap ekspozita, u bë katalogu dhe mbaroi”. Ai duhet të krijojë bashkëpunime me institucione të huaja, shkëmbime të rregullta të artistëve dhe kuratorëve, rezidenca për artistë të rinj, mundësi që artisët tanë të ekspozojnë jashtë vendit, jo vetëm që artistët e huaj të vijnë në Shkup.

Program edukativ dhe debate që sjellin publik të ri. Prandaj nëse pyetja është Nëse sot bashkëpunimet ndërkombëtare po e ndryshojnë realisht profilin e Çifte Hamamit, unë si drejtor i këtij institucioni do të thoja se ka hapa të rëndësishëm, por ke ende shumë hapësirë për ta avancuar këtë institucion në një nivel më të lartë.

Sa artistë të rëndësishëm ndërkombëtare kemi sjellë? Sa artistë të rinj vendas kemi nxjerrë jashtë? Sa bashkëprodhime janë krijuar? Sa kuratorë ndërkombëtarë kanë punuar me institucionin dhe Sa publik i ri kemi fituar?

Në këtë kuptim Çifte Hamami mund të kalojë nga një hapësirë që pret projekte ndërkombëtare, në një institucion që i krijon dhe i bashkëdrejton ato. Dhe kjo do të ishte, sipas meje, sfida më e madhe për programin e ardhshëm: Jo më shumë bashkëpunime për numër, por bashkëpunime më të thella, më selektive dhe me ndikim afatgjat.

Foto nga ekspozita “Inspirim” e artisteve Bardha Buzës, Merita Myderrizi-Malokut dhe Vjosa Bujari-Maliqit. Foto: Laura Laçi. Portalb.mk

Portalb.mk: Çfarë duhet të ndryshojë në Çifte Hamam në vitet e ardhshme që të mos jetë vetëm një hapësirë ku ekspozohen vepra, por një institucion që ndikon realisht në skenën artistike? Cilat janë projektet konkrete që mund ta shtyjnë galerinë në këtë drejtim?

Ali Sinani: Mendimi im për Çifte Hamamin është se duhet të kalojë nga modeli “Hapësirë ekspozimi” në modelin “Platformë artistike”.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse vetëm historia e Çifte Hamamit e ka përcaktuar atë si hapësirë për ekspozita, projekte dhe arritje më të reja të artistëve vendas dhe ndërkombëtarë.

Programi aktual tregon se aty tashmë zhvillohen ekspozita të rëndësishme, përfshirë projekte retrospektive, ndërdisiplinore, dhe prezantime të artistëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe më gjerë.

Por hapi tjetër duhet të jetë prodhimi i artit, zhvillimi i artistëve, kërkimi, edukimi dhe lidhja ndërkombëtare.

Nëse do ta drejtoja strategjinë për Çifte Hamam, do ta përmblidhja me një fjalë “Nga hapësira ku ekspozohet arti, në institucion ku prodhohet, zhvillohet, diskutohet dhe ndërkombëtarizohet arti.

Nëse e shohim nga këndvështrimi im si një artist profesionist dhe drejtues i një institucioni nacional i artit nuk ia vlen të bëhesh vegël partiake e askujt. Drejtori i Galerisë Nacionale duhet t’i shërbejë artit, institucionit, artistëve dhe publikut, dhe jo interesave të një partie apo individi.

Mandatet politike ndryshojnë, ndërsa reputacioni profesional dhe integriteti im ndërtohet për vite, dhe mund të dëmtohet shumë shpejt.

Si artist profesionist pas një përvojë të gjatë në Evropë, konkretisht në Zvicër, jam kthyer me bindjen dhe dëshirën për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi mes artistëve të Maqedonisë së Veriut dhe skenës artistike perëndimore. E shoh rolin tim jo si një pozicion politik por si një përgjegjësi profesionale, kulturore dhe njerëzore.

Arti duhet të jetë i lirë nga ndikimet partiake dhe interesat e ngushta, sepse vetëm kështu mund t’i shërbejë denjësisht publikut, artistëve dhe kulturës.

Respektin dhe reputacionin tim profesional i kam ndërtuar ndër vite, dhe nuk kam ardhur këtu për t’i vendosur në shërbim të individëve, apo strukturave partiake.

Nuk do ta lejoj që paaftësia, presioni apo interesat e njerëzve të caktuar ta dëmtojnë atë që kam ndërtuar me punë, përkushtim dhe integritet.

Unë besoj në bashkëpunimin, profesionalizëm dhe meritë.

Dera ime është e hapur për çdo artist që dëshiron të krijojë, të bashkëpunojë dhe të prezantojë vlerat e tij pa dallime politike.

Kjo është arsyeja pse jam këtu: Jo për të qenë vegël e askujt, por për të qenë një urë lidhëse mes artistëve, institucioneve dhe kulturave.

Sa parimore dhe e dobishme do të ishte këtu në Maqedoni që secili t’i qasej fushës së vet.

Sikur çdo njeri të fokusohej në profesionin e tij, shoqëria do të funksiononte mbi bazën e ndihmës dhe bashkëpunimit.

Sot ndodh e kundërta: njerëzit jokompetent të pasuksesshëm në fushën e tyre, përpiqen të ndërhyjnë dhe të bëhen ekspertë në profilet e tjerëve.

Dhe kur një profesionist zgjedh të mos heshtë sistemi gjen mënyrën për ta lodhur, për ta izoluar dhe për ta dëbuar.

Kur i padituri vendos rregulla dhe dikton moralin, vlerat shoqërore fillojnë të shemben. Një shoqëri që e lejon këtë, rrezikon të humbasë zërin, arsyen dhe vetëekzistencën e saj.

IntervistëKultura shqiptareKulturë lajme