Drejtori i “Parkingut” në Tetovë nën akuza keqpërdorimi dhe dështimi: Veturën zyrtare e përdori në Gostivar, u kërkua të shkarkohet

Drejtori i Ndërmarrjes Publike ‘Parkingu i Qytetit’ në Tetovë, Mirko Martinovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së është kapur duke e shfrytëzuar veturën zyrtare ditën e shtunë në Gostivar për qëllime private. Këtë dje para Këshillit Komunal e tregoi këshilltari i Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi, i cili nxori edhe fotografi. Drejtori u arsyetua se ka të drejtë ta përdorë veturën 24 orë. U kërkua shkarkimi i tij, por kjo nuk u pranua, ndërkaq debati kaloi me tensione, shkruan Portalb.mk.

Gjatë pikës së diskutimit për raportin financiar të NP ‘Parkingu i Qytetit’, këshilltari i nismës qytetare ‘Më Mirë për Tetovën’, Agron Arifi kërkoi përgjegjësi nga drejtori i ndërmarrjes, Mirko Martinovski, siç tha, për keqpërdorimin e veturës zyrtare për qëllime private. Konkretisht, se është parë duke e dërguar djalin e tij në stadiumin e Gostivarit.

“Këtu është fotoja e veturës zyrtare të drejtorit të parkingjeve. Më datë 02.05.2026, ditë e shtunë, vetura është parë te stadiumi i Gostivarit. Dikush e shfrytëzon veturën zyrtare që mendoj se është keqpërdorim flagrant. Unë me qenë kryetar komune, tani i jap urdhër administratës ta shkarkojë, përveç se nuk është i aftë ta nxjerrë ndërmarrjen me fitim, ta shfrytëzojë veturën zyrtare për qëllime private në qytete tjera mendoj se është e papranueshme”, tha Arifi.

Megjithatë, Mirko Martinovski u arsyetua.

“Nga Këshilli Drejtues i ‘Parkingut të Qytetit’ kam leje që ta përdor 24 orë veturën zyrtare për nevojat e drejtorit siç janë takime në qytetet tjera, për nevojat e ndërmarrjes”, tha Martinovski.

Por, Arifi theskoi se nuk mundet Këshilli Drejtues t’i jep leje që ai veturën ta shfrytëzojë për punë private, ndërsa kërkoi që Martinovski të shkarkohet.

Edhe këshilltari i Lidhjes Shqiptare, Arlind Murtezani kërkoi që Martinovski të shkarkohet.

“Drejtori i ka plotësuar të gjitha parakushtet për tu shkarkuar. Drejtori përpos që ka mangësi në menaxhim, del se ka edhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Keqpërdorin detyrën zyrtare, mjetet e ndërmarrjes dhe sillen në mënyrë arrogante këtu se ma ka mundësuar bordi”, tha Murtezani.

Vetura e NP ‘Parkingu i Qytetit’ – Tetovë e fotografuar në Gostivar më 02.05.2026 (E Shtunë). Foto e dërguar nga Agron Arifi (Më Mirë për Tetovën)

Këshilltari i Levicës, Bobi Ilievski i doli në mbrojtje drejtorit i cili u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Nuk është spektakolare, çdokush që ka veturë zyrtare do e kish marrë nëse momentalisht nuk kanë veturë personale. Edhe unë të njëjtën do e kisha bërë. Duhet të shihet puna e drejtorit si punon dhe çfarë punon”, tha Ilievski.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se do të kërkojë llogari nëse ka pasur keqpërdorim.

“Nëse atë që e konstatoni ju është e vërtetë, unë personalisht do të kërkoj nga Këshilli Drejtues të merr masa konform rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes. Nuk toleroj që askush veturat zyrtare të komunës t’i shfrytëzojë për nevoja private. Do kërkohet nga Këshilli Drejtues të rishikojë rastin dhe të merr masa”, tha Kasami.

Në mbrojte të drejtorit i cili u akuzua për keqpërdorime doli edhe bashkëpartiakja e tij, këshilltarja nga VMRO-DPMNE-ja Anita Boshkoska Jovanoska.

“Mendoj se nuk janë korrektë kolegët këshilltarë, sulmojnë njeriun sepse dikush dikë e ka parë diku para disa muajve. Pajtohem me kryetarin e komunës, shumë bukur e tha, Këshilli Drejtues le ta hetojë se çfarë ka qenë situata dhe çdokush le të përgjigjet nëse ka gabuar”, tha Boshkoska Jovanoska.

Në mënyrë që ta ndërpresë debatin, kryetari i Këshillit Komunal, Jusuf Abduli e kaloi në votim pikën e rendit të ditës për raportin financiar të ndërmarrjes së parkingjeve.

“Kjo udhëheqësi me këtë mentalitet që ka, pronën publike e shfrytëzon si pronë private, dëshmi më të madhe se kjo nuk e di a ka. Ta mbroni një person i cili e shfrytëzon veturën zyrtare për nevoja personale, turp më të madh nuk e di a mund të ekzistojë”, përfundoi Agron Arifi.

Për më tepër ndiqeni debatin e plotë në videon më poshtë.


Ndryshe, Ndërmarrja e Parkingjeve në Tetovë vazhdimisht për vite me radhë në raportet financiare del me humbje, pavarësisht të hyrave që realizon nga pagesat e parkingjeve.

Bilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKeqpërdorim i pozitës zyrtareKomuna e TetovësNP "Parkingu" i Qytetit - TetovёVideo LajmeVMRO-DPMNE