Manjola Zaçellari: Fjalorët nuk dëshmojnë vetëm historinë e fjalëve, por edhe mënyrën se si një shoqëri e koncepton botën

A janë fjalorët vetëm për të shpjeguar kuptimin e fjalëve, apo përmes tyre mund të lexojmë edhe historinë politike të një shoqërie? Një këndvështrim mjaft interesant për këtë çështje ka sjellë profesoresha Manjola Zaçellari në Kongresin Botëror të EURALEX-it në Vjenë, ku ka prezantuar një studim që krahason Fjalorin e Gjuhës Shqipe të vitit 1980 me Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe të vitit 2026. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo shpjegon se si ideologjia komuniste kishte lënë gjurmë edhe në përkufizimin e fjalëve, duke sjellë shembuj që tregojnë se dikur fjalori jo vetëm shpjegonte, por edhe orientonte mënyrën se si duhej menduar. Zaçellari, e cila është edhe bashkautore e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, foli për ndryshimet që sjell kjo vepër, sfidat e hartimit të saj dhe të ardhmen e shqipes përballë inteligjencës artificiale.

Portalb.mk: Në Vjenë, në Kongresin Botëror të EURALEX-it, prezantuat një studim për dy fjalorë të shqipes, të hartuar në periudha kohore shumë të ndryshme. Çfarë ju shtyu ta bënit këtë krahasim dhe çfarë zbuluat gjatë punës?

Manjola Zaçellari: Nxitja për këtë studim lidhet me interesin tim të vazhdueshëm për të analizuar marrëdhënien ndërmjet gjuhës, ideologjisë dhe pushtetit. Kjo marrëdhënie përbën një fushë të rëndësishme dhe të konsoliduar studimi në gjuhësinë bashkëkohore, veçanërisht në analizën kritike të diskursit. Gjuha nuk shërben vetëm për të përshkruar realitetin, por merr pjesë edhe në ndërtimin e mënyrës se si ne e kuptojmë dhe e interpretojmë atë. Në fakt, punimi që prezantova në Kongresin Botëror të EURALEX-it, në Akademinë e Shkencave në Vjenë, nuk është një studim i izoluar, por pjesë e një vijimësie kërkimore, në kuadër të së cilës kam trajtuar, nga këndvështrime të ndryshme, marrëdhënien ndërmjet gjuhës, ideologjisë dhe pushtetit.

Ajo që e bën veçanërisht interesante këtë fushë kërkimi është fakti se ideologjia nuk shfaqet gjithmonë përmes deklaratave të drejtpërdrejta politike. Shpesh ajo është e pranishme që në përzgjedhjen e një fjale në vend të një tjetre, në mënyrën se si etiketohen njerëzit dhe ngjarjet, në vlerësimet që përfshihen në një përshkrim/përkufizim, por edhe në atë që lihet pa u thënë. Duke studiuar këto mekanizma, mund të kuptojmë më mirë se si gjuha ndikon në formësimin e bindjeve, në ndërtimin e kujtesës kolektive, por edhe në legjitimimin e pushtetit. Për një shoqëri si e jona, që ka përjetuar një regjim të egër totalitar, ky këndvështrim është veçanërisht domethënës.

Në kongresin e EURALEX-it në Vjenë vendosa ta shqyrtoj këtë marrëdhënie në një tjetër nivel, duke hyrë në brendësi të shpjegimit të kuptimeve. Një nga pyetjet që udhëheq studimin është: A është fjalori thjesht një instrument që regjistron dhe shpjegon kuptimet e fjalëve, apo është edhe një produkt i kohës dhe i kontekstit shoqëror, politik e ideologjik në të cilin hartohet? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, krahasova Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 me Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe të vitit 2026. Zgjedhja e këtyre dy veprave nuk ishte e rastësishme: ato i përkasin dy realiteteve historike dhe dy konteksteve të ndryshme të zhvillimit të leksikografisë shqiptare. Nga analiza rezultoi se ndryshimet nuk lidhen vetëm me pasurimin e leksikut apo me përditësimin e kuptimeve. Ato vërehen edhe në vetë mënyrën se si ndërtohet përkufizimi. Në fjalorin e vitit 1980, sidomos në fushat e politikës, ekonomisë dhe fesë, ndeshen formulime ku përshkrimi i kuptimit ndërthuret me vlerësime ideologjike. Në fjalorin e vitit 2026 vërehet një qasje tjetër, që synon të dallojë më qartë shpjegimin gjuhësor nga gjykimi ideologjik. Përfundimi që më duket më domethënës është se fjalorët nuk dëshmojnë vetëm historinë e fjalëve, por edhe historinë e mënyrës se si një shoqëri e ka konceptuar dhe përshkruar botën. Pikërisht për këtë arsye, krahasimi i tyre është njëkohësisht studim gjuhësor dhe një mënyrë për të lexuar në mënyrë kritike ndryshimet historike e shoqërore.

Fotografi nga Manjola Zaçellari në Kongresin Botëror të EURALEX-it në Vjenë

Portalb.mk: Pyetja qendrore e studimit tuaj është se si hyn ideologjia në përkufizimin e një fjale. A mund të na jepni një shembull konkret nga fjalori i vitit 1980, që lexuesit ta kuptojnë më lehtë këtë dukuri?

Manjola Zaçellari: Shembujt janë të shumtë. Megjithatë, një shembull interesant është fjala “kozmopolitizëm”, kuptimi i së cilës në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980) paraqitet si “teori borgjeze reaksionare”, që përpiqet “të shuajë veçoritë e ndjenjat kombëtare”. Këtu kemi disa zgjedhje gjuhësore që përcjellin një qëndrim të qartë ideologjik. Mbiemri “reaksionare” e vlerëson negativisht konceptin që në fillim, ndërsa shprehja “përpiqet të shuajë” i atribuon atij synimin për të zhdukur veçoritë dhe ndjenjat kombëtare.

Në vijim, përkufizimi përdor edhe folje si “përçmuar” e “mohuar”, si dhe ndajfoljen “gjoja”, duke e përforcuar këtë vlerësim negativ. Pra, në vend që të shpjegojë vetëm kuptimin e fjalës, përkufizimi përcjell edhe interpretimin ideologjik të kohës. Lexuesit nuk i thuhet vetëm çfarë është kozmopolitizmi, por i sugjerohet edhe si duhet ta gjykojë atë dhe qëndrimin që pritet të mbajë ndaj tij.

KOZMOPOLITIZËM,~MI m. Teori borgjeze reaksionare, që përpiqet të shuajë veçoritë e ndjenjat kombëtare, duke quajtur për atdhe gjoja gjithë botën, duke përçmuar vlerat e mëdha të kulturave e të traditave kombëtare dhe duke u mohuar popujve të drejtën për të jetuar të lire e të pavarur në emër gjoja “të bashkësisë së njerëzve të gjithë botës”, “të shtetit botëror” etj., me qëllim që të përligjë nënshtrimin e sundimin e popujve nga imperialistët e socialimperialistët.

Portalb.mk: Në prezantim i kushtuat vëmendje të veçantë fjalës “gjoja”. Çfarë mund të na tregojë kjo fjalë e vogël për qëndrimin e hartuesve të një fjalori?

Manjola Zaçellari: Përdorimi i fjalës “gjoja” është një shembull shumë domethënës, sepse tregon se si edhe një element i vogël gjuhësor mund të ndryshojë qëndrimin që përcjell një përkufizim/shpjegim. Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980), te shpjegimi i fjalës “Zot”, thuhet se është një qenie “e trilluar nga fetë e ndryshme”, e cila “gjoja ka krijuar botën”. Në gjuhën shqipe, fjala “gjoja” përdoret për të shprehur dyshim, mosbesim ose distancim nga ajo që thuhet. Prandaj, prania e saj në këtë përkufizim nuk është e rastësishme. Ajo tregon se hartuesit nuk po kufizohen te shpjegimi i një koncepti fetar, por po përcjellin edhe një qëndrim ndaj tij, në përputhje me ideologjinë ateiste të regjimit komunist. Nga pikëpamja gjuhësore, përdorimi i kësaj fjale bëhet edhe më interesant, sepse fjalori kalon nga përshkrimi i një besimi te vlerësimi i vërtetësisë së tij. Pra, një fjalë e vetme mund të zbulojë se kush po flet përmes përkufizimit: jo vetëm gjuhëtari që shpjegon kuptimin, por edhe botëkuptimi ideologjik i kohës.

Portalb.mk: Ju thoni se kalimi nga fjalori i vitit 1980 te ai i vitit 2026 nuk është thjesht një kalim nga një fjalor ideologjik në një fjalor neutral. Çfarë ka ndryshuar në mënyrën se si përkufizohen fjalët?

Manjola Zaçellari: Do të ishte metodologjikisht e pasaktë ta përshkruanim këtë proces vetëm si kalim nga një fjalor ideologjik në një fjalor plotësisht neutral. Siç na kujton edhe tradita e studimeve leksikografike, fjalorët janë produkte historike dhe shoqërore. Përzgjedhja dhe interpretimi i kuptimeve kërkojnë gjykim shkencor, kujdes metodologjik dhe vetëdije të plotë për ndikimin e kontekstit shoqëror e kulturor. Në studimin tim kam identifikuar pesë mekanizma që na ndihmojnë ta kuptojmë më qartë këtë ndryshim.

I pari është reduktimi i elementeve vlerësuese, pra kufizimi i shprehjeve që përcjellin miratim ose dënim të drejtpërdrejtë. I dyti është reduktimi i përmbajtjes doktrinare, që nënkupton shmangien e shpjegimeve të ngarkuara me qëndrime të një ideologjie të caktuar. Mekanizmi i tretë është riatribuimi epistemik: pohimet që lidhen me një besim ose doktrinë paraqiten si pjesë e atij sistemi mendimi dhe jo si qëndrime të vetë fjalorit. Mekanizmi i katërt lidhet me rishikimin e vendit që zënë kuptimet ideologjike në strukturën e një fjale. Këto kuptime nuk paraqiten më domosdoshmërisht si kryesore, por vendosen në raport me kuptimet e tjera. I pesti është reduktimi i enciklopedizmit doktrinar, që do të thotë se përkufizimi përqendrohet tek informacioni i nevojshëm për të shpjeguar kuptimin e fjalës, pa u zgjeruar në shtjellime ideologjike. Këto ndryshime mund të shihen edhe në dritën e parimeve të leksikografisë bashkëkohore. Në thelb, ndryshimi më interesant është riformësimi i zërit leksikografik. Fjalori bashkëkohor synon t’i përshkruajë botëkuptimet si objekte të dijes leksikore, jo të flasë domosdoshmërisht nga brenda njërit prej tyre. Prandaj përfundimi im nuk është thjesht “nga ideologjia te neutraliteti”, por nga pohimi ideologjik te riformulimi përshkrues.

Fotografi nga Manjola Zaçellari në Kongresin Botëror të EURALEX-it në Vjenë

Portalb.mk: Si bashkautore e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, cila ka qenë sfida më e madhe për ju dhe çfarë sjell ky fjalor për përdoruesin e sotëm?

Të qenët pjesë e grupit të hartuesve të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe ka qenë për mua një përvojë e vyer shkencore dhe profesionale, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe. Hartimi i një fjalori të këtyre përmasave është një punë që kërkon jo vetëm njohje të thellë të gjuhës, por edhe shumë përkushtim, durim dhe një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj hollësive. Për mua, një nga sfidat më të mëdha ka qenë të përmbledhësh në një përkufizim të qartë gjithë kompleksitetin semantik të një fjale, sepse fjalët nuk kanë gjithmonë kufij të prerë kuptimorë. Ato marrin nuanca të ndryshme kuptimore në kontekste të ndryshme. Po ashtu, fjalët ndryshojnë me kohën dhe pasqyrojnë zhvillimet e shoqërisë. Prandaj, puna e leksikografit nuk është thjesht të shpjegojë çfarë do të thotë një fjalë, por të dallojë kuptimet e saj, të përcaktojë marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe t’i paraqesë në mënyrë sa më të saktë e të kuptueshme për përdoruesin. Një tjetër sfidë ka qenë gjetja e ekuilibrit ndërmjet trashëgimisë leksikore të shqipes dhe zhvillimeve të saj bashkëkohore. Gjuha është në ndryshim të vazhdueshëm: lindin fjalë e kuptime të reja, ndërsa të tjera fitojnë përdorime të ndryshme. Një fjalor bashkëkohor duhet ta pasqyrojë këtë dinamikë, pa humbur lidhjen me pasurinë gjuhësore të trashëguar.

Për përdoruesin e sotëm, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe sjell një pasqyrë më të plotë dhe më të përditësuar të leksikut të shqipes. Ai u shërben jo vetëm studiuesve, mësuesve, studentëve apo përkthyesve, por kujtdo që dëshiron ta njohë dhe ta përdorë më mirë gjuhën shqipe. Mendoj se rëndësia e kësaj vepre shkon përtej funksionit të saj të përditshëm si fjalor. Ajo dokumenton pasurinë e gjuhës sonë në një moment të caktuar të zhvillimit të saj dhe krijon një bazë të rëndësishme për studimet dhe teknologjitë gjuhësore të së ardhmes. Në këtë kuptim, fjalori nuk është vetëm një vepër që i shërben së tashmes, por edhe një trashëgimi që u lëmë brezave të ardhshëm.

Portalb.mk: Tema e kongresit ishte leksikografia në epokën e inteligjencës artificiale. Nisur nga diskutimet në Vjenë, si e shihni të ardhmen e fjalorëve dhe çfarë mundësish hapen për gjuhën shqipe?

Manjola Zaçellari: E ardhmja e leksikografisë lidhet gjithnjë e më ngushtë me zhvillimin e teknologjive gjuhësore, korpuseve elektronike, të dhënave leksikore të strukturuara dhe inteligjencës artificiale. Për shqipen kjo çështje ka një rëndësi të veçantë, sepse në fushën e përpunimit automatik të gjuhës ajo konsiderohet përgjithësisht një gjuhë me burime relativisht të kufizuara, ose low-resource language, krahasuar me gjuhë të mëdha si anglishtja, gjermanishtja apo frëngjishtja. Dua të theksoj se kjo nuk ka të bëjë me pasurinë ose aftësinë shprehëse të shqipes. Është më tepër një kategorizim teknologjik, që lidhet me disponueshmërinë e korpuseve të mëdha e të anotuara, të dhënave të standardizuara, burimeve leksikore të lexueshme nga makina dhe mjeteve të specializuara për përpunimin e gjuhës.

Për shqipen, duhet të investojmë në burime cilësore, siç janë: korpuset, të dhënat e anotuarа, terminologjitë, burimet leksikografike digjitale si dhe të kemi bashkëpunim të vazhdueshëm mes gjuhëtarëve, leksikografëve dhe specialistëve të inteligjencës artificiale. Në këtë kuadër, Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përfaqëson një aset të rëndësishëm shkencor, sepse përveç të tjerash një burim kaq i madh të dhënash, mund të kontribuojë në zhvillimin e teknologjive të reja gjuhësore. Megjithatë, inteligjenca artificiale nuk duhet parë si zëvendësuese e gjykimit shkencor të leksikografit. Përmes saj lehtësohet analiza e korpuseve gjuhësore, identifikimi i përdorimeve të ndryshme të fjalëve etj., por saktësia e përkufizimit, interpretimi i kontekstit dhe vlerësimi i të dhënave kërkojnë kontroll të kujdesshëm njerëzor. Për mua, sfida më e rëndësishme është që shqipja të zhvillojë infrastrukturën e vet gjuhësore digjitale. E ardhmja e fjalorëve nuk është zhdukja e tyre dhe zëvendesimi me inteligjencën artificiale, por shndërrimi i tyre në burime të rëndësishme për teknologjitë gjuhësore dhe komunikimin digjital.

Në këtë kontekst, pjesëmarrja në kongresin e EURALEX-it në Vjenë ishte për mua një përvojë shumë e vyer, sepse, përveç mundësisë për të prezantuar studimin tim dhe për t’u rrjetëzuar me studiues e leksikografë nga vende të ndryshme të botës, u bëra edhe anëtare e Shoqatës Evropiane të Leksikografisë (EURALEX). Ky anëtarësim është një mundësi e shkëlqyer për të qenë pjesë e një komuniteti shkencor ndërkombëtar, për të ndjekur zhvillimet bashkëkohore të leksikografisë, por edhe për të dhënë kontributin tim në diskutimet mbi të ardhmen e kësaj fushe, veçanërisht në lidhje me gjuhën shqipe.

Fotografi nga Kongresi Botëror të EURALEX-it në Vjenë
Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajmeVideo Lajme