Parlamentare 2024: Barazia gjinore pak e rëndësishme për VLEN dhe Frontin Evropian

Për pak ditë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Parlament. Derisa partitë po zhvillojnë aktivitetet e tyre të fundit për t’i bindur qytetarët që t}i votojnë, Portalb.mk analizoi programet zgjedhore dy blloqeve shqiptare, koalicionit opozitar Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN) dhe Frontit Evropian se çfarë premtojnë në drejtim të barazisë gjinore.

Të dy blloqet në sloganet e tyre përmbajnë fjalën “Evropë” por në programet e tyre me të cilat garojnë në zgjedhjet parlamentare mezi gjen ndonjë fjalë për barazinë dhe diskriminimin gjinor.

Nuk vlen barazia gjinore

Lidhja Evropiane për Ndryshim në programin e tyre thekson se do të rritet ndjeshëm numri i çerdheve, gjë që do të mundësojë edhe rritjen e punësimit të grave dhe zhvillimin e hershëm të fëmijëve.

VLEN premton kuota 40 përqind për gratë.

“Përfshirjen e grave në të paktën 40% të të gjitha pozicioneve të emëruara, në të gjitha nivelet”, thuhet në program.

Në drejtim të barazisë gjinore, ata premtojnë diskriminimin pozitiv për postet me konkurs.

“Në rastet kur pikët janë të barabarta do të favorizohet gjinia që ka më pak prezencë në secilin vend të punës”, thuhet në programin e VLEN.

Pa front gjinor

programin “Evropa 2030” Fronti Evropian barazinë gjinore e përmend shumë pak. Një pikë ku përmendet barazia gjinore, është te Marrëveshja për Konsensus Ekonomik.

“Ose më saktë Marrëveshja Kornizë Ekonomike, synon të sigurojë një kornizë për një ekonomi me mundësi të barabarta në një ekonomi funksionale të tregut të lirë me konkurrencë të ndershme dhe zhvillim dhe infrastrukturë të balancuar rajonale, e cila krijon mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në ekonomi pavarësisht të përkatësisë së tyre etnike, kulturore, gjinore dhe grupeve të tjera shoqërore”, thuhet në program.

Fronti Evropian zotohet për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në administratë dhe sektorin publik edhe në aspektin gjinor.

“Të gjithë burrat dhe gratë duhet  të kenë një zë në vendimmarrje, qoftë drejtpërdrejt ose nëpërmjet institucioneve të ndërmjetme legjitime që përfaqësojnë interesat e tyre”, thuhet në program.

Premtim tjetër është edhe zbatimi i politikave gjithëpërfshirëse të pushimit familjar me pagesë që përfshin pushimin e lehonisë dhe atësisë.

“Amviset që kryejnë veprimtari të ndryshme (ushqime apo veshje tradicionale), ndërsa nuk janë të përfshira në sigurimin social, do t’u mundësohen kushte të volitshme si kategori të veçanta, respektivisht të jenë pjesë e sistemit social”, thuhet në program.

Fronti Evropian premton edhe  barazi gjinore në sport.

“Ndërmarrja  e masave për nxitjen e barazisë gjinore në sport, duke përfshirë përkrahjen e programeve dhe turneve për vajzat dhe gratë, si dhe promovimin e trajnerëve dhe drejtuesve të vajzave në sport”, thuhet në program.

Për dallim nga këto dy koalicione, dy koalicionet e partive maqedonase të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë shumë premtime konkrete për barazinë gjinore, të cilat Portalb.mk do t’i publikojë nesër (5 maj).

Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare do mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Barazi gjinoreFronti EvropianLidhja Evropiane për NdryshimZgjedhje parlamentare RMV 2024