Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon zgjedhjet nëse e rimiraton vendimin për emrat të cilin e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese

Nëse Këshilli i Komunës së Tetovës e rimiraton vendimin e vitit 2007 për ndryshimin e emrave të 10 rrugëve dhe sheshit të cilin e shfuqizoi Gjykata Kushtetuese, automatikisht shkohet në zgjedhje për këshillin komunal, shkruan Portalb.mk.

Kjo përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje lokale, konkretisht Neni 75, paragrafi 1 thotë:

“Këshilli shpërndahet nëse sërish e miraton dispozitën që paraprakisht është anuluar ose ndërprerë me vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

Bashkimi Demokratik për Integrim disa herë ka kërkuar që Këshilli Komunal i Tetovës të thërrasë seancë të jashtëzakonshme dhe të rimiratojë këtë vendim, ndërsa për shfuqizimin vendimit, sot do të dalin në protestë.

Ndërkaq kjo kërkesë nuk është pranuar nga autoritetet komunale. Nga Komuna e Tetovës kanë deklaruar se çështja edhe e emrave të shfuqizuar do të zgjidhjet me procesin i cili ka filluar në komunë tani e disa kohë, por pa dhënë ndonjë afat konkret, sipas tyre pritet që kjo të zgjidhet brenda këtij viti, por pa e specifikuar se kur. Ky proces zvarritet që nga viti 2022 e këndej.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i shfuqizoi emrat e vitit 2007 të 10 rrugëve (7 në shqip, 3 në maqedonisht) dhe sheshit në Tetovë, për shkak se procesi ishte kryer gjysmak, duke mos e respektuar ligjin, konkretisht marrjen e pëlqimit nga Qeveria. Pas kësaj BDI dhe VLEN kishin akuza dhe kundërakuza. Megjithatë edhe BDI sa ka qenë në pushtet lokal dhe qendror, por edhe VLEN tani, kanë pasur mundësi që të sjellin vendim për emrat e rrugëve duke respektuar procedurat ligjore dhe me këtë do të parandalohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

BDIGjykata Kushtetuese RMVKomuna e TetovësVLEN koalicioni