Përfaqësuesit e studentëve sot do të takohen me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Në fokus të bisedimeve do të jetë kërkesa për rritjen e shumës së subvencionit për ushqimin studentor. Këtë e konfirmoi sot ministrja Janevska, e cila shprehu bindjen se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për kërkesat e studentëve lidhur me këtë çështje, transmeton Portalb.mk.
Takimi vjen pas kërkesave të vazhdueshme të organizatave studentore për rritjen e subvencionit për ushqimin studentor.
“Kam pasur një takim me studentët, me përfaqësues të parlamenteve studentore të disa universiteteve, ku kemi biseduar për ushqimin studentor. Jam absolutisht e sigurt se do të gjejmë një zgjidhje, por vërej një mospërputhje të vogël në vazhdimësinë e udhëheqjes së parlamenteve studentore. Mendoj se nuk ishin plotësisht të informuar për marrëveshjet që kemi pasur më herët me studentët dhe se nuk kemi pasur asnjë problem në zgjidhjen e çështjeve që lidhen me standardin studentor dhe të gjitha nevojat e tyre. Prandaj, mendoj se jemi afër gjetjes së një zgjidhjeje”, deklaroi ministrja Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Janevska thotë se me udhëheqësinë e mëparshme të organizatave studentore kishin arritur marrëveshje për zgjerimin e numrit të përfituesve, në vend të rritjes së shumës së subvencionit. Sipas saj, kjo marrëveshje është realizuar, por udhëheqësia e re tani ka kërkesa shtesë. Si një nga zgjidhjet e mundshme, Janevska përmendi sistemin e vauçerëve, i cili ishte propozuar edhe nga udhëheqësia e mëparshme studentore.
Sipas ministres, përmes vauçerëve studentët do të mund t’i shfrytëzojnë mjetet në shitore ushqimore, furra buke dhe restorante, pra për qëllimin e tyre të vërtetë, në vend që t’i përdorin për cigare, alkool dhe nevoja të tjera.
“Gjithashtu, dëshiroj të them se kemi subvencionim të dyfishtë të ushqimit, sepse studentët që janë të vendosur në konvikte tashmë e kanë ushqimin. Megjithatë, kjo është në rregull. Ne dëshirojmë t’i përmbushim nevojat e të rinjve tanë, të cilët në të ardhmen do ta udhëheqin këtë shtet, dhe do të vazhdojmë të negociojmë me ta. Do të shohim se në çfarë zgjidhjeje do të arrijmë dhe, sapo të kemi një zgjidhje, do të informoheni”, deklaroi Janevska.
Rritjen e shumës së subvencionit për ushqimin studentor nga 140 në 200 denarë do ta kërkojë edhe opozita, përmes Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), me amendamente për ribalancin e dytë të propozuar të Buxhetit.
Nga platforma studentore “Studentarija” thanë se gjatë analizimit të raportimeve nga studentët mbi problemet me të cilat përballen kanë identifikuar gjashtë fusha ku problemet janë më të dukshme, ndërsa ndër çështjet më të shpeshta të raportuara është subvencioni për ushqimin e studentëve. Edhe pse shuma e këtij subvencioni është 140 denarë në ditë, ajo nuk është rritur asnjëherë që nga viti 2023, pavarësisht detyrimit ligjor për harmonizimin e saj me inflacionin, thonë nga platforma.