Propozim-ligji për lojërat e fatit, i cili u prezantua me shumë bujë nga qeveritarët, pasi për disa muaj qëndroi në sirtarët e Kuvendit dhe së fundmi u tërhoq nga procedura parlamentare, tani është rikthyer në procedurë qeveritare për precizim të mëtejmë, shkruan Portalb.mk.
Pasi Portalbi mësoi se ky ligj i cili u premtua me shumë pompozitet si një hap i madh për mbrojtjen e të rinjve, u tërhoq nga procedura parlamentare, nga Qeveria na njoftuan se ligji do të precizohet, por pa dhënë detaje të tjera për çfarë arsye.
“Propozim-Ligji i ri për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese është kthyer në procedurë qeveritare për t’u precizuar më tej zgjidhja ligjore, dhe në periudhën e ardhshme i njëjti do të dorëzohet në Kuvend”, thanë nga Qeveria për Portalb.
Nga ekzekutivi nuk treguan afat konkret se kur propozim-ligji i precizuar do t’i dorëzohet përsëri Kuvendit për procedurë të mëtejme.
Tërheqjen e ligjit nga procedura parlamentare e konfirmuan dje për Portalb.mk nga Kuvendi.
“Lidhur me Propozim-ligjin për lojërat e fatit, ju informojmë se i njëjti është tërhequr nga procedura parlamentare”, thanë nga Kuvendi.
Ndonëse eksponentët e qeverisë, kryesisht përfaqësuesit e VLEN-it disa herë e kanë promovuar këtë ligj, i njëjti nuk arriti të sheh dritë dhe të miratohet, vazhdimisht kishte arsyetime dhe afatet u shtynë disa herë për vendosjen e tij në rend dite në seancë plenare.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut (VMRO-VLEN-ZNAM) më 16 korrik 2025 e miratoi këtë propozim-ligj, ndërsa më 7 gusht 2025 e dorëzuan në Parlament.
Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria i mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Thelbi i ndryshimeve definohej në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.
Dispozitat ligjore ishin të planifikuara të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027.
Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita planifikohej të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore.
Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtonin pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.
Ndaj ndryshimeve në industri pati reaguar Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore.
Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.
- LEXO: Bixhozi në RMV: Licenca më të shtrenjta, më pak aparate dhe 500 metra distancë prej shkollave
- LEXO: Propozim-ligji për lojërat e fatit arriti në Kuvendin e RMV-së, nuk dihet kur do të miratohet
- LEXO: Qeveria e miratoi projekt-ligjin për lojërat e fatit në RMV, opozita: VLEN gënjen dhe flet pa e lexuar ligjin