Gjashtë muaj pas riformimit të grupit punues, riemërimi i rrugëve në Tetovë ende pa epilog (Video)

Edhe pas gati gjashtë muajve që nga riformimi i grupit punues për riemërimin e rrugëve në Tetovë, ende nuk ka asgjë konkrete. Derisa opozita kritikon për zvarritje të procesit, nga komuna thonë se këtë muaj pritet të dorëzohen materiale në këshill, shkruan Portalb.mk.

Këshilli i Komunës së Tetovës më 30 janar 2026 e riformoi grupin e punës për riemërimin e rrugëve në Komunën e Tetovës pasi këshilli paraprak nuk arriti ta përfundojë këtë proces për shkak të zgjedhjeve lokale.

Megjithatë, gjysmë viti më vonë, opinioni nuk ka informata se ku ka ngecur ky proces.

Lidhur me këtë, në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Tetovës të mbajtur më 5 qershor 2026, këshilltarja e AKI-së nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Belinda Amiti kërkoi që kjo çështje të shtohet si pikë e rendit të ditës, por nuk u pranua nga shumica e këshillit.

“Kërkova se edhe nëse nuk shtohet si pikë e rendit të ditës, kryetari i grupit punues që është përcaktuar për riemërimin e rrugëve – Albi Qamili, të na japë informata se ku ka ngelur procesi. Shoh se nuk ka vullnet politik të mirëfilltë, me siguri VLEN e ka të vështirë të arrijë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në prandaj edhe zvarritet ky proces. Ne si këshilltarë të AKI-së e kemi shprehur mbështetjen e plotë rreth këtij procesi të riemërimit të rrugëve, mirëpo këshilltarët e VMRO-DPMNE-së janë deklaruar se janë për zgjidhje teknike, jo për riemërim, ata e mbështesin këtë iniciativë vetëm për rrugët të cilat nuk kanë emra, jo për ndryshim të emrave të rrugëve ekzistuese”, tha Amiti.

I pyetur për zvarritjen e këtij procesi, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se brenda këtij muaji pritet që të dorëzohen materiale në këshillin komunal.

“Është proces më kompleks dhe komisioni është duke punuar, unë kam qenë në kontakt me kryetarin e komisionit, informatat janë që brenda qershorit do kemi një informatë të përgatitur për Këshill që e njëjta pastaj të përcjellë procedurat e pëlqimeve të institucioneve, për të vazhduar procedura, besoj brenda qershorit duhet të kemi një draft të emrave”, tha Kasami.

Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale, ndërsa grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti.

Në këtë proces nuk është i përfshirë ndryshimi i emrave të shkollave dhe institucioneve publike, ashtu siç u promovua në vitin 2022 përmes nismës për ndryshimin e emrave të rrugëve, shkollave dhe institucioneve publike në Tetovë nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë dhe Komunës së Tetovës.

Në Tetovë edhe pse disa rrugë janë emëruar në gjuhën shqipe, të njëjtat shfrytëzohen vetëm nga Komuna e Tetovës gjatë komunikimit me qytetarët kurse në dokumente zyrtare vazhdojnë të qëndrojnë emrat nga koha e ish Jugosllavisë.

Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.

Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti hapi lëndë për emërimin e rrugëve në Tetovë në vitin 2007. Nisma është dorëzuar nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945.

Sipas nismës Këshilli i Komunës së Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend.

Bilall KasamiEmrat e Institucioneve - RrugëveKomuna e TetovësVideo Lajme