Ministria e Bashkësive në RMV nisi iniciativë me tifo-grupet për t’i ndalur thirrjet nacionaliste në stadiume

Nxitje të urrejtjes ndëretnike nëpër stadiume të futbollit shoqëria jonë ka parë pothuajse në secilën ndeshje të nxehtë. Edhe atëherë kur nuk kanë luajtur ekipe të dy etniteteve më të mëdha në vend, thirrjet nacionaliste nuk kanë munguar. Ministria për marrëdhënie ndërmjet bashkësive thirri në takim përfaqësues të dy tifogrupeve Komitët dhe Shvercerat, por dhe përfaqësues të Federatës së futbollit të Maqedonisë , Ministrisë së sportit, të policisë e të tjerë, transmeton TV21.

 “Gjatë ndeshjeve sportive kanë qenë jo korrekt në këndimet apo brohoritjet e tyre me gjërat që janë ofenduese, që nxitin urrejtjen apo që kanë përmbajtje politike, po ashtu me prapavijë të nxitjeve të tensioneve dhe për këtë shkak biseduam shumë haptas me të gjithë dhe ju thamë që jemi të hapur për të ndihmuar në këtë problematikë”, theksoi Agon Ferati, ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive .

Ministri Ferati tha se vetë partitë politike në disa raste bëjnë nxitje të urrejtjes ndëretnike, sidomos kur afër janë fushatat parazgjedhore. Ai tha se përveç masave ndëshkuese nga autoritet e rendit, ky projekt ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të bien pre e disa grupeve të vogla të interesit.

“Rrethanë lehtësuese është ajo që së fundmi nuk kemi ndonjë paralajmërim për zgjedhje të parakohshme dhe kjo na jep mundësi që në mënyrë të qetë të punojmë në këtë drejtim sepse kjo është një çështje që merr një kohë më të gjatë nuk është se vetëm mundet me një takim ose me një vendim të vetëm që të përmirësohen punët. Kjo duhet të zhvillohet në një formë të njëtrajtshme dhe për një periudhë shumë më të gjatë”, tha Agon Ferati, ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.

Deri më tani për shkak të thirrjeve nacionaliste dhe anti-shqiptare, nga FFM-ja është dënuar K.F.Vardari një herë me vetëm një ndeshje pa publik dhe 5.000 euro gjobë për ndeshjen kundër K.F.Bashkimit.

E njëjta gjuhë e urrejtës vazhdoi edhe në disa ndeshje të futbollit, siç ishte ndeshje mes Vardarit dhe Bashkimit, apo edhe në ndeshje të tjera ku luante K.F. Vardari, K.F. Pelisteri dhe K.F. Tikveshi, qoftë me ekipe shqiptare apo maqedonase, tifozët maqedonas brohorisnin duke kërkuar vdekje apo dhoma gazi për shqiptarët. 

Më pas, në ndeshjen Shkendija-Karabak në arenën “Todor Proeski” në Shkup, brohoritja “Ilirida” dhe valëvitja e flamurit “Shqipëri e madhe” nga tifozët shqiptar u cilësua si gjuhë e urrjetjes.

Për këtë të dytën autoritetet vepruan me shpejtësinë e dritës duke e dënuar me kusht dhe duke e dëbuar shtetasin e Gjermanisë që valviti flamurin e “Shqipërisë së Madhe”.

Për të parën e cila  si rast ndodh më herët dhe u dëshirua vdekja e shqiptarëve nga MPB na u tha se është arrestuar një person dhe se policia “ende merr masa për zbardhjen e rastit”.

Ndryshe, ndër shembujt më pozitiv është përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll. Përbërja e saj në, aspektin etnik, është e përzier. Shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera, ndajnë bashkë dëshpërimet nga humbjet dhe gëzimet e fitoreve.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mos reagimi adekuat i MPB-së, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskpertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë. Raste të tilla vazhdojnë të hedhin hije mbi frymën sportive dhe bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. 

DiskriminimGjuha e urrejtjesMinistria për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive (MMNB)SportTifoz(e)