Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po punojnë për vendosjen e një sistemi për shkëmbimin e të dhënave, me qëllim zbulimin në kohë të keqpërdorimeve të mundshme të pushimeve mjekësore, ndër të tjera edhe në rastet kur një person që është në pushim mjekësor largohet nga shteti. Këtë e bëri të ditur sonte drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH), Zllatko Perinski, në një intervistë për emisionin “Dnevnik” të televizionit Sitel, duke folur për kontrollet më të rrepta të paralajmëruara për pushimet mjekësore, transmeton Portalb.mk.
Ndër ndryshimet e propozuara është edhe shkurtimi i numrit të ditëve të pushimit mjekësor që mund t’i lëshojë mjeku amë – nga shtatë ditë sa janë aktualisht, në pesë ditë. Gjithashtu, parashikohen edhe kontrolle për të verifikuar nëse personat që janë në pushim mjekësor ndodhen në shtëpi, në përputhje me indikacionin mjekësor për qëndrim në shtëpi dhe pushim.
Siç sqaroi ai, sistemi do t’i mundësonte Fondit të marrë informacione, ndër të tjera, edhe në rast se një person që është në pushim mjekësor largohet nga shteti. Ai theksoi se Fondi nuk do të ketë kompetencë për ta ndaluar udhëtimin, por përmes shkëmbimit të të dhënave do të mund të reagojë në kohë dhe të kryejë një kontroll shtesë.
Qëllimi, shtoi ai, është vendosja e një mekanizmi parandalues për zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme, dhe jo sanksionimi automatik i personave që përdorin pushim mjekësor.
“Rritja e numrit të pushimeve mjekësore tregon anomali në sistem, ndërsa problem shtesë është edhe presioni ndaj mjekëve amë nga ana e pacientëve për t’u lëshuar pushim mjekësor. Megjithatë, pushimi mjekësor duhet të jetë i qasshëm për personat që vërtet kanë nevojë për të dhe të mos përdoret për pushime vjetore apo ngjarje të tjera”, tha Perinski.
Ai sqaroi se ndryshimet e paralajmëruara nuk kanë për qëllim të jenë kufizuese ndaj personave që përdorin në mënyrë të arsyeshme pushimin mjekësor, por të racionalizohen burimet për kontroll.
“FSSH-ja evidenton një numër të rritur kërkesash nga punëdhënësit për kontroll të pushimeve mjekësore, ku një pjesë e madhe kanë të bëjnë me kontrolle retroaktive, kur pushimi mjekësor tashmë ka përfunduar. Në këtë drejtim, propozohet që kontrollorët, në varësi të diagnozës dhe indikacionit mjekësor për trajtim dhe pushim në shtëpi, të mund të kryejnë kontroll në shtëpinë e personit që është në pushim mjekësor”, tha ai.
Ai theksoi se kontrollorët nuk do të hyjnë në shtëpi dhe nuk do të kryejnë kontroll mjekësor, por vetëm do të verifikojnë nëse personi ndodhet në shtëpi.
“Nëse personi nuk gjendet në shtëpi, kjo nuk do të thotë automatikisht se do ta humbasë të drejtën për pushim mjekësor. Në një rast të tillë, personi do të dërgohej para një komisioni mjekësor për kontroll shtesë”, tha drejtori.
Sipas tij, kjo duhet të jetë një mjet ndërhyrës për kontroll në kohë reale dhe jo një praktikë e rregullt.
Sipas tij, numri i pushimeve mjekësore afatshkurtra është rritur për rreth 33 për qind, nga rreth 270 mijë në vit në më shumë se 321 mijë, ndërsa numri i personave të sëmurë është rritur për rreth gjashtë për qind.
Pikërisht rritja e numrit të pushimeve mjekësore, si dhe numri i madh i kërkesave nga punëdhënësit për kontrollin e tyre, shtoi ai, kanë qenë arsye që Fondi të fillojë rishikimin e sistemit.
“Gjatë verës kemi më shumë kërkesa nga ana e punëdhënësve për kontroll të pushimeve mjekësore, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pushime afatshkurtra apo për pushime mjekësore mbi 30 ditë”, tha ai.
Para një jave, Perinski paralajmëroi kontrolle më të rrepta të pushimeve mjekësore, gjë që shkaktoi reagime të ndara në opinion, nga ata që konsiderojnë se ka ardhur koha të vendoset rreg për shkak të keqpërdorimeve të shumta, deri te ata që vlerësojnë se një sistem i tillë nuk mund të funksionojë, duke pasur parasysh se pacientët nuk janë në paraburgim.