Nga gjithsej 150 portale online që morën para nga shteti për reklamimin e koalicioneve partiake për zgjedhjet parlamentare të muajit maj të këtij viti, rreth 40 nuk kanë impresum, që do të thotë se kanë pronësi të paqartë dhe jotransparente, tregon kështu hulumtimi i fundit të cilin e realizoi Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Impresumi zakonisht përmban informacion për emrin e kompanisë ku është regjistruar portali, selinë, kontaktet, për emrin e kryeredaktorit dhe ekipin e redaksisë. E gjithë kjo nevojitet që qytetarët të dinë se nga kush informohen, e sigurisht që duhet të jetë e rëndësishme edhe gjatë përzgjedhjes nga koalicionet partiake kur ua japin paratë e shtetit mediave që t’i theksojnë platformat e tyre parazgjedhore.
Në hulumtimin e parë Meta.mk i publikoi top 20 portalet që kanë marrë më shumë para gjatë zgjedhjeve – dhe kryesisht këto janë portale me një numër të madh lexuesish dhe me pronësi transparente.
Në hulumtimin e dytë e publikojmë bazën e të dhënave me të gjitha 150 portalet online që kanë marrë para nga shteti për zgjedhjet parlamentare, bashkë me të dhënat për atë se cili koalicion cilëve portale u ka dhënë para.
Duam të theksojmë se në këtë rast bëhet fjalë vetëm për para të ndara për zgjedhjet parlamentare (jo për zgjedhjet presidenciale) dhe se një portal online mund të marrë maksimum 15 mijë euro nga një pjesëmarrës në zgjedhje.
Hapja e një portali online është shumë e lehtë – mjafton të blini një domen dhe të filloni të mbushni faqen me përmbajtje, cilësia e së cilës nuk mund të garantohet. Hulumtimi i Meta.mk tregon se është mjaft e lehtë edhe të marrësh para të shtetit nga koalicionet partiake, aq më tepër nëse dihet se nuk ka kontroll dhe mbikëqyrje mbi mënyrën se si shpenzohen ato dhe nëse përdoret një “truk” – në vend të një të hapen disa portale.
Shoqëria për prodhim, tregti dhe shërbime MM MEDIA DVA ShPKNjP Dellçevë është një kompani kontakt administrativ i së cilës është Mario Millçevski. Në emër të tij sot drejtohet portali online Аktuellno denes, i cili përmes koalicioneve ka marrë pothuajse 2.000 euro para buxhetore – nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së ka marrë 976 euro për zgjedhjet parlamentare, po aq edhe nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja. Sipas Rrjetit Hulumtues Akademik të Maqedonisë (Маrnet), ky ueb portal është hapur më 17 shkurt të vitit 2024, ndërsa tekste në të janë publikuar deri në gusht të këtij viti, pra dy muaj pas përfundimit të zgjedhjeve. Nga ajo kohë kohë pas kohe publikon vetëm ndonjë lajm të shkurtër.
Por këtu nuk përfundojnë angazhimet e kësaj kompanie nga Dellçeva. Në emër të MM MEDIA DVA ShPKNjP Dellçevë është i regjistruar edhe portali Informatorplus, në të cilin teksti i parë u botua në shkurt të këtij viti, kurse i fundit në maj të këtij viti. Edhe pse në logon e portalit thuhet “Mësoni të parët për ngjarjet në Maqedoni dhe në botë”, lexuesit mësojnë për ngjarjet në Maqedoni dhe në botë vetëm 4 muaj, dhe atë pikërisht gjatë fushatës parazgjedhore. Për fushatën për zgjedhjet parlamentare Informatorplus ka marrë 976 euro nga koalicioni Maqedonia Jote, ndërsa 894 euro nga “Maqedonia Jote”. Kompania nga Dellçeva qëndron edhe pas portalit Pogled.mk, i vetmi portal që është ende në funksion. Në këtë portal nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja janë derdhur 3.972 euro, ndërsa 1.301 euro nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja.
Tre portalet, dy prej të cilave funksionuan vetëm për një periudhë të shkurtër, kanë marrë gjithsej mbi 9 mijë euro para të qytetarëve për zgjedhjet parlamentare.
Në një prononcim për Meta.mk themeluesi i tri portaleve, Mario Millçevski, thotë se nuk bëhet fjalë për hapje të portaleve para zgjedhjeve, por se po punohet për ndryshimin e dizajnit të ueb-faqeve.
“Jemi duke punuar për ndryshimin e dizajnit të të dy faqeve dhe gjatë ridizajnimit unë nuk kam qasje në këto portale, nuk mund të postoj përmbajtje të reja. Pogled.mk ka kohë që punon, ndërsa vetëm në faqen në Facebook ne kemi 130 mijë ndjekës”, na tha Millçevski në një bisedë telefonike.
Pas një kohe ai na kontaktoi sërish për të na thënë se portali online Aktuellno denes po funksionon, por përmbajtjet e fundit nuk ishin postuar në faqen e parë, e për këtë arsye dukej sikur faqja nuk po funksiononte. Pas e kontrolluam sërish ne zbuluam se faqja kryesore ishte ndryshuar menjëherë pas bisedës tonë telefonike më 16 tetor të vitit 2024 dhe se ishin postuar disa përmbajtje të reja me të njëjtën datë.
I ngjashëm është rasti me portalet Uskana dhe Pollogu – të dy portalet duken krejtësisht njësoj, dallojnë vetëm për nga ngjyra e ueb-faqes (njëra është blu dhe tjetra e kuqe), në to publikohen të njëjtat tekste, si dhe kanë të njëjtin pronar nga Tetova. Të dy portalet kanë marrë nga 976 euro nga koalicioni i udhëhequr nga BDI-ja.
Një rast të ngjashëm ka zbuluar edhe Radio Evropa e Lirë me hulumtimin “Portale për lëvdimin e BDI-së dhe për njollosjen e disidentëve“ që nxorri në pah lidhjen e dhjetë portaleve nën ombrellën e një kompanie, e siç shkroi Radio Evropa e Lirë , gjysma e këtyre portaleve bënin një manipulim të orkestruar kundër kryetares së Gjykatës së Lartë, Besa Ademi dhe kundër kundërshtuesve të tyre – opozitës së atëhershme – Vlen-it.
Nga kontrolli i kryer u konstatua se portalet kanë të njëjtën pronare – Iliriana Bajrami, bashkëshorte e Kujtim Bajramit, asokohe shef i kabinetit të drejtorit të Llotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami. Pas publikimit të teksteve të REL kompania “Infinite Solutions” e ka ndryshuar pronësinë.
Disa nga këto portale kanë marrë para për zgjedhjet parlamentare dhe atë vetëm nga një koalicion – ai i udhëhequr nga BDI-ja. Portali online Redaksia ka marrë 6.000 euro nga Fronti Evropian, ndërsa Indeks pothuajse 15.000 euro. Nga i njëjti koalicion rreth 6.000 euro ka marrë edhe portali Politiko, Opinion 8.250 euro, po kaq edhe Dosja. Kjo praktikisht do të thotë se më shumë se 40 mijë euro para nga buxheti kanë shkuar në portale online që janë ose që kanë qenë nën ombrellën e një kompanie.
Për t’i shmangur keqpërdorimet nevojiten rregulla më të rrepta për financimin e fushatave
Hulumtimi ynë tregon se një pjesë e portaleve online për zgjedhjet kanë marrë para nga koalicione të ndryshme, por portale të caktuara për fushatën kanë marrë para vetëm nga një koalicion. Të tilla janë TV Klan, Tetovasot, Opinion.mk, Dosja.mk, Bild (që kanë marrë para nëpërmjet Frontit Evropian të udhëhequr nga BDI-ja), Aktuale.mk, Strugalajm.mk, Fol.mk (nëpërmjet VLEN-it) , Republika, Ekspres, Kurir, Veçer, Mkvesti.mk, Skopsko Eho, Netpres, Lider (nëpërmjet koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja), Derbi, Centar, Nezavisen, Libertas (nëpërmjet koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja).
Sipas kësaj, është e pamshmangshme pyetja nëse dhe deri në çfarë mase deponimi i parave në mediat online nga vetëm disa koalicione apo subjekte politike mund të ndikojë në raportimin e paanshëm?
“Sipas ligjit, e në përputhje me Kodin Zgjedhor, mediat online pas zgjedhjeve dërgojnë raporte në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) dhe në institucionet tjera relevante. Por ndryshe nga televizionet, ku ka rregulla strikte për matje të kohëzgjatjes (sa minuta në orë) dhe cilësisë të përmbajtjes politike, për mediat online në praktikë nuk ekzistojnë rregulla të tilla. Kjo u mundëson portaleve të caktuara që të transmetojnë përmbajtje me pagesë vetëm nga një parti politike, duke çrregulluar kështu ekuilibrin politik. Gjithashtu ka edhe raste kur partitë reklamohen në portale që hapen menjëherë para zgjedhjeve ose portale që nuk janë informative ose janë të regjistruara jashtë vendit. Kjo tregon se zgjidhja aktuale ligjore është e ndjeshme ndaj keqpërdorimeve dhe se nëse nuk ka vullnet politik për ta hequr këtë koncept, atëherë nevojiten rregulla më të rrepta për financimin e fushatave për t’i shmangur keqpërdorimet”, thotë Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).
Ajo që vihet re edhe kur bëhet fjalë për portalet online në llogarinë e të cilëve janë derdhur paratë shtetërore nga pjesëmarrësit në zgjedhjet parlamentare është se shumica e portaleve që publikojnë përmbajtje në gjuhën shqipe nuk kanë impresum, gjegjësisht numri i atyre që kanë është shumë i vogël. Kështu, impresum nuk ka në Lajpress, Index.mk, Telegrafi, Aktuale, Redaksia, Gazeta, Mkdenes, Dërveni, Kepenci, Gazetamaks, Ohri1 e shumë të tjera – afro 40, që është pothuajse një e treta e të gjitha portaleve online që kanë marrë para për reklama politike të paguara për zgjedhjet parlamentare.
Për shembull, portali online Pakoment.info është një nga portalet që ka marrë 820 euro nga koalicioni “Për Maqedoni Evropiane” për zgjedhjet parlamentare në muajin maj të këtij viti. Ky ueb portal nuk ka domen MK, nuk ka impresum, ndërsa në mjetin „Whois“, shihet se është regjistruar më 15 shkurt të këtij viti, por pronësia është e fshehur. Teksti i fundit i publikuar në këtë portal është publikuar në maj të këtij viti, para zgjedhjeve parlamentare.
Në Promedia (ku paraqiten të gjitha mediat online të cilat i plotësojnë kriteret e detyrueshme të Këshillit të Etikës në Media në Maqedoni-KEMM) për të qenë pjesë e regjistrit të mediave profesionale online mund të marrin pjesë edhe mediat online, të cilat i plotësojnë këto kritere:
- Kanë domein MK;
- Kanë paraqitur një impresum të besueshëm (emrin dhe mbiemrin e kryeredaktorit ose redaktorit përgjegjës dhe përbërjen e redakcisë), adresën dhe të dhënat e tjera të domosdoshme për kontakt;
- Publikojnë rregullisht përmbajtje informative me interes publik;
- Kanë të regjistruar shoqëri tregtare aktive ose shoqatë aktive të qytetarëve që nuk merr pjesë në tregun e reklamave dhe njoftimeve komerciale dhe politike;
- E deklarojnë në mënyrë transparente pronësinë dhe mënyrën e financimit në përputhje me ligjet, ndërsa me kërkesë të KEMM dhe Promedias prezantojnë edhe të dhënat e nevojshme për përditësimin e anëtarëve;
- Kanë të paktën dy persona të punësuar në redaksi, në pajtim me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës;
- Publikojnë rregullisht përmbajtje përmbajtje me të drejtë autori, duke respektuar të drejtat e autorit në përputhje me ligjin;
- Kanë të publikuar çmimore për reklamim;
- E respektojnë Kodin e Gazetarëve, Kartën për Raportimin Etik gjatë Zgjedhjeve dhe Statutin e KEMM-it.
Sipas hulumtimit të Meta.mk, që ka bërë një inspektim të detajuar në të gjitha 150 mediat që nëpërmjet koalicioneve kanë marrë para shtetërore në zgjedhjet parlamentare, një numër i madh i mediave nuk i respektojnë këto kushte, njëzet portale online nuk e kanë aspak domenin MK, kështu që praktikisht është e pamundur të zbulohet se kush është pronari i tyre, ndërsa pothuajse një e treta e tyre nuk kanë impresum.
“Fakti që edhe më tej sipas Kodit Zgjedhor paratë për reklama politike u ndahen pa kritere portaleve online është një problem serioz për të cilin kanë reaguar nga sektori mediatik joqeveritare dhe KEMM, por për momentin nuk ka ndonjë ndryshim në këtë praktikë”, tha Biljana Georgievska, drejtore ekzekutive e Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë.
Ajo shton se nga këndvështrimi i Këshillit për Etikën në Media e logjikshme është që me paratë e taksapaguesve të paguhen ato media që janë të përgjegjshme ndaj publikut, që i respektojnë standardet profesionale dhe etike në punën e tyre, që raportojnë sipas dispozitave të Kodit Etik të Gazetarëve të Maqedonisë dhe sipas Udhëzimeve për raportim etik të mediave online.
“Pse të paguajnë qytetarët për portalet online që raportojnë në mënyrë të pasaktë, manipulative, që bëjnë propagandë në favor të një partie të caktuar politike apo faktorëve të huaj, që nxisin gjuhën e urrejtjes dhe nuk ndihmojnë për demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë? Me sa mund të konkludoj nga informacionet për atë se cila parti ku i ka derdhur paratë për reklama politike gjatë zgjedhjeve të muajit maj të këtij viti, pikërisht kështu ka ndodhur, me paratë e popullit janë financuar edhe media që shkaktojnë trazira mbi bazë politike, etnike apo mbi ndonjë bazë tjetër tek votuesit, që favorizojnë një palë politike dhe që i bëjnë punët e “pista” të politikanëve”, shton Georgievska.
Faqja nuk mund të gjendet
Krahas portaleve që nuk i plotësojnë kushtet minimale për pronësi transparente, Meta.mk ka zbuluar edhe portale online në të cilat janë reklamuar koalicionet gjatë zgjedhjeve, e të cilat nuk ekzistojnë më.
Portali online istok3.mk ka marrë 683 euro para shtetërore nga koalicioni Për Maqedoni Evropiane të udhëhequr nga LSDM-ja. Nëse provoni ta hapni këtë faqe sot do shihni se ajo nuk ekziston më.
Ekziston vetëm një faqe në Facebook me po atë emër në të cilën deri në muajin maj, gjegjësisht deri në zgjedhjet parlamentare janë promovuar aktivitetet parazgjedhore të LSDM-së.
Ngjashëm është edhe me portalin online Procitaj.mk, i cili nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja ka marrë 748 euro, por sot kjo uebfaqe nuk ekziston. Faqja në Facebook e Procitaj.mk ka qenë aktive para 6 vitesh, pra deri në vitin 2018 dhe ka qenë e destinuar për publikimin e përmbajtjeve argëtuese.
Nuk ekziston as ueb-faqja Diasporapress.mk, ku sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve janë derdhur 2.000 euro nga koalicioni VLEN, ndërsa të dhëna për të nuk mund të gjenden as në Marnet. Meta.mk e gjeti vetëm ueb-faqen Diasporapress.dk, ku shihet qartë se më së shumti publikohen përmbajtje informative për koalicionin VLEN.
Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) thotë se me problemet e këtij lloji të financimit të portaleve online duhet të merret prokuroria.
“ASHMAA nuk ka autoritet për pjesën e portaleve, por ka një numër të madh të portaleve që funksionojnë prej vitesh dhe që i respektojnë standardet gazetareske dhe ato nuk paraqesin asnjë problem dhe është krejtësisht normale që partitë politike t’i përdorin shërbimet e tyre për reklama politike me pagesë. Por është bërë praktikë që çdo vit që para zgjedhjeve të hapen portale dhe të njëjtat të mbyllen pas zgjedhjeve, numri më i madh i tyre janë me të njëjtët pronarë ose janë portale që hapen me versione në shumë gjuhë e që sipas versionit gjuhësor të marrin sa më shumë që të jetë e mundur para. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është i detyruar t’i paguajë, por unë mendoj se ajo se kush i hap dhe për çfarë qëllimi i hap është detyrë e autoriteteve të tjera, posaçërisht e prokurorisë që t’i hetojë ato, sepse të njëjtat portale hapen vazhdimisht në të njëjtat qytete dhe nga të njëjtit njerëz. Me këtë po dëmtohet imazhi mediatik i atyre portaleve që punojnë në mënyrë të rregullt dhe që i respektojnë standardet, e të cilëve në këtë mënyrë u merren paratë”, thotë Trajçevski.
Në mungesë të rregullimit, çdo portal mund të marrë para nga shteti
Për mungesën e mbikëqyrjes dhe kontrollit në këtë fushë, pra për financimin e portaleve online me para nga shteti, Meta.mk tashmë ka shkruar në pjesën e parë të hulumtimit. Ekspertë të shumtë deklaruan se mungesa e rregullimit për financimin shtetëror të portaleve online jep mundësinë për keqpërdorime të shumta, por edhe për njëanshmëri në raportim.
Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), thotë se nevojiten ndryshime në Kodin Zgjedhor ose një ligj krejtësisht i ri, i cili do ta rregullojë edhe çështjen e reklamimit në portalet online.
“Përfaqësimi mediatik në Kodin Zgjedhor nuk është i rregulluar, sidomos në pjesën për portalet online, sepse ligji mundëson që 25 përqind e parave për reklamat politike me pagesë nga buxheti i shtetit të përdoren për reklamim përmes portaleve elektronike dhe mediave të shkruara. Por jemi dëshmitarë se portalet janë mjeti dominant për reklamim. E dimë se si në mungesë të kritereve të caktuara për regjistrimin e mediave të reja elektronike brenda natës krijohen një numër i madh portalesh, që do të thotë se është sfidë që 25 përqind e buxhetit të përdoret pikërisht për këtë mënyrë të parregulluar të reklamimit”, thotë Dimitrovska dhe shton se është për heqjen e plotë të reklamave politike të paguara me para shtetërore.
I njëjti problem rreth portaleve të internetit dhe parave që ata marrin gjatë zgjedhjeve është zbuluar edhe në hulumtimin e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN).
“Kodi Zgjedhor lejon që mjetet buxhetore tu jepen për reklama politike me pagesë portaleve online, të cilat nuk janë të rregulluara si media me legjislacionin sistemik, pra me Ligjin për Media. Kjo do të thotë se paratë e buxhetit mund t’u ndahen “subjekteve” që nuk kanë regjistruar aktivitet mediatik në Regjistrin Qendror, sepse portalet nuk janë formë e medias që është e rregulluar me Ligjin për Media.
Nga QMN thonë se meqenëse dispozitat e Ligjit për Media (që parashikojnë respektimin e standardeve minimale të cilësisë, profesionalizmit dhe mirësjelljes) nuk zbatohen për portalet online, nëpërmjet tyre mund të rrezikohet siguria kombëtare, të nxitet rrëzimi me dhunë i rendit kushtetues, të bëhet thirrje për agresion dhe konflikt të armatosur ose të nxitet diskriminim, intolerancë dhe urrejtje, por ato sërish mund të marrin para nga buxheti i shtetit.
“Mediat (portalet) elektronike që marrin mjete nga buxheti për reklama politike me pagesë, nuk kanë punonjës me statusin e gazetarit, as nuk kanë detyrim të punësojnë apo angazhojnë redaktorë, të kenë impresum, madje nuk kanë as detyrim eksplicit për korrigjimin e të dhënave të pasakta, që do të thotë se ato mund të jenë burim i lajmeve të rrejshme, gjuhës së urrejtjes apo gjuhës revizioniste, por të marrin para nga buxheti i shtetit”, thuhet në këtë studim.
Ligji i ri për Media u hartua në dhjetor të vitit 2023 nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë dhe iu dorëzua Ministrisë së atëhershme të Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA).
Në përputhje me standardet evropiane qëllimi themelor i projektligjit ishte krijimi i një regjistri publik të mediave online me qëllim parandalimin ose reduktimin e keqpërdorimit të këtyre mediave nga partitë politike, përmirësimin e statusit socio-ekonomik të gazetarëve dhe punonjësve të medias nëpërmjet prezantimit të mekanizmave të kontrollit, rritjes së transparencës në pronësinë e medias dhe mbështetjes së pluralizmit mediatik për mbrojtjen e interesit publik.
Në muajin shkurt të këtij viti Ligji është dorëzuar në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) si përfitues kryesor i kësaj asistence teknike nga BE-ja kur ministër ishte Azir Aliu, por nuk u fut në procedurë parlamentare.
“Për ta parandaluar keqpërdorimin e mjeteve publike nga mediat fantazmë dhe për ta shmangur keqinformimin e qytetarëve për procesin zgjedhor, është e nevojshme të bëhen ndryshime urgjente në Ligjin për Media për krijimin e një regjistri të mediave online në Maqedoni. Për këto ndryshime ligjore SHGM-ja, SPGM-ja dhe KEMM-i vazhdimisht i kanë bërë me dije Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës si ministri kompetente, por me sa duket mungon vullneti politik për zgjidhje konstruktive ligjore”, njoftojnë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGM), që në muajin mars të këtij viti.
Ata theksuan se në kuadër të projektit “BE-ja për lirinë e shprehjes: harmonizimi i legjislacionit kombëtar mediatik me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane mediatike”, i mbështetur nga BE-ja, është hartuar dhe dorëzuar në MSHIA Ligji i ri për Media.
“Mungesa e vullnetit politik për miratimin e Ligjit të ri për Media (që ishte një obligim që duhej përmbushur deri në fund të vitit 2023) do të ndikojë negativisht në pozicionin e Maqedonisë në indekset botërore të lirisë së mediave. Theksojmë se miratimi i Ligjit të ri për Media në Kuvend, e pastaj edhe zbatimi i tij do të garantojë pavarësinë e mediave dhe të drejtat e gazetarëve dhe do të dëshmojë se Kuvendi është i përkushtuar ndaj proceseve pozitive të integrimit europian”, thanë të tre shoqatat e gazetarëve në muajin mars të vitit 2024.