Mickoski, pas shfuqizimit të dhunshëm të qeverisë teknike, tani dëshiron të vendosë një sistem për vjedhje masive të votave, thuhet në kumtesën e sotme të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM). Nga LSDM thonë se pas shfuqizimit të qeverisë teknike, kryeministri Hristijan Mickoski po përpiqet të imponojë “modele autokratike” përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, transmeton Portalb.mk.
Sipas LSDM-së, qëllimi i ndryshimeve të paralajmëruara është të vendoset votimi në distancë për diasporën, me çka, siç pretendojnë, rreth 200.000 vota do të mbeteshin pa kontrollin përkatës.
“Derisa qytetarët tanë që votojnë në atdhe kalojnë kontroll serioz para votimit – madje edhe gjurmë gishti, kontroll të dokumenteve, nënshkrim në listën zgjedhore, Mickoski dëshiron të ketë mundësi absolute për vjedhje përmes votimit në distancë”, reagojnë nga LSDM.
Nga partia rikujtojnë një hetim i cili, sipas pretendimeve të tyre, ishte ngritur në Amerikë në dhjetor të vitit të kaluar për vjedhje votash, ku ishin të përfshirë serverë në pronësi të një kompanie serbe të afërt me SNS-në dhe presidentin Aleksandar Vuçiq.
“Të gjithë i dimë marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe Mickoskit, lidhjen e tyre ‘vëllazërore’ dhe partitë simotra. E dimë përdorimin e së njëjtës platformë bot-esh dhe fermave të trollëve për ndikim në rrjetet sociale”, shtohet në kumtesë.
Opozita akuzon edhe për ndikim të fortë hungarez dhe serb në hapësirën e brendshme, duke pretenduar se 40 përqind e mediave në Maqedoni janë në pronësi të strukturave të lidhura me kryeministrin hungarez Viktor Orban, dhe në shërbim të partisë në pushtet.
“E dimë edhe për Llatasin, i cili është njeriu kryesor për mediat dhe politikën editoriale në emër të Mickoskit. E dimë edhe për dëshirat dhe këmbënguljen më të fundit të Mickoskit për t’i shtyrë përpara qendrat e të dhënave në Maqedoni, edhe pse janë në dëm të ekologjisë dhe me konsum jonormal të energjisë elektrike, që mund të çojë në probleme me furnizimin e amvisërive. E dimë edhe kush merret me importin e energjisë elektrike me partnerin e tij të biznesit nga Serbia, konsullin e nderit”, thonë nga LSDM.
Sipas LSDM-së, këto janë arsye të mjaftueshme që të mos kalojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ata e akuzuan Mickoskin për praktikimin e “autoritarizmit të plotë”.
“Për jetën e tij të rehatshme dhe luksin, pushteti i është i domosdoshëm. Vetëm derisa është në pushtet mund të shkojë edhe në det, pa i dhembur gjunjët”, shtojnë nga LSDM.
Lideri i opozitës, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, dje në konferencë për shtyp deklaroi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ashtu siç janë propozuar tani, nuk janë as evropiane e as demokratike, duke iu referuar veçanërisht pjesës që parashikon që diaspora të mund të votojë në mënyrë elektronike, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale që duhet të mbahen në vitin 2029.
Propozim-ndryshimet e Kodit Zgjedhor po hyjnë në procedurë parlamentare me një bllokadë të paralajmëruar nga opozita.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë që qytetarët që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit në vend të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të votojnë në mënyrë elektronike përmes sistemit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas tekstit të propozim-ligjit votimi elektronik nga jashtë vendit do të zbatohej duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme të rregullta presidenciale, ndërsa modeli ekzistues i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore do të mbetej në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Propozim-ligji miratohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa në arsyetim thuhet se ndryshimet janë pjesë e reformave në legjislacionin zgjedhor, përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe detyrimeve të ndërmarra në kuadër të Agjendës së reformave të vendit. Afati i fundit për miratimin e ligjit për përmbushjen e Agjendës së reformave dhe Planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ishte dje, 1 korriku i vitit 2026.