Lufta kundër pastrimit të parave ka qenë një sfidë shumë e vështirë vitet e fundit.
Në epokën digjitale, është bërë edhe më e vështirë të kapen autorët.
Ndërsa gjurmimi i rrjedhave financiare mund të bëhet ende më i ndërlikuar, rajonet si Ballkani, Evropa Perëndimore, Amerika Latine etj., kanë qenë zona ku pastrimi i parave është kryer me lehtësi.
Ka pasur raste kur autoritetet nuk kanë arritur t’i kapin personat e përfshirë në pastrimin e parave.
Tani, BE-ja ka krijuar një autoritet qendror për të funksionuar më mirë, dhe për të vepruar në kohë.
Në BE aty ku po bën përpjekje të anëtarësohet Maqedonia e Veriut, dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, është themeluar një autoritet që merret me këto probleme.
Institucioni quhet Autoriteti për Luftimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (AMLA).
AMLA është një agjenci e decentralizuar e BE-së, e cila sipas ligjit bën koordinimin e agjencive të tjera kombëtare që kanë për qëllim zbatimin e ligjit dhe të rregullave.
AMLA ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin në shtetet e BE-së dhe jashtë duke u koordinuar me agjencitë e shteteve që nuk janë pjesë e BE-së, por janë vende kandidate.
“Hapat përqendrohen në forcimin e mbikëqyrjes dhe bashkëpunimit midis Njësive të Inteligjencës Financiare (FIU) për të krijuar një kuadër më efektiv kundër korrupsionit”- thuhet në Kornizën e punës së AMLA-s.
“Programi i Punës i AMLA-s për vitin 2025 synonte të krijonte një kuadër të unifikuar kundër pastrimit të parave në të gjithë Evropën.”
Për të qenë e suksesshme, autoriteti ka shtrirë bashkëpunimin me organizatat tjera partnere që luftojnë pastrimin e parave digjitale, duke shkëmbyer informata nëpërmes njësive të inteligjencës financiare të shteteve mike dhe atyre që janë në bashkëpunim me AMLA-në.
Agjencia e lartëpërmendur si autoritet ka një varg mënyrash për të identifikuar autorët e krimit dhe aktivitetet e dyshimta në drejtim të pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.
Këto metoda përfshijnë analiza të përbashkëta me shtetet mike, adresimi i aksioneve, flukse të paligjshme financiare etj., etj.
Duhet thënë se AMLA-ja në këtë kohë përfaqëson një paradigmë të vërtetë dhe të mirë për shtetet kandidate nga Ballkani Perëndimor.
Rregullorja e re e autoritetit, tashmë është bërë një detyrim për qeveritë e rajonit drejt plotësimit të kërkesave të BE-së.
Bashkëpunimi midis AMLA-s dhe shteteve të Ballkanit, kryesisht ka të bëjë me përshtatjen e ligjeve dhe të rregullave si pjesë e procesit drejt anëtarësimit në BE, konkretisht Kapitujt 23 dhe 24.
Ashtu si në tërë BE-në edhe në rajonin tonë konkretisht në Maqedoninë e Veriut autoritetet i kanë shtrënguar rregulat jo vetëm për sigurinë e banknotave, por sidmos e kanë zgjeruar vëzhgimin në kripto asetet, transaksionet me shuma të larta, atyre të pasurive të patundshme, të të dhënave të pronësisë etj.
Në këtë luftë të gjatë, një ndihmë e madhe ka ardhur nga BE-ja nëpërmes një programi të quajtur “Instrumenti Horizontal” i BE-së i cili ka ofruar ndihmë për rajonin tonë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve, dhe të njësive të inteligjencës financiare.
Maqedonia e Veriut e mbështetur nga ekspertë të jashtëm e ka finalizuar “Strategjinë dhe planin e veprimit kombëtar kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.”
Ky plan sipas njoftimeve përputh protokollet e monitorimit financiar të Maqedonisë së Veriut me pritjet e përcaktuara nga AMLA dhe nga mbikëqyrësit globalë si Task Forca e Veprimit Financiar (FATF).
Ndërkaq Zyra e Inteligjencës Financiare (FIO) dhe Policia Financiare e Maqedonisë së Veriut kanë bërë në kohë ngrirje shumëmilionëshe eurosh që burimin e kanë nga korrupsioni dhe format tjera.
Ashtu si në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, korrupsioni në gjykata dhe organet gjyqësore e ka bërë të pamundshme përfundimin e duhur të çështjeve.
Shtetet e Ballkanit duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave, me një fokus të veçantë në përmbushjen e kërkesave të BE-së.
Në pikat kufitare dhe aeroportet në të gjithë Ballkanin, shuma të konsiderueshme parash janë sekuestruar nga individë dhe organizata, duke përfshirë ata të kërkuar nga forcat e rendit dhe të tjerë që përpiqen të shmangin rregulloret duke mos deklaruar fondet siç kërkohet me ligj.
Ndërsa bota bëhet gjithnjë e më e digjitalizuar me inteligjencën artificiale që luan një rol kyç, aktivitetet ka të ngjarë të përqendrohen në një fushëveprim më të gjerë të pastrimit të parave dhe krimit financiar.
Në këtë fushë, inteligjenca artificiale dhe elementi njerëzor do të angazhohen në beteja të shumta për të parandaluar pastrimin e parave, transferet e paligjshme financiare dhe aktivitetet e lidhura me to.
Për sa i përket AMLA-s selia e saj ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë. Presidentja e AMLA-s është Bruna Szego, një detyrë që ajo e mori në janar të vitit 2025.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.