Klekovski: Në fokus të aksionit policor janë suplementet ilegale për mbështetjen e potencës

Suplementet ilegale për mbështetjen e potencës janë në fokus të aksionit policor që nga mëngjesi i djeshëm po zhvillohej në kuadër të një hetimi ndaj një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente ushqimore. Këtë mbrëmë, në emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, e deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, duke komentuar aksionin që dje gjatë ditës u zhvillua në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, ku janë arrestuar të paktën gjashtë persona, mes tyre edhe punonjës të Drejtorisë së Doganave, transmeton Portalb.mk.

Duke qenë se aksioni është ende në vazhdim, ministri tha se mund të bëjë të ditur vetëm se nuk bëhet fjalë për ilaçe, por për suplemente dhe produkte të mjekësisë alternative.

“Nuk bëhet fjalë për ilaçe, por për suplemente dhe produkte të mjekësisë alternative. Rasti është i lidhur me aksionin e mëparshëm, i cili nuk ka të bëjë me botoksin, ndërsa të gjitha së bashku lidhen me luftën kundër kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme me ilaçe dhe suplemente, si dhe mjete të tjera që për një kohë të gjatë, supozoj, janë toleruar, ndërsa mund të çojnë në pasoja të mëdha të padëshiruara te ata që i konsumojnë”, tha ai.

Sipas tij, këto suplemente mund të shkaktojnë jo vetëm pasoja financiare, por edhe probleme shëndetësore, pasi bëhet fjalë për suplemente ilegale.

Duke përshkruar llojin e suplementeve të gjetura gjatë aksionit, ai tha se bëhet fjalë për produkte që përmbajnë bimë në kombinime të ndryshme dhe që shiten për qëllime të ndryshme, nga mbështetja e potencës deri te përmirësimi i funksionimit të organeve të tjera.

“Ato nuk janë të regjistruara në vend për një qëllim të tillë dhe janë plotësisht jashtë ligjit”, shtoi ministri.

Siç njoftuan zyrtarisht nga MPB-ja, aksioni është drejtuar ndaj një grupi kriminal të përfshirë në kontrabandë mallrash dhe kryerjen e veprave penale korruptive.

Siç raportoi TV Telma, gjatë ditës në aksion janë arrestuar të paktën gjashtë persona, mes tyre edhe punonjës të Drejtorisë së Doganave.

Aksioni po zhvillohet në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli.

Aksion policorMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)prokurProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSasho Klekovski