Teqeja “Arabati Baba” në Tetovë, nga trashigimia historike e turizmit te perspektivat e valorizimit bashkëkohor

Shkruan: Mislim Zendeli

Një trashëgimi që meriton më shumë se një objekt fetar

Në historinë dhe trashëgiminë kulturore të Tetovës, kompleksi  i Teqesë “Arabati Baba”zë një vend të posaçëm. Me historinë e tij disashekullore, arkitekturën karakteristike dhe dimensionin shpirtëror e kulturor, ai përfaqëson një nga pasuritë më të çmuara të qytetit dhe një vlerë të rëndësishme të trashëgimisë tetovare.

Megjithatë, përkundër rëndësisë historike, vlerave arkitekturore dhe potencialit të konsiderueshëm turistik, ky kompleks ende nuk e ka fituar vendin që meriton, biles ka humbë shumëçka nga mundësia për një zhvillim të organizuar të turizmit kulturor të qytetit të Tetovës.

Prej vitesh, Teqeja “Arabati Baba” është një nga pikat që vizitorët domosdoshmërisht e vizitojnë gjatë qëndrimit në qytet. Por për fatkeqësisht, ata ndalen, vizitojnë shkurtë kompleksin, bëjnë ca fotografi dhe vazhdojnë udhëtimin drejt destinacioneve tjera. Dhe vitet kalojnë, ndërsa ne tetovarët akoma nuk arrijmë ta shndërrojmë këtë interes të vizitorëve në shansë për zhvillimin turistik e pse jo dhe ekonomik të qytetit. Pikërisht këtu qëndron paradoksi! Kemi një monument që tërheq vizitorë, por ende nuk kemi ndërtuar rreth tij një produkt turistik të organizuar që do t’i motivonte ata të qëndrojnë më gjatë, të njohin Tetovën dhe të kontribuojnë në ekonominë lokale. Madje, ajo që e bën këtë situatë edhe më paradoksale është fakti se Teqeja “Arabati Baba” nuk është një kompleks që duhet të zbulohet për herë të parë si atraksion turistik. Ajo ka një të kaluar të pasur turistike ndërkaq sot e kemi lënë në harresë.

Kur Teqeja “Arabati Baba” ishte një qendër e gjallë turistike

Në periudhën e ish-Jugosllavisë diku deri kah vitet e 90-ta, kompleksi Teqe “Arabati Baba” pati një periudhë të rëndësishme të afirmimit dhe zhvillimit turistik. Atë botë Teqeja nuk ishte vetëm një monument historik që vizitohej për vlerat e tij arkitekturore dhe kulturore. Brenda kompleksit funksiononte restoranti  me të njejtin emër “Arabati BabaTeqe”, i njohur për menynë e pasur, shërbimin profesional gastronomik dhe tarracën atraktive, që u ofronte vizitorëve një përvojë të veçantë në një ambient historik. Ai ishte pjesë e identitetit turistik të kompleksit, ku gastronomia ndërthurej natyrshëm me arkitekturën, gjelbërimin dhe atmosferën karakteristike të Teqesë. Në pjesën hyrëse funksiononte edhe një hotel me disa dhoma, të përshtatura me stilin arkitekturor të kompleksit. Kjo krijonte mundësi që vizitorët të mos kufizoheshin vetëm në një vizitë kalimtare, por të qëndronin, të pushonin dhe të përjetonin më gjatë ambientin e veçantë të këtij monumenti.

Një vlerë të posaçme kishte edhe parku përreth shatërvanit. Me gjelbërimin, qetësinë dhe harmoninë arkitekturore, kjo hapësirë ka qenë një ambient tërheqës jo vetëm për vizitorët, por edhe për regjisorët dhe krijuesit e programeve artistike. Aty realizoheshin emisione muzikore, programe televizive dhe xhirime filmike, për të cilat ambienti i Teqesë shërbente si një skenografi natyrore me identitet të veçantë kulturor. Atëbotë, Teqeja “Arabati Baba” arriti të ndërthurë disa funksione që sot konsiderohen përbërës të rëndësishëm të një produkti të integruar turistik: trashëgiminë historike e kulturore, elementin fetar, gastronominë, akomodimin, rekreacionin dhe krijimtarinë artistike.

Me ndryshimet  e rethanave shoqërore, politike, institucionale e pse jo dhe turistike kompleksi u la në haresë. Prandaj sot është e nevojshme që kjo pasuri të rikthejë famën dhe të shfrytëzohet për një koncept bashkëkohor të zhvillimit të turizmit në qytetin e Tetovës.

Megjithatë, një pyetje mbetet e pashmangshme: Si është e mundur që një kompleks që dikur kishte restorant me shërbime profesionale gastronomike, hotel dhe hapësira të gjalla kulturore, sot ende të mos e ketë të valorizuar në mënyrë të qëndrueshme potencialin e tij turistik?

Restaurimi dhe konservimi – përgjegjësi ndaj trashëgimisë

Përpara se të flasim për zhvillimin e ardhshëm turistik të Teqesë “Arabati Baba”, duhet të ndalemi te një çështje edhe më themelore: ruajtja dhe mirëmbajtja e kompleksit. Një monument me vlera të tilla historike, arkitekturore dhe kulturore meriton kujdes institucional të vazhdueshëm dhe një program afatgjatë konservimi, restaurimi dhe menaxhimi e që mungon prej kohësh.

Problemet pronësore dhe kompetencash institucionale e kanë shoqëruar kompleksin në periudha të ndryshme nuk duhet të shërbejnë si arsyetim i përhershëm për mungesën e zgjidhjeve të qëndrueshme. Përkundrazi, për këtë monument duhet të bashkëpunojnë të gjitha institucionet përgjegjëse, përfaqësuesë legjitimë të kompleksit dhe profesionistëve turistik dhe trashëgimisë kulturore.

Ruajtja e Teqesë “Arabati Baba” nuk është vetëm çështje e një institucioni apo komuniteti të caktuar. Ajo është përgjegjësi ndaj një pasurie që përbën pjesë të kujtesës historike dhe identitetit kulturor të Tetovës. Megjithatë, restaurimi fizik nuk duhet të konsiderohet qëllim në vetvete. Një monument mund të restaurohet, por nëse nuk krijohet një model i qëndrueshëm mirëmbajtjeje, interpretimi dhe menaxhimi, ai rrezikon të mbetet një objekt historik me potencial të pashfrytëzuar. Për këtë arsye nevojitet valorizimi turistik përmes së cilit do të bëhet mbrojtja e autenticitetit, integritetit arkitekturor dhe karakterit shpirtëror të kompleksit. Megjithatë çdo funksion i ri turistik apo kulturor duhet të përshtatet me vlerat e kompleksi, e jo ai t’u nënshtrohet kërkesave të komercializimit.

Nga monument historik në atraksion qendror turistik

Në terminologjinë bashkëkohore të menaxhimit të potencialeve turistike përdoret koncepti “anchor attraction”, që nënkupton një atraksion kryesor tërheqës, rreth të cilit mund të organizohet dhe të zhvillohet një ofertë më e gjerë turistike. Teqeja “Arabati Baba” ka potencialin ta luajë këtë rol për Tetovën. Pikërisht në këtë drejtim duhet të orientohet zhvillimi turistik i  Teqesë “Arabati Baba”. Ajo nuk duhet të promovohet e shkëputur nga potencialet e tjera të qytetit, por të bëhet një nga pikat kryesore të një produkti të integruar turistik. Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Përse vizitori që vjen për ta parë Teqenë “Arabati Baba” të mos vizitojë edhe Xhaminë e Larme, Çifte Hamamin dhe Kalanë e Tetovës? Përse të mos ketë mundësinë të drekojë në një restorant tradicional, të njohë gastronominë e Pollogut dhe pasdite të vazhdojë drejt Kodrës së Diellit? Dhe përse kjo përvojë të mos krijojë nevojë fjetjeje në Tetovë, ndërsa të nesërmen turisti të vazhdojë me aktivitete në Malin Sharr?

Këto nuk janë ide që kërkojnë shpikjen e atraksioneve të reja. Ato kërkojnë organizim, bashkëpunim dhe një koncept të qartë zhvillimi të qëndrueshëm.

Nga Teqeja “Arabati Baba” në Malin Sharr – një përvojë e integruar turistike

Një mundësi për zhvillimin e turizmit në Tetovë është krijimi i një produkti që lidh trashëgiminë kulturore të qytetit me gastronominë dhe potencialin natyror të Malit Sharr. Një produkt i tillë mund të zhvillohet sipas konceptit: “Nga  Teqeja “Arabati Baba”në Malin Sharr- një udhëtim nëpër historinë, kulturën dhe natyrën e Tetovës”. Në këtë formë, Teqeja “Arabati Baba” do të shërbente si një nga motivet kryesore për vizitimin e qytetit, ndërsa atraksionet e tjera do ta pasuronin përvojën turistike.

Një program p.sh. dyditor do të fillonte me vizitën e organizuar kompleksit të Teqesë, e do të vazhdonte me monumentet e tjera të qytetit, Xhaminë e Larme, Hamamin, Kalanë e Tetovës, …,e shoqëruar me përvoja gastronomike në restorantet tradicionale. Pas akomodimit dhe qëndrimit gjatë natës në Tetovë, dita e dytë do  t’i kushtohej Malit Sharr, natyrës, aktiviteteve rekreative e sportive dhe njohjes së traditave të rajonit. Afërsia ndërmjet qytetit dhe zonës malore përbën një avantazh të rëndësishëm që duhet të shfrytëzohet në mënyrë më të organizuar. Kuzhina tradicionale, produktet vendore, specialitetet karakteristike dhe tradita e mikpritjes përbëjnë një potencial që duhet të promovohet në mënyrë më të organizuar. Një iniciativë p.sh. me emrin “Shijet e Pollogut” mund të lidhë restorantet, prodhuesit vendorë, fermerët dhe operatorët turistikë në një ofertë të përbashkët dalluese.

Si mund të përfitojë ekonomia lokale?

Valorizimi turistik i Teqesë “Arabati Baba” nuk duhet të matet vetëm me numrin e njerëzve që hyjnë në kompleks. Efekti më i rëndësishëm ekonomik mund të realizohet fillimisht përmes biletave hyrëse, duke vazhduar me shpenzimet që turistët do i bënin në qytet. Restorantet, hotelet, guidat turistike, transportuesit, dyqanet artizanale dhe prodhuesit vendorë mund të përfitojnë nga një ofertë e organizuar turistike, në të cilën Teqeja “Arabati Baba”do të kishte një rol të rëndësishëm tërheqës. Valorizimi turistik i kompleksit në fjalë  nuke duhet të matet vetëm me numrin e vizitorëve, por edhe me kohëzgjatjen e qëndrimit, netqëndrimet, shpenzimet dhe përfitimet që mbeten në ekonominë lokale.

Nevoja për një vizion të përbashkët zhvillimor

Zhvillimi i një produkti të integruar turistik me Teqenë “Arabati Baba”si atraksion qendror kërkon më shumë sesa shkrime dhe paraqitje individuale. Nevojitet një bashkëpunim i strukturuar ndërmjet institucioneve përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, Komunës së Tetovës, përfaqësuesve legjitimë të kompleksit, sektorit hotelier dhe gastronomik, operatorëve turistikë dhe institucioneve akademike.

Një mundësi është krijimi i një strukture për koordinimin dhe menaxhimin e destinacionit, sipas praktikave të njohura ndërkombëtare të Destination Management Organization (DMO). Një strukturë e tillë do të mund të koordinonte zhvillimin e produkteve turistike, promovimin, bashkëpunimin me operatorët rajonalë dhe monitorimin e rezultateve ekonomike.

Në këtë kuadër, mund të zhvillohet një projekt afatmesëm  p.sh. me emrin: Teqeja “Arabati Baba”-Trashëgimi që jeton-2030”. Ky projekt do të duhej të përfshinte konservimin dhe restaurimin e kompleksit, dokumentimin e historisë së tij turistike, zhvillimin kulturor dhe integrimin e Teqesë në destinacionin Tetovë–Sharr. Një pjesë e rëndësishme e projektit mund të ishte edhe krijimi i një këndi brenda kompleksit, si muzeum me arkive fotografish dhe eksponate, Pastaj një kioskë-dyqan për shitje të, suvenirëve, monografive (që duhet botuar) si dhe shpërndarrjen e  kartolinave e materialeve promovuese apo regjistrimeve televizive nga periudha kur kompleksi ishte në funksion të plotë turistik e kulturor. Kjo do të mundësonte që historia e tij turistike të mos mbetej vetëm në kujtesën e brezave, por të  përcillej dhe tek turistët e të dokumentohej.

Nga krenaria për të kaluarën te përgjegjësia për të ardhmen

Prej vitesh flasim me krenari për Teqenë “Arabati Baba”, për historinë, arkitekturën dhe vlerat e saj kulturore e shpirtërore. E përmendim si një nga monumentet më përfaqësuese të Tetovës dhe si një atraksion me potencial të jashtëzakonshëm turistik. Por a mjafton vetëm krenaria?

Si është e mundur që një kompleks që dikur kishte një restorant me shërbime profesionale gastronomike, hotel dhe hapësira të gjalla kulturore, sot ende të përballet me sfidën e valorizimit të qëndrueshëm turistik? Përse, pas kaq vitesh, nuk kemi arritur ta ndërtojmë një koncept bashkëkohor që do ta lidhte këtë trashëgimi me potencialet e tjera turistike të Tetovës? Dhe, mbi të gjitha, përse ende nuk kemi arritur të krijojmë kushtet që vizitorët të mos e shohin Tetovën vetëm si një ndalesë kalimtare, por si një destinacion ku ia vlen të qëndrohet?

Problemet pronësore, administrative apo të natyrave tjera nuk duhet të jenë arsyetime për mungesën e zgjidhjeve afatgjata. Trashëgimia kulturore nuk është një pasuri që na përket vetëm një gjenerate, ajo është një vlerë që e kemi trashëguar nga brezat e mëparshëm dhe që kemi përgjegjësi t’ua përcjellim brezave të ardhshëm. Është koha të kalojmë nga krenaria për atë që kemi trashëguar, te përgjegjësia për atë që duhet të ruajmë dhe zhvillojmë.

Teqja “Arabati Baba” meriton t’i rikthehet vendi që i takon

Teqeja “Arabati Baba” është shumë më tepër sesa një ndalesë në itineraret turistike që kalojnë nëpër Tetovë. Ajo përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kujtesës sonë historike, të identitetit kulturor dhe të trashëgimisë shpirtërore. Por, siç dëshmon edhe përvoja e saj e dikurshme turistike, ky kompleks ka potencial të jetë shumë më tepër sesa një monument që vizitohet për disa minuta. Në periudhën e ish-Jugosllavisë,  Teqeja “Arabati Baba” kishte arritur të ndërthurte trashëgiminë kulturore me gastronominë, akomodimin dhe aktivitetet artistike.

Sot, me mundësitë që ofrojnë turizmi bashkëkohor, teknologjia, marketingu digjital dhe zhvillimi i produkteve të integruara turistike, ekzistojnë mundësi të reja për ta prezantuar këtë trashëgimi në tregun rajonal dhe ndërkombëtar. Por për këtë nevojitet një ndryshim thelbësor në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit. Nuk mjafton ta përmendim Teqenë në broshurat turistike, ta promovojmë në panaire apo të krenohemi me historinë e saj. Duhet të krijojmë kushtet që ajo të ruhet, të restaurohet, të interpretohet profesionalisht dhe të valorizohet në mënyrë të qëndrueshme.

Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, përfitimet nuk do të kufizohen vetëm te vetë monumenti. Ato do të shtrihen në gastronomi, hoteleri, transport, artizanat dhe në promovimin e përgjithshëm të Tetovës si destinacion turistik. Sepse pyetja nuk është më nëse Teqeja “Arabati Baba” ka potencial turistik. Historia e saj na tregon se ky potencial ka qenë i njohur dhe i shfrytëzuar edhe më parë.

Pyetja është nëse sot kemi vizionin, vullnetin dhe aftësinë për ta ringjallur këtë traditë, duke e përshtatur me kërkesat bashkëkohore dhe duke ruajtur vlerat autentike të kompleksit. Teqeja “Arabati Baba” nuk ka nevojë ta shpikë nga fillimi identitetin e saj turistik. Ajo ka një histori të tillë. Sfida jonë është ta njohim, ta dokumentojmë, ta ruajmë dhe ta valorizojmë atë histori, në mënyrë që ky monument i jashtëzakonshëm të mos mbetet vetëm kujtim i një të kaluare të pasur, por të bëhet edhe pjesë e një të ardhmeje më të zhvilluar turistike për Tetovën. Sepse vlera e një trashëgimie nuk matet vetëm me atë që kemi marrë nga e kaluara, por edhe me atë që jemi të aftë të ruajmë, të zhvillojmë dhe t’ua lëmë brezave të ardhshëm, dhe kjo nënkupton zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, intencë kjo e të gjitha komuniteteve dhe shteteve bashkëkohore.

Na Shkruani