Kaos në zemër të Tetovës: Kryqëzimet pa semaforë funksionalë, kolonat çdo ditë më të gjata

Semaforët në bulevardin ‘Ilinden’ në Tetovë nuk janë rregulluar ende pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga Komuna e Tetovës. Kaosi në këtë bulevard ditëve të fundit po rritet vazhdimisht për shkak të rritjes së numrit të veturave në komunikacion nga ardhja e mërgimtarëve, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse kontrata për ndërrimin e semaforëve në Tetovë u nënshkrua në fillim të vitit, shtatë muaj më vonë, kur veç më ka filluar sezoni veror dhe mërgimtarët po kthehen në vendlindje, shumë semaforë në qytet vazhdojnë të mos punojnë, kështu duke shkaktuar tollovi në komunikacion.

Si pika më kritike mbeten semaforët te Xhamia e Larme dhe ai te Gjykata e Tetovës, ku në kryqëzim të rrugës krijohen tollovi.

Ndonëse autoritetet komunale vazhdimisht ka premtuar zgjidhje, situata në terren mbetet e pandryshuar. Javë më parë u vendos semafor i ri vetëm te Shkolla e Mesme e Mjekësisë.

Nga Komuna e Tetovës vazhdimisht kanë premtuar se kjo çështje do të zgjidhet, por në terren situata mbetet e pandryshuar.

Premtim të ngjashëm dha edhe kësaj here Albi Qamili nga Komuna e Tetovës.

“Brenda këtyre ditëve, nesër, pasnesër, maksimum deri në fund të javës do të kemi montimin e semaforëve te Bulevardi ‘Ilinden’ te Xhamia e Larme, pastaj di vijojë montimi i semaforëve te Gjykata e Tetovës. Pasi të përfundojë montimi te Bulevardi ‘Ilinden’’ do vazhdojmë edhe te Bulevardi ‘V.S. Bato’ e kështu me radhë”, tha Qamili.

Komuna e Tetovës më 29 janar 2021 nënshkroi kontratë me kompaninë ‘A-Zero’ nga Gostivari për rregullimin e sinjalistikës rrugore në qytet, përfshirë edhe semaforët. Por gjashtë muaj më vonë, shumë semaforë në qytet kanë mbetur pa u ndryshuar.

Ndryshe, Tetova çdo ditë përballet me kaos në trafik. Pavarësisht se zgjidhja e këtij problemi pritej të bëhej me planin e mobilitetit, ky plan vazhdimisht u zvarrit ndërsa u publikua më 15 prill.

Pavarësisht se autoritetet me vite kanë premtuar zgjidhje për këto probleme, pamjet nga terreni flasin ndryshe. Situata rrëndohet ende më shumë gjatë verës dhe dimrit, kur kthehen mërgimtarët.

Komuna e TetovësSemafor/ëTetovaVideo Lajme