Antikorrupsioni mbylli dhjetëra lëndë: Vetëm tri vendosi t’i dërgojë në Prokurori

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në seancën e 40-të, mori 90 vendime për lëndë të ndryshme, por vetëm tri prej tyre u përcollën në Prokurorinë Publike. Dhjetëra procedura u ndërprenë, ndërsa disa lëndë u hodhën poshtë ose iu përcollën institucioneve të tjera kompetente. Mes rasteve të shqyrtuara ishin edhe persona të zgjedhur ose të emëruar që nuk kishin dorëzuar deklaratat për pasurinë dhe interesat, ndërsa në disa raste Antikorrupsioni konstatoi se nuk kishte elemente për veprime të mëtejshme, transmeton Portalb.mk.

Në seancë, KSHPK-ja mori 90 vendime për lëndët e formuara në kuadër të kompetencave të saj ligjore, prej të cilave 50 janë nga fusha e parandalimit të korrupsionit, 30 nga fusha e evidentimit dhe monitorimit të gjendjes pasurore dhe 10 nga fusha e parandalimit të konfliktit të interesave.

Në tre (3) lëndë, pas përcaktimit të gjendjes faktike, KSHPK-ja vendosi ta ndërpresë procedurën dhe lëndët, së bashku me dokumentacionin e mbledhur, t’ia dorëzojë Prokurorisë Publike për veprime të mëtejshme në kompetencë të saj.

Në 11 lëndë, KSHPK-ja konstatoi se organet kompetente kanë vepruar ose janë duke vepruar lidhur me pretendimet, për çka u mor vendim që procedura para KSHPK-së të ndërpritet.

Në gjashtë (6) lëndë, pas mbledhjes së informacionit të nevojshëm dhe përcaktimit të gjendjes faktike, u konstatua se pretendimet e paraqitura në denoncime nuk janë vërtetuar dhe se nuk ka elemente për veprime të mëtejshme nga KSHPK-ja, për çka u mor vendim që procedura të ndërpritet.

Në katër (4) lëndë, pas përcaktimit të gjendjes faktike, KSHPK-ja vendosi ta ndërpresë procedurën, pasi nuk është konstatuar shkelje e ligjit.

Në 18 lëndë, pas përcaktimit të gjendjes faktike, KSHPK-ja konstatoi se nuk ka elemente për veprime të mëtejshme dhe vendosi që procedura të ndërpritet. Në tri raste, lëndët do t’u përcillen organeve të tjera kompetente për veprime të mëtejshme.

Në dy (2) lëndë u mor vendim për ndërprerjen e procedurës, me ç’rast organit kompetent do t’i dërgohet udhëzim për ndërmarrjen e veprimeve për tejkalimin e gjendjes së konstatuar.

Në 20 lëndë, të formuara për shkak të mosdorëzimit të deklaratës për gjendjen pasurore dhe interesat nga persona të zgjedhur dhe të emëruar, u mor vendim që procedura të ndërpritet, pasi shkelësit kanë vepruar sipas urdhërpagesave për kundërvajtje të lëshuara. Në pesë (5) prej këtyre lëndëve, në të cilat personat – anëtarë të këshillave të komunave – edhe pas pagesës së gjobës ende nuk kanë dorëzuar deklaratën, atyre do t’u dërgohet udhëzim për përmbushjen e detyrimit ligjor.

Në 19 lëndë u konstatua se denoncimet nuk përmbajnë elemente për veprim në kompetencë të KSHPK-së, për çka u mor vendim që denoncimet të hidhen poshtë.

Në shtatë (7) lëndë u mor vendim që denoncimet të hidhen poshtë dhe t’u përcillen organeve të tjera kompetente për veprime në kompetencë të tyre.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 290 vepra penale me elemente korrupsioni dhe 678 persona të kallëzuar, me dëm të shkaktuar që vlerësohet në mbi 23.67 miliardë denarë, treguan të dhënat e raportit vjetor për vitin 2025 të MPB-së. Raporti theksonte goditjen e katër grupeve të organizuara kriminale me veprimtari korruptive, ku janë përfshirë 120 persona fizikë dhe 18 persona juridikë. Gjatë vitit janë realizuar gjithsej 180 raste hetimore në fushën e korrupsionit, ndërsa numri i veprave penale të zbuluara ka shënuar rritje prej 40.8% krahasuar me vitin paraprak. Rritje është regjistruar edhe në numrin e përgjithshëm të rasteve të trajtuara dhe të personave të përfshirë në veprimtari kriminale.

Komisioni për Antikorrupsion RMVKorrupsion - Ryshfet