Qeveria ka shpallur shitjen e një koncesioni minerar për pothuajse të gjithë pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut, njoftoi shoqata “Zdrava Kotlina” nga Strumica, e cila prej vitesh kundërshton hapjen e minierave në vend, duke vlerësuar se ato shkaktojnë dëme afatgjata në mjedis, raporton Kolegoim.mk, transmeton Portalb.mk.
Vendimi për fillimin e procedurës për dhënien e koncesionit për kryerjen e hulumtimeve gjeologjike prospektuese për lëndë të para minerare metalike është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe mban datën 30 qershor. Ai është nënshkruar nga zëvendëskryeministri Lluço Dimovski. Tre ditë më vonë, më 3 korrik, vendimi u publikua në Gazetën Zyrtare dhe hyri në fuqi.
Në vendim thuhet se koncesioni jepet me qëllim të “zbulimit të lokaliteteve të reja me potencial për hulumtime të mëtejshme të detajuara gjeologjike, si dhe zbulimit të vendburimeve të reja të lëndëve të para minerare metalike”.
Hulumtimet do të kryhen në pjesën lindore të vendit, përkatësisht në komunat: Berovë, Bosilovë, Vallandovë, Vasilevë, Veles, Vinicë, Gjevgjeli, Dellçevë, Demir Kapi, Konçe, Shtip, Koçan, Probishtip, Radovish, Strumicë, Sveti Nikollë, Kumanovë, Staro Nagoriçan, Çeshinovë-Obleshevë, Zërnovc, Karbinc, Pehçevë, Lozovë, Petrovec, Kratovë, Negotinë dhe Novo Sellë.
“Zdrava Kotlina”: Maqedonia do të shndërrohet në koloni minerare
Shoqata “Zdrava Kotlina” vlerëson se ky vendim “nuk është asgjë më pak se një dekret për ta shndërruar atdheun tonë në një koloni minerare” dhe se qytetarët po mashtrohen me pretendimet se do të kryhen “vetëm hulumtime”. Për këtë arsye, ambientalistët u bëjnë thirrje këshillave komunalë që të japin mendim negativ për çdo kërkesë për hulumtim prospektues, duke shtuar se këshilltarët dhe kryetarët e komunave duhet të jenë nën presion të vazhdueshëm, “që të mos u shkojë ndër mend të japin mendim pozitiv”.
“Kjo është një thirrje për unitet, vigjilencë dhe rezistencë afatgjatë kundër jeniçerëve minerarë në qeveri, të cilët guxuan sërish, me vendim qeveritar, ta japin dhe ta shesin tokën maqedonase kompanive minerare botërore dhe ta shndërrojnë vendin në koloni për përfitimin e individëve në majat e partive politike. Ndërsa qytetarët e zakonshëm luftojnë për një jetë dinjitoze, ajër të pastër dhe mbrojtjen e pronës së tyre, njerëzit në kolltukë me një nënshkrim vendosin ta shndërrojnë atdheun tonë në një sitë minerare. Kjo nuk është betejë mes partive politike dhe as një ndërhyrje e zakonshme ekologjike. Kjo është një betejë brezash dhe biologjike për mbijetesën e familjeve tona, shtëpive tona dhe tokës pjellore maqedonase. Ka ardhur momenti që çdo qytetar i ndershëm, pavarësisht fesë, kombësisë apo përkatësisë partiake, të qëndrojë krah për krah me fqinjin e tij. Qytetari i zakonshëm është mashtruar dhe keqpërdorur për dekada nga individë në strukturat e larta të pushtetit, por uniteti ynë është muri që ata nuk do ta thyejnë kurrë”, thuhet në reagimin e “Zdrava Kotlina”.
Nga shoqata thonë se kurthi qëndron në faktin se plani nuk është një hulumtim i zakonshëm gjeologjik, por një “rrethim ekologjik i planifikuar me kujdes”, që përfshin 27 komuna në një territor të vogël dhe të dendur me popullsi. Sipas tyre, është e pavërtetë se “vetëm po kërkohet mineral dhe nuk do të hapen miniera”, ndërsa ndryshimet në Ligjin për Lëndët e Para Minerare, të miratuara në prill, përbëjnë një “atentat ligjor ndaj pronës private”, pasi koncesionarit i lejohet të marrë leje për shfrytëzim dhe të nisë gërmimet në tokë private edhe para përfundimit të procedurës së shpronësimit.
Për këtë arsye, ata u bëjnë thirrje këshillave komunalë të japin mendim negativ për të gjitha kërkesat për hulumtime prospektuese dhe kërkojnë transparencë të plotë në proces.
“Kërkojmë publikimin e menjëhershëm të çdo kërkese për mendim që u dërgohet vetëqeverisjeve lokale. Populli ka të drejtë të dijë kur ndonjë korporatë shfaq interes për arën e tij. Nevojitet vetorganizim qytetar, krijimi i komiteteve lokale të vigjilencës dhe gatishmëri për reagim të shpejtë. Kemi mësuar shumë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe është koha t’i zbatojmë ato mësime”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Paralajmërohet rezistencë qytetare kundër minierave
“Pse u duhen këto hulumtime nëse nuk synojnë të hapin miniera? Krijuan një Ministri të re për Energjetikë, Miniera dhe Lëndë të Para Minerare, bënë ndryshime në Ligjin për Lëndët e Para Minerare – të gjithë hapat çojnë drejt hapjes së minierave. Nuk e di si mendojnë se kjo do t’u kalojë”, tha për Kolegium.mk aktivisti mjedisor Stojan Vellkov, kryetar i “Zdrava Kotlina”.
Ai paralajmëroi rezistencë të fuqishme qytetare.
“Populli është i revoltuar, situata është e tensionuar. Nga rajoni juglindor po mblidhemi për të diskutuar hapat e ardhshëm. Po organizohemi edhe në nivel lokal, nëpër komuna. Kemi mbështetje të madhe, sepse njerëzit janë të vetëdijshëm se çfarë do të thotë një minierë. Minierat e shkatërrojnë natyrën në mënyrë të pakthyeshme. Në shkëmbinj ka arsen, kadmium dhe metale të tjera të rënda që depërtojnë në ujërat nëntokësore dhe përhapen kudo. Përpunimi i mineralit është i dëmshëm, sepse përdoren substanca agresive për të ndarë mineralin nga shkëmbi. Më pas natyrës i duhen mijëra vjet për t’u rikuperuar”, tha Vellkov.
Më 29 qershor, organizata ekologjike protestuan dhe kërkuan anulimin e koncesioneve për minierën Illovicë–Shtukë, pasi Gjykata e Lartë Administrative në maj riktheu në fuqi bashkimin e koncesioneve.
Më herët pati reagime publike edhe për projektin e paralajmëruar për nxjerrjen e antimonit në minierën Krstov Doll, pranë Kriva Pallankës, e cila ndodhet në fazën fillestare të hulumtimit. Kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, deklaroi atëherë se nuk do të lejohet asnjë investim që do të ishte në dëm të shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.
Në tetor të vitit të kaluar, Ministria e Energjetikës njoftoi se ishin ndërprerë 45 koncesione në sektorin e minierave dhe energjetikës për shkak të mosrespektimit të dispozitave ligjore dhe masave ekologjike, mospagesës së tarifave të koncesionit, transferimit të koncesioneve pa pëlqim dhe shfrytëzimit jashtë zonave të lejuara.