Partitë në RMV takohen sot në Parlament, raund i ri negociatash për Kodin Zgjedhor

Partitë parlamentare do të zhvillojnë sot takim të ri në Kuvend, në përpjekje për të dalë nga ngërçi lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në qendër të bisedimeve janë votimi i diasporës, modeli i njësive zgjedhore dhe rregullat për financimin e fushatës zgjedhore, transmeton Portalb.mk.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së pret që LSDM-ja dhe BDI-ja të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me propozimin për futjen e votimit me postë për diasporën. Sipas propozimit, e gjithë procedura do të rregullohej me akt nënligjor, të cilin Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet ta miratojë më së voni deri më 30 shtator 2028. Nga VMRO-DPMNE kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të pranojnë edhe një njësi të vetme zgjedhore si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë politike.

Levica kërkon kompromis dhe një njësi të vetme zgjedhore.

Lideri i Levicës, Dimitar Apasiev, tha se është i gatshëm për një marrëveshje politike me pushtetin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por vetëm nëse vendi kalon në një njësi të vetme zgjedhore. Prioritetet kryesore të Levicës mbeten pikërisht ky model dhe rregullimi i financimit të reklamimit politik me pagesë.

Nga ana tjetër, LSDM e ka hedhur poshtë propozimin për votim elektronik, duke theksuar se nuk është kundër pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor, por kundër një modeli që, sipas saj, nuk garanton siguri, transparencë dhe mbrojtje të mjaftueshme të vullnetit zgjedhor.

Nga partia thonë se, pas dështimit të përpjekjes për futjen e votimit elektronik, tani po tentohet të imponohet votimi me postë pa mekanizma të mjaftueshëm kontrolli dhe sigurie. Sipas LSDM-së, pushteti po refuzon që KSHZ-ja, me konsensus, t’i rregullojë këto procedura dhe pyesin pse shmangen mekanizmat që do të garantonin kontroll dhe besim më të madh në procesin zgjedhor.

“LSDM nuk do të lejojë vjedhje zgjedhore. Pushteti duhet të tërhiqet nga këto synime dhe të dorëzojë një propozim të ri, ku KSHZ-ja me konsensus do ta rregullojë votimin e diasporës”, thuhet në reagimin e partisë opozitare.

Nga LSDM theksojnë gjithashtu:

“Është e pavërtetë se LSDM është kundër votimit të diasporës, pasi mërgimtarët votojnë edhe tani. Ne jemi kundër një modeli që hap derën për manipulim dhe vjedhje zgjedhore me votat e 200 mijë qytetarëve të diasporës.”

Kryeministri Hristijan Mickoski ditët e fundit shprehu shpresën se mosmarrëveshjet me opozitën mund të tejkalohen dhe se deri më 15 korrik mund të gjendet një zgjidhje. Ai deklaroi se Qeveria dhe VMRO-DPMNE janë të gatshme të pranojnë një njësi të vetme zgjedhore, madje edhe kërkesën e Levicës për më shumë mjete financiare për fushatat e partive më të vogla, nëse kjo do të mundësonte miratimin e Kodit të ri Zgjedhor.

Sipas informacioneve paraprake, pjesëmarrësit në grupin e punës për Kodin Zgjedhor kanë arritur pajtueshmëri lidhur me modelin për shpërndarjen e mjeteve buxhetore të dedikuara për zgjedhjet.

Kujtojmë se Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit. Kodi Zgjedhor do të mbetet i pazbatuar, njoftoi dje kryeministri Hristijan Mickoski.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)E Majta – Levica partiaKodi ZgjedhorLidhja Social Demokrate (LSDM)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutVMRO-DPMNE