Pendarovski: E papranueshme që qytetarët të dënohen për patentë shoferat, urgjentisht të bëhen ndryshime ligjore

Është e papranueshme që qytetarët e Maqedonisë, të cilët tashmë janë të ekspozuar ndaj ndryshimit të dokumenteve me shpenzimet e tyre, të vihen në gjendje paniku dhe frikë se do të sanksionohen për pjesëmarrjen e tyre në komunikacion, reagoi presidenti i vendit Stevo Pendarovski. Në rrjetin e tij social në Facebook ai shtoi se po i ndjek reagimet e qytetarëve të shqetësuar që e kontaktuan personalisht dhe sip shton e kupton shqetësimin dhe zemërimin e tyre, raporton Portalb.mk.

“Kërkoj nga partitë politike parlamentare që të miratojnë menjëherë ndryshimet në Ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor dhe normat përkatëse në ligjet e tjera që rregullojnë këtë fushë në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve që të vlejnë patentë shoferët dhe librezat e shoferit të të gjithë drejtuesve që marrin pjesë në komunikacion në territorin e shtetit, ndërsa periudha e vlefshmërisë së të cilëve nuk ka skaduar që nga lëshimi i tyre. Siç e thashë edhe disa javë më parë, nëse ka vullnet politik, zgjidhjet ligjore mund të miratohen në një kohë shumë të shkurtër”, shkruan Pendarovski.

Ai thekson se askush nuk mund të dënohet për patentë shofer dhe librezën e shoferit të pandryshuar pa fajin e qytetarëve dhe që nuk ka skaduar për sa i përket afatit të vlefshmërisë të konsideruar nga momenti i lëshimit, veçanërisht për pjesëmarrje në trafik brenda territorit të vendit tonë.

“U bëj thirrje institucioneve kompetente që sa më shpejt dhe saktë të informojnë qytetarët për të gjitha hapat që po ndërmerren për tejkalimin e kësaj situate të papranueshme. Në të njëjtën kohë, si president i vendit, dua të përsëris angazhimin tonë për zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore ndërkombëtare që kemi marrë përsipër, të cilat rrjedhin nga të ashtuquajtura “Marrëveshja e Prespës”, shkroi Pendarovski.

Sot, 12 shkurt, skadon periudha tranzitore e Marrëveshjes së Prespës.

Të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të kenë ndryshuar dokumentet personale deri më sot. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.

Dokumente personaleMarrëveshja e Prespës (me Greqinë)Stevo Pendarovski