Kush beson se është më i zgjuar dhe më mendjehapur sesa të tjerët, vetëm pse e përdor inteligjencën artificiale, ka probleme me inteligjencën njerëzore.
Nëse një ditë bota do të mbetej pa rrymë elektrike, ata që mbështeten vetëm tek inteligjenca artificiale do të riktheheshin sakaq në gjendjen e mëparshme.
Për sa kohë ka rrymë elektrike, ka rrezik të shtohen intelektualët pa intelekt që duan të shfaqen në skenë me mendime të huaja.
Thuhet se inteligjenca artificiale na kursen kohën, por jo çdo punë kërkon shpejtësi. Shkrimtari dhe artisti nuk nguten…
Sado që të zhvillohet inteligjenca artificiale, ajo s’mund të krijojë kryevepra letrare, si të Shekspirit apo të Servantesit, sepse s’ka ndjenja, s’ka empati dhe as shtysë për të thënë diçka të pashprehur më parë. Ajo vetëm përpunon tekste që i ka krijuar njeriu. Ndërkaq, në veprat letrare ka edhe diçka që shkon përtej njerëzores.
S’mund ta paramendoj një shfaqje ku rolet e Hamletit dhe të Ofelisë do t’i luanin robotët. Edhe po të ndodhte, s’do të më ngjallte asnjë kënaqësi estetike. Siç thuhet, çdo rekuizitë është e vdekur nëse aktori s’u jep shpirt.
E njëjta ndodh edhe me artet e tjera. S’ka art aty ku nuk shihet ndërhyrja e njeriut, me gjithë virtytet e veset e tij.
Ne kemi nevojë për shpikjet teknologjike, por vetëm kur i përdorim si mjete. Nëse humbet përmasa njerëzore, nëse heqim dorë nga transhendenca, atëherë njerëzimi shkon drejt theqafjes.
Ernesto Sabato, në librin “Njerëzit dhe ingranazhet” (1951), paralajmëroi se njeriu po bëhej ingranazh i një përbindëshi teknologjik, ekonomik e shoqëror, që e hijëzonte përmasën njerëzore. Ai foli për “dehumanizimin e humanizmit” në “qytetërimin mekanik”, ku “njeriu-masë” ose “njeriu-send”, ndonëse ka “dukje njerëzore, me sy dhe lot, zë dhe emocione”, është vetëm “ingranazh i një makinerie gjigante anonime” dhe se ikja nga vlerat njerëzore, pra humbja e shpirtërores, është fillimi i krizës së një qytetërimi.
Disa “mendjehapur”, që pranojnë kauza të ndryshme pa gjykim kritik, sa nuk thonë se, tash e tutje, nuk kemi më nevojë për inteligjencën njerëzore. Pikërisht këta janë intelektualët pa intelekt, që duan të shfaqen në skenë me mendime të huaja. Janë po këta që i shpallin si të prapambetur të gjithë të tjerët që mbështesin metodat e provuara, të cilat e forcuan dijen.
Te dijet e thella nuk arrihet me thjeshtëzime e me ngutje, por me durim, përkushtim e disiplinë.
Përparimi teknologjik pa përmasën shpirtërore nuk e bën botën më të mirë. Bota, megjithatë, nuk është vetëm empirike, por edhe mistike.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.