Pas zgjedhjes së tyre në Kuvend në kuadër të ristrukturimit të Qeverisë, ministrat e rinj kanë marrë zyrtarisht detyrat në dikasteret që do të drejtojnë. Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës, ku ministri i sapoemëruar Jeton Shasivari e mori funksionin nga paraardhësi i tij, Igor Fillkov, transmeton Portalb.mk.
Shasivari deklaroi se do të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe transparencë, duke u fokusuar në avancimin e sundimit të ligjit, forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, si dhe vazhdimin e reformave në përputhje me përcaktimet strategjike të Qeverisë dhe agjendën evropiane të vendit.
“Ministria e Drejtësisë do të mbetet një institucion i hapur dhe profesional, i përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve, sundimit të ligjit dhe sigurimit të një sistemi gjyqësor efikas, të drejtë dhe të qasshëm”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësisë, ish-ministri Azir Aliu ia dorëzoi detyrën ministrit të ri Sasho Klekovski. Gjatë ceremonisë, të dy diskutuan për projektet e realizuara, proceset në vijim dhe prioritetet e ministrisë.
Aliu u shpreh se pret që proceset e nisura të vazhdojnë dhe të forcohen edhe më tej në interes të pacientëve dhe punonjësve shëndetësorë, ndërsa i uroi Klekovskit sukses në ushtrimin e detyrës.
“Shëndetësia është një fushë në të cilën askush nuk fillon nga zero dhe askush nuk e përfundon i vetëm. Çdo ministër ka detyrimin të vazhdojë aty ku ka arritur institucioni, të përmirësojë atë që mund të jetë më mirë dhe të mbrojë interesin thelbësor të pacientit dhe të punonjësit shëndetësor. Besoj se sistemet më të mira janë ato që nuk kërkojnë heronj, por krijojnë kushte që dija, humanizmi dhe profesionalizmi të bëhen standard i përditshëm. Në këtë drejtim kam punuar. Në këtë drejtim besoj se shëndetësia duhet të vazhdojë të ecë përpara”, tha Aliu gjatë pranim-dorëzimit të mandatit.
Deputetët mbrëmjen e djeshme zgjodhën tetë ministrat e rinj në kuadër të ristrukturimit të Qeverisë të propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Të gjithë ministrat u zgjodhën me 69 vota “pro”, pa asnjë votë “kundër” apo “abstenim”, ndërsa gjatë ditës pritet që edhe ministrat e tjerë të rinj të marrin zyrtarisht detyrën në institucionet përkatëse.