Pas tensioneve në Këshill, Komisioni filloi shqyrtimin e riemërimit të rrugëve në Tetovë

Pas debatit të djeshëm të tensionuar në Këshillin Komunal të Tetovës lidhur me emrat e rrugëve, sot u mblodh Komisioni për emërimin e rrugëve, pas mbi 160 ditëve që nga rithemelimi i tij në janar, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i këtij komisioni, këshilltari Albi Qamili tha se ky proces do vijojë në disa faza.

“Ne sot kemi konfirmuar vetëm një pjesë të emrave, ku në mbledhjet e ardhshme do të kemi edhe shqyrtimin e plotë të listës deri në përfundimin e plotë të listës e cila duhet të miratohet në Këshillë dhe pastaj të dërgohet në Qeveri”, tha Qamili.

Ai tha se lista e propozuar është ndërtuar mbi një parim të qartë ku rrugët e Tetovës duhet ta pasqyrojnë identitetin e plotë të qytetit, historinë dhe karakterin shumë-etnik. Lista përmban emra shqip, maqedonisht, të figurave ndërkombëtare, qytete dhe të tjera.

“Kjo është faza e parë e konfirmimit të propozimeve dhe në momentin që do ta përfundojmë këtë listë të njëjtën do ta përfundojmë edhe në Këshillin komunal të Tetovës dhe më pas do ta nisim për mendimin në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Qamili.

Ai shtoi se në vijim do të përcaktohet edhe dinamika dhe afatet kohore për këtë proces. Ndërsa në mbledhjen e radhës do të diskutohet më gjerësisht lidhur me emrat e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Bajram Rexhepi nga BDI, mbledhjen e sotme të komisionit e konsideroi si farsë nën presion të opinionit dhe dëshmi të pazarit VLEN-VMRO. 

“Në vend të një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, qytetarët panë një farsë me listë të dakorduar paraprakisht në kuzhinat partiake. Sot doli hapur se ekziston një marrëveshje ndërmjet VLEN-it dhe VMRO-së. Kur anëtari ynë propozoi që listës t’i bashkëngjiten edhe 11 emrat e abroguar nga Gjykata Kushtetuese, propozimi u refuzua me arsyetimin se ky ishte “moment i ri”, për të cilin VMRO-ja nuk ishte dakorduar dhe duhej të merrte instruksione nga partia”, tha Rexhepi. 

Ai thotë se refuzimi i emrave si Jusuf Rexhepi, Dervish Cara, Mehmet Pashë Deralla dhe Sheshi ILIRIA dëshmon se historia dhe identiteti i Tetovës janë futur në pazare të fshehta politike.  

Këshilltari i Lidhjes Shqiptare, Arlind Muretezani propozoi që listës t’i shtohen edhe emrat e abroguar nga Gjykata Kushtetuese, si dhe personalitete që përfaqësojnë identitetin historik, kulturor dhe kombëtar të Tetovës. 

“Fatkeqësisht, shumica nuk e pranoi këtë propozim, me arsyetimin se këta emra do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës. Propozimet tona ishin: Mehmet Gega, Arbën Xhaferi, Fadil Sulejmani, Abdullah Jusufi, Memet Pashë Deralla, Rafi Halili, Hafez Xhemil Efendiu, Qerim Arifi, Faik Mustafa, Sheref Kazazi, Nijazi Fanda. Shpresoj që në mbledhjen e ardhshme këto figura të marrin mbështetjen që meritojnë, sepse ato janë pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe identitetit të Tetovës”, tha Murzetani. 

Sa i përket listës së parë të miratuar, Murtezani thotë se ajo u propozua nga kryetari i komisionit, duke lënë të kuptohet se ishte paraprakisht e përgatitur nga partitë e shumicës, VLEN–VMRO.  

Ndërsa nga Më Mirë për Tetovën i treguan propozimet e para që u miratuan në komision, të propozuara nga VLEN dhe VMRO, edhe atë: 

  1. AbdylazisIslami 
  2. MuratIsaku 
  3. Fan Noli
  4. AliEfendiu 
  5. RemziNesimi 
  6. GaniJahja
  7. AliVishko 
  8. AbdylbakiBajrami 
  9. Gjergj Kastrioti Skënderbeu
  10. Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu)
  11. FeridMurad 
  12. VëllezëritFrashëri
  13. IsmailKadare 
  14. Migjeni
  15. LuranAhmeti 
  16. LinditaAhmeti
  17. TurgutOzal 
  18. Rr. eWashingtonit
  19. Rr. e Londrës
  20. Rr. e Brukselit
  21. Ankara
  22. Rr. eWienës
  23. Rr. e Parisit
  24. Rr. e Berlinit
  25. Roma
  26. MilanKundera 
  27. FranzKafka 
  28. ErnestHemingway 
  29. GeorgeOrwel 
  30. MarinBarleti 
  31. PjetërBogdani 
  32. Gjon Buzuku
  33. Elena Gjika
  34. MitrushKuteli 
  35. KadriRoshi 
  36. SevastiQiriazi 
  37. VaçeZela 
  38. AvniMula 
  39. ZefKolombi 
  40. 8 Marsi
  41. 1 Maji
  42. HaqimMemedi 
  43. Rruga Çarshia e Epërme
  44. MustafaKemal Ataturk 
  45. Lekë Dukagjini
  46. AbdurahmanPasha 
  47. Norae Kelmendit 
  48. Olimpia
  49. PjetërBudi 
  50. RefikJahja 
  51. TishDaija 
  52. AleksanderMoisiu 
  53. BekimFehmiu
  54. Rruga Harmonia
  55. Aleksandri III i Maqedonisë
  56. FilipiII i Maqedonisë 
  57. CarSamuili
  58. GavrilRadomir 
  59. JovanVladislav 
  60. Kryengritja eKarposhit
  61. DedoIljo Maleshevski 
  62. TrajçeCvetanovski – Bajraktar 
  63. TihomirKrstovski (Tome Golubar) 
  64. BrankoGapo 
  65. PançeVasoski – Kamxhik 
  66. JonIsaja
  67. IvanNaumov–Alabakot 
  68. PetarPop Arsov 
  69. HristoUzunov 
  70. KrstePetkov Misirkov 
  71. BorkaAvramova 
  72. BllagaAleksova 
  73. SofreGjorgjeski
  74. TodorTetovçeto 

Në seancën e djeshme të Këshillit Komunal, këshilltarët opozitarë nga AKI-ja, kërkuan që si pikë në rendin e ditës të shtohet ndryshimi i emrave të disa rrugëve në qytet, ky propozim u pranua si pikë e fundit e rendit të ditës, pas së cilës këshilltarët e AKI-së e braktisën seancën pasi donin që kjo të jetë pikë e parë. Ndërsa më pas kjo pikë u tërhoq nga rendi i ditës.

Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim më 11 korrik dhe më 26 qershor dolën në protestë pasi Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës të sjella në vitin 2007.

Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?

Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.

Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.

Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.

Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin

Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.

As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007. 

Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra. 

Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.

Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.

Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti. Sipas komunës, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka më konkrete. Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.

BDIEmrat e Institucioneve - RrugëveGjykata Kushtetuese RMVKëshilli KomunalKomuna e TetovësVideo LajmeVLEN koalicioni