Pesë media të specializuara fituan grante për prodhimin e përmbajtjeve me interes publik në kuadër të projektit SMS Facility

Pesë media të vogla morën grante për produksionin e përmbajtjeve mediatike me interes publik në kuadër të projektit “SMS Facility – Mbështetje për mediat e vogla nga Ballkani Perëndimor”. Ndryshe nga ciklet e mëparshme ku fokusi primar ishte i vendosur tek raportimi i përgjithshëm lokal, në këtë cikël theksi vihet tek gazetaria e specializuar.

Projektet e mbështetura në periudhën e ardhshme do të trajtojnë çështje specifike, por qenësore shoqërore: nga roli i sportit dhe industrive kreative digjitale, tek barazia gjinore, të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara e deri te problemet e mjediseve rurale – tema që shpesh herë mbeten jashtë radarit të mediave kryesore.

Krahas mbështetjes financiare për produksion, projekti siguron edhe një komponentë të rëndësishme për përforcimin e kapaciteteve të mediave. Fituesit do të kenë qasje në mbështetje profesionale mentorimi, si dhe në kurse edukative, punëtori dhe trajnime. Janë zhvilluar edhe vegla dhe metodologji të specializuara për vetëvlerësim dhe zhvillim organizativ.

Fituesit e granteve në këtë cikël janë:

  • Shoqata e qytetarëve SHTIGJET QYTETARE Manastir (mk) me projektin “Zëri i komunitetit: Storytelling digjital për çështje kritike lokale dhe rajonale përmes prizmës së qytetarit“. Projekti do të fokusohet në Rajonin e Pellagonisë, duke trajtuar tema si ekologjia, edukimi mediatik, migrimi arsimor dhe dhuna me bazë gjinore përmes formateve multimediatike inovative dhe përfshirjes direkte të qytetarëve në krijimin e politikës redaktuese.
  • Shoqëria për shërbime kreative GG Shareno ShPKNjP Shkup (MK) me projektin “Game Divas ON AIR“. Kjo gaming media e specializuar do ta hulumtojë rolin e grave në industrinë e videolojërave dhe e-sportit. Nëpërmjet podkasteve, intervistave dhe video-dëshmive ky projekt ka për qëllim ta rrisë dukshmërinë e grave dhe vajzave në profesionet kreative digjitale dhe të nxisë përfshirje më të madhe të të rinjve në këtë sektor që po shënon një rritje të shpejtë.
  • Shoqëria për tregti dhe shërbime “24 Media Group“ ShPKNjP Shkup (mk) me projektin “Pas reflektorëve“. Portali i specializuar sportiv nëpërmjet një seriali të emisioneve dokumentare-gazetare do ta hulumtojë rolin më të gjerë shoqëror të sportit. Fokusi do të jetë tek inkluziviteti, hendbolli i femrave, vullnetarizmi, margjinalizimi rural dhe zhvillimi i të rinjve përmes rolit të punonjësve të sportit dhe prindërve.
  • Shoqata për produksion, shprehje dhe veprim feminist Platforma Meduza Shkup (mk) me projektin “Zëra që mungojnë“. Projekti parasheh produksion të eseve hulumtuese dhe video eseve të dedikuara për feminizmin, të drejtat LGBTIQ+, shëndetin reproduktiv dhe seksual, të drejtat e punëtorëve dhe drejtësinë sociale. Qëllimi është rritja e përfaqësimit të përvojave të pakicave seksuale dhe gjinore në diskursin publik.
  • Shoqëria për mediat në internet MK ShPKNjP Shkup (konekt.mk) me projektin “Tregime lokale të padukshme: gazetari analitike për komunitetet jashtë fokusit mediatik“. Fokusi është vënë tek margjinalizimi rural, inkluzioni social, personat me aftësi të kufizuara dhe çështjet rinore. Përmes hulumtimit në terren media do u japë zë komuniteteve që rrallë herë fitojnë vëmendje të vazhdueshme mediatike.

Këto grante paraqesin vazhdimësi në përpjekjet e Fondacionit “Metamorfozis” për përforcimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së sektorit mediatik, duke ofruar jo vetëm burime për produksion, por edhe njohuri për zhvillimin afatgjatë të mediave.

Projekti rajonal “SMS Facility – Mbështetje për mediat e vogla nga Ballkani Perëndimor”, i kofinancuar nga Bashkimi Evropian, zbatohet në partneritet me pesë organizata të shoqërisë civile për mbështetjen e mediave – Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile CPCD (Bosnjë dhe Hercegovinë) si partner udhëheqës, Thomson Media (Gjermani), Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim SCIDEV (Shqipëri), Kosovo Glocal (Kosovë) dhe Qendra për Tranzicion Demokratik CDT (Mali i Zi).

Fondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)