Derisa Gjykata Penale në Shkup hesht ndaj akuzave për keqpërdorimet financiare gjatë ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, sot ministri i Kulturës u zotua se këtë vit do të punohet intensivisht për këtë objekt, punimet për të cilin zvarriten me vite, shkruan Portalb.mk.
Gjykata Penale e Shkupit nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske të Portalb.mk për keqpërdorimet financiare rreth ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë.
Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).
Nga ana tjetër, sot ministri i Kulturës Zoran Lutkov gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë për këtë vit tha se punimet do të intensifikohen për objektin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë.
“Këtë vit do të vazhdojmë intensivisht të punojmë me ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë”, tha Lutkov.
Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.
Ndërkaq në 2023 Biblioteka u zhvendos në hapësira të tjera brenda Pallatit, që shkaktoi përplasje midis Bibliotekës dhe Ministrisë së Kulturës.
Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.
Kujtojmë që në nëntor 2024 Ministria e Kulturës paralajmëroi se objekti i Teatrit të Tetovës do të përfundojë deri në fund të vitit 2025, më herët nga viti 2027 që kishte paralajmëruar ish ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska.
Objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë në afatin e dhënë sepse vazhdimisht afatet kanë ndryshuar dhe punimet janë zvarritur.
Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 15 vite pas premtimit të dhënë.
Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bibliotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.
Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.