Kur gjërat na zënë vendin e jetës

Imagjinoni një shtëpi jo domosdoshmërisht të madhe, por të ndriçuar mirë, me ajër, me hapësira të lira dhe me një qetësi që ndihet sapo hyn brenda. Një shtëpi ku çdo gjë ka vendin e vet, ku raftet nuk janë të mbushura deri në skaj dhe ku dollapi hapet lehtë e mund t’i shohësh të gjitha rrobat që ke, pa pasur nevojë që çdo gjashtë muaj të bëhet një operacion i tërë zhvendosjeje dhe sistemimi. Një shtëpi me jetë, me libra, me kujtime dhe me gjëra të bukura, por ku çdo send ka një arsye për të qenë. Dhe mbi të gjitha, ku ka vend për njerëzit që jetojnë brenda saj.

Tani mendoni për shtëpitë tona.

Në këtë periudhë të vjeshtës, kur përgatitemi për ditët e ftohta dhe fillojmë t’i nxjerrim rrobat e dimrit, shumë prej nesh përballen me të njëjtin problem: nuk kemi vend. Dollapët janë plot, raftet janë plot, kutitë poshtë shtretërve janë plot. Kemi rroba që nuk i kemi veshur prej vitesh, këpucë që presin një rast të veçantë dhe sende që as nuk e mbajmë mend pse i kemi blerë. Megjithatë, sa herë që hapim dollapin, na kap ajo ndjesia e çuditshme se nuk kemi çfarë të veshim.

Si është e mundur të kemi kaq shumë dhe përsëri të ndiejmë se na mungon diçka?

Këto ditë lexova një reflektim të një mikeje arkitekte mbi konsumerizmin arkitektonik. Ajo shkruante për dëshirën tonë për shtëpi gjithnjë e më të mëdha, për hapësira imponuese dhe për nevojën që gjithmonë të kemi më shumë. Por në shkrimin e saj kishte edhe një shpjegim historik: gjeneratat që kanë përjetuar mungesën e hapësirës dhe të privatësisë, shpesh e shohin madhësinë e shtëpisë si simbol të sigurisë dhe të suksesit.

Mikesha ime tregonte për fëmijërinë në një apartament prej vetëm 54 metrash katrorë, ku jetonin pesë anëtarë të familjes. Ai apartament ndodhej vetëm pak metra larg shtëpisë ku jetoja unë me familjen time. Dhe duke lexuar rrëfimin e saj, m’u kujtua shtëpia e prindërve të mi. Ishte një shtëpi gjithmonë e rregullt, ku çdo send e kishte vendin e vet, por ku kishte vërtet shumë gjëra.

Mbaj mend se herë pas here i thosha babait tim të ndjerë se ndoshta duhej ta shkarkonte pak shtëpinë nga ato teprica. Ai më përgjigjej pothuajse gjithmonë njësoj: “Kur kam hyrë për herë të parë në këtë shtëpi, nuk kam pasur asnjë lugë. Gjithçka që sheh këtu e kam blerë vetë, prandaj ua di vlerën.”

Dhe vërtet, në atë shtëpi ishin ende lugët e para, të blera në vitin 1965, kur ishte ndërtuar shtëpia.

Sot e kuptoj më mirë atë përgjigje. Për mua, ato ishin sende të tepërta që zinin vend. Për babain tim, ishin dëshmi të një jete të ndërtuar nga fillimi. Ai nuk i ruante thjesht lugët. Ruante kujtimin e kohës kur nuk kishte asnjë. Ndoshta babai im dhe unë e shihnim ndryshe të njëjtën shtëpi: ai shihte gjithçka që kishte arritur të siguronte, ndërsa unë shihja hapësirën që mund të lirohej. Dhe në njëfarë mënyre, të dy kishim të drejtë.

Por nëse për gjeneratat e mëparshme grumbullimi i sendeve shpesh ishte një formë sigurie, sot ai është shndërruar në një mënyrë jetese që ushqehet nga bindja se ajo që kemi nuk është kurrë e mjaftueshme. Konsumerizmi nuk na shet vetëm produkte, por edhe premtime për një jetë më të mirë, një pamje më të bukur dhe një status më të lartë shoqëror.

Dhe vërtet është ashtu siç thotë mikja ime: këtë logjikë e shohim qartë edhe në arkitekturë. Ndërtojmë shtëpi gjithnjë e më të mëdha, me hapësira që shpesh nuk i përdorim, ndërsa interierët i ndryshojmë jo sepse nuk janë më funksionalë, por sepse nuk janë më në modë. Në një kohë kur çmimet e banesave rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi buxhetet familjare, ia vlen të pyesim sa nga hapësira për të cilën paguajmë na nevojitet vërtet. Sepse teprica ka një aftësi të jashtëzakonshme: ta pushtojë çdo hapësirë që ne i ofrojmë.

Një shtëpi e mbingarkuar nuk është vetëm problem estetik. Çdo send kërkon pastrim, sistemim dhe mirëmbajtje. Në një shoqëri ku tashmë jetojmë me nxitim, ankth dhe mungesë kohe, edhe gjërat që zotërojmë mund të bëhen një burim tjetër lodhjeje. Blejmë për ta bërë jetën më të lehtë, pastaj shpenzojmë kohë dhe energji duke u kujdesur për gjithçka që kemi blerë.

Prej disa vitesh kam vendosur ta thjeshtoj marrëdhënien time me sendet. Fillimisht me garderobën, pastaj gradualisht edhe me pjesët e tjera të shtëpisë. Nuk ka qenë ndonjë ndryshim dramatik apo një përpjekje për të ndjekur një modë të re minimaliste. Ka qenë thjesht një vendim për të mbajtur atë që më duhet, atë që e përdor dhe atë që vërtet ka kuptim për mua. Për të mos blerë diçka vetëm sepse është e bukur, është me ulje çmimi apo sepse mund të më nevojitet një ditë.

Dhe kam zbuluar diçka interesante: nuk më mungon asgjë nga ato që nuk i zotëroj më.

Përkundrazi, më pëlqen qartësia e një dollapi ku mund t’i shoh rrobat që kam. Më pëlqen një hapësirë e lirë që nuk kërkon të mbushet. Më pëlqen ndjesia se shtëpia është një vend ku pushoj dhe jetoj, e jo një hapësirë që duhet ta mirëmbaj vazhdimisht për shkak të sasisë së gjërave që kam grumbulluar.

Por minimalizmi, të paktën siç e kuptoj unë, nuk është thjesht çështje rregulli apo estetike. Nuk do të thotë të kesh mure të bardha, mobilje të pakta dhe rafte bosh. Nuk do të thotë as të heqësh dorë nga bukuria, rehatia apo kujtimet. Dhe sigurisht nuk duhet të shndërrohet në një tjetër trend konsumerist, ku njerëzit hedhin gjërat që kanë vetëm për të blerë të tjera që i përshtaten një estetike minimaliste.

Për mua, minimalizmi është para së gjithash një ushtrim i vetëdijes. Është aftësia për ta dalluar nevojën nga dëshira e çastit, vlerën nga çmimi dhe kënaqësinë e qëndrueshme nga emocionet e përkohshme të blerjes. Është të kuptosh se jo gjithçka që mund ta blesh duhet patjetër ta zotërosh.

Ndoshta mund të mësojmë diçka edhe nga prindërit tanë. Nuk kemi pse ta trashëgojmë nevojën e tyre për t’i ruajtur të gjitha gjërat, por do të ishte mirë ta trashëgonim respektin për atë që kemi. Të blinim më pak, të zgjidhnim më mirë dhe të përdornim më gjatë.

Sepse problemi i kohës sonë nuk është vetëm se kemi shumë gjëra. Është se gjithnjë e më shumë kemi gjëra që nuk na thonë asgjë.

Ndoshta liria e vërtetë nuk qëndron në mundësinë për të blerë gjithçka që dëshirojmë, por në aftësinë për të mos dëshiruar gjithçka që na ofrohet. Dhe ndoshta, përpara se të kërkojmë një shtëpi më të madhe, duhet të pyesim veten nëse vërtet na mungon hapësira, apo thjesht duke u mbingarkuar me gjëra të panevojshme kemi harruar të bëjmë vend për jetën brenda shtëpive tona.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit