Një mik imi më jep shpesh kurajo të shkruaj me emra konkretë politikanësh të pahajr, sa herë që trajtoj temën e dhimbshme shqiptare dhe statusin e degraduar kur i teket tjetrit dhe mashave tona peshq-pa-gojë; sa herë që them se, për shkak të këtij statusi, për shkak të qenies sonë të copëzuar, për mungesë të një truri që trason udhë serioze kah e ardhmja…, nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi edhe për një kohë të gjatë mundësi reale për të zgjidhur çështjet e mëdha, që do të na e bënin më të bukur të nesërmen.
Ndoshta kërkesa e mikut tim është e drejtë, sepse ai nuk është dokushdo, por, për sa kohë mendoj se e keqja jonë është dukuria, jo rasti, do të vazhdoj të shkruaj ashtu si ma thotë mendja, i bindur se brenda shkrimeve të mia kushtuar fenomeneve të dhimbshme, që rëndojnë mbi kurrizin e stërdurueshëm për të verifikuar sipas kuptimit të synuar popullor, janë dhe emrat e politikanëve të këqij, të atyre që paguhen për të na shpënë përtej llofkave të së shkuarës, jo për të na shndërruar në rajë kurkushësh. Pra: arsyeja përse sfidoj dukuritë, jo individët e caktuar me mandate politike, sigurisht nuk është punë frike, po lidhet me bindjen e paluhatshme se jemi këtu ku jemi shkaku i papjekurisë sonë dhe takatit të vogël në të gjitha dimensionet e mundshme.
Ka dhe një arsye tjetër përse nuk merrem me emra dhe kjo lidhet me shumësinë e atyre që sot merren me emra e që ndaj gërdive të jetës reagojnë me palcë kurrizore dhe vetëm atëherë kur nuk u shkojnë për interes rrjedhat e gjërave, kur pandehin se po dobësohen ata që janë të fuqishëm aktualisht, kur duan të pozicionohen në formacionet e atyre që kërkojnë pushtet, kur gjykojnë se erdhi momenti për të brohoritur, jo pas mendësisë së re, po pas prijësve të rinj, pa analizuar fare gjërat që mund të na detyrojnë të çajmë drunj me gunga shumë më gjatë se na e pret mendja.
Vini re si shkruanin dje dhe si shkruajnë sot disa prej atyre që e kanë profesion jete shpërfaqjen e të vërtetave të dhimbshme. Të kujtohet ndonjë që ka shkruar me të njëjtin guxim qytetar edhe për rastin e Brodecit edhe për rastin e pasqaruar me fund të Harun Aliut? Nuk ka të tillë, natyrisht. Ashtu siç nuk ka të tillë që merren me patundshmëritë marramendëse të shfrytëzuesve që aderojnë në të gjitha subjektet politike dhe në të gjitha kolonat e pesta që shiten si shpëtimtarë të etnisë. Kush shkruan për emra konkretë mercenarësh dhe minj brejtës të substancës sonë, që ashiqare janë vënë në lëvizje me paratë e armiqve tanë? A kompensohet kjo duke nunuritur opinionin vetëm me përmendje emrash të liderëve politikë, në një kohë kur nuk i kanoset kujt asnjë rrezik nga kjo gjë. Të merremi vesh: nuk them se emrat e politikanëve duhet kursyer kritikash, sepse ata merren me fatin tim, tëndin, tonin, sepse janë persona që gjenden në vitrinë për t’i gjykuar kushdo, ama, më shumë se për këtë lloj heroizmi, ne kemi nevojë për ta njohur mirëfilli iletin që na bën të ndjehemi një dajm rob, rajë e pakënaqur.
Pararendësit tanë janë përpjekur ta bëjnë këtë pa tretur kot energjitë. Ideatori i neoshqiptarizmës – Branko Merxhani, gati para një shekulli, shtroi pyetjen: “I kujt është vallë faji historik: i një kombi që mban nën zgjedhë një tjetër komb apo i kombit që rri nën zgjedhë të një kombi tjetër? Rasti i parë tregon një ngadhënjim, i dyti një servilitet. Është një çështje shumë e thellë historie dhe psikologjie kjo, dhe hëpërhë e lëmë me kaq. Ne, në qoftë se dëshirojmë të gjejmë, brenda në dekadencën tonë të tanishme, udhët e sigurta që do të na shpien në një të ardhme shpëtimi dhe përparimi, para çdo gjëje duhet të gjejmë a dimë shkaqet historike, shoqërore dhe psikologjike të kësaj dekadence”.
Branko Merxhani mendon se për ta bërë këtë popullit i duhen njerëz të mëdhenj, personalitete që nuk mbijnë nga toka, por që i krijon një fuqi njerëzore…, mobilizimi për pushtime morale, që nis me sistemin arsimor, shkrimtarët, poetët, mendimtarët…, të cilët e kuptojnë përpara të tjerëve se për të siguruar jetesën dhe lartësimin e popullit…, duhet më parë jeta të fitojë vlera kombëtare…
Unë e besoj këtë, dhe e ndiej se gjithçka tjetër na lë peng udhësh të vështira e të ndërlikuara dhe përsëritjesh që përsëriten përsëri.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.