Ishulli i vetmisë

Kur fillon të merresh me krijimtari artistike, ke dëshirë të shfaqesh sa më shumë në publik dhe ëndërron ngjitjen në kulmin e lavdisë.

Sa më shumë kalojnë vitet, i lodhur nga përballja me forcat demoniake të krijimit, dëshiron të punosh në heshtje, i patrazuar nga zhurma e botës.

Krijon vetëm për ta shkarkuar energjinë e mbledhur në thellësi të shpirtit, me shpresën, siç thoshte Alen Boske, se vetëdija do të të puqet diku me ndonjë vetëdije tjetër.

Ka shkrimtarë që, pasi shijuan lavdinë e ëndërruar, ikën nga kimera e aktualitetit dhe u strehuan në ishullin e vetmisë, sepse s’mund ta duronin vëmendjen e publikut dhe zhurmën që lidhej me emrat e tyre.

Pati edhe krijues që u larguan përgjithmonë nga letërsia, si Arthur Rimbaud-i. Ai në moshë të re e braktisi botën letrare dhe u vendos në Afrikë, ku punoi si tregtar.

Thomas Pynchon-i, që ngulmon në ruajtjen e privatësisë së tij, beson se duhet të flasë vepra dhe jo autori i saj.

Ndryshe nga vendet e mëdha, ku mund ta ruash privatësinë, në vendet e vogla, ku njerëzit njihen mes vete, kjo është pothuajse e pamundur.

Aty shkrimtarit shpesh i kërkohet më shumë se ç’mund të japë. Nga ai kërkohet të jetë sociolog, historian, mendimtar, kronist, të flasë me gjuhë të zakonshme dhe jo me gjuhën e ëndrrës. Pra, të jetë protagonisti që lodh ekranet duke folur për buçimat e politikës së ditës.

Shkrimtari nuk ka këso detyrimesh, edhe pse mund të angazhohet në këtë drejtim.

Detyrimi i tij kryesor është të shkruajë mirë, edhe nëse shkrimet e tij nuk flasin për përditshmërinë.

Shkrimtari duhet t’u flasë edhe atyre që ende s’kanë lindur.

Nëse është shkrimtar i mirë, herët ose vonë, ai do të rikthehet në vëmendjen e njerëzimit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu