Paraburgim për një person nga Shkupi, e vrau gruan dhe e fshehu trupin, më pas e raportoi të zhdukur duke u shfaqur i shqetësuar

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit lëshoi ​​mbrëmë urdhër për kryerjen e procedurës hetimore kundër një 51-vjeçari për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka kryer veprën penale – Vrasje sipas nenit 123 paragrafi 2 pika 2 të Kodit Penal. Më 25 qershor, në zonën e fshatit Letevc, gjatë kryerjes së dhunës në familje, ai me paramendim ia mori jetën gruas së tij, transmeton Portalb.mk.

Në mbrëmje, i dyshuari e mori gruan nga vendi i saj i punës me makinë, e çoi në një zonë të vështirë për t’u aksesuar ku e sulmoi fizikisht. Ai ia shtypi fort qafën me një pjesë të trupit të tij, dhe në të njëjtën kohë ia mbajti gojën dhe hundën të mbyllura në mënyrë që ajo të mos merrte frymë. Viktima rezistoi dhe u mbrojt, por ajo nuk mundi të çlirohej dhe u mbyt dhe vdiq në vend.

I dyshuari e fshehu trupin e saj nën degë midis pemëve, dhe të nesërmen e raportoi gruan e tij të zhdukur në polici. Më 27 qershor, ai u tha tre të njohurve se e dinte se ku ndodhej gruaja, sepse ajo i ishte shfaqur në ëndërr dhe i kishte thënë se ku të shkonte për ta shpëtuar. Të gjithë shkuan me makinë në vendin ku kishin vënë re trupin e gruas dhe e raportuan në polici.

“Prokurori publik vlerësoi se në rastin konkret kishte rrethana që tregonin rrezik arratisjeje, mundësinë që i dyshuari të pengonte procedurën penale duke ndikuar te dëshmitarët, si dhe rrethana që justifikonin frikën se ai mund të kryente vepër të re. Përveç kësaj, prokuroria mori parasysh në veçanti llojin dhe peshën e krimit, si dhe mënyrën e ekzekutimit, e cila përfshinte një periudhë të mëparshme planifikimi, por edhe një periudhë kohore pas ngjarjes në të cilën i dyshuari fshehu trupin e palës së dëmtuar, duke krijuar njëkohësisht pamjen e një bashkëshorti të shqetësuar i cili mori pjesë aktive në kërkimin e saj dhe u përpoq të krijonte alibi për të shmangur ndjekjen penale. Për këto arsye, prokurori publik i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale në Shkup për përcaktimin e një mase paraburgimi”, thonë nga Prokuroria.

Dhuna familjareParaburgimProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVVrasje - Ekzekutim