Panairi i Librit në Shkup mbylli siparin

Në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup, nën moton “Ushqim për shpirtin” sot mbylli dyert edicioni i 37-të i Panairit të Librit. Në këtë panair morën pjesë mbi 65 shtëpi botuese nga vendi dhe më gjerë. Këtë vit Panairi ofroi më shumë se 110 promovime dhe takime me autorë, shkruan Portalb.mk.

Prej datës 8 maj deri më 14 maj vizitorët patën mundësinë të zgjedhin libra nga ofertat e autorëve vendas dhe të huaj, të marrin pjesë në promovime të veprave të reja dhe të takohen me botues.

Edona Ferati nga Shtëpia Botuese “Albas” për Portalb.mk  tha se gjatë panairit ka pasur interesim duke filluar që nga mosha më e vogël e deri te të rriturit.

“Ky panair ka qenë shumë i mirë kësaj radhe, kishim vizitorë të ndryshëm, që nga mosha e vogël deri tek të rriturit. Nxënësit ishin prezent, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave të mesme të organizuara nga vende të ndryshme. Na pëlqeu se kishte interesim filluan të interesohen për organizimin e panairit, dhe prezantimin që ne u’a bënim për titujt që i kishim”, tha Ferati.

Ferati edhe më tej shtoi se qëllimi kryesor është që të fitohet kultura rreth librit dhe rreth organizimeve të tilla sidomos për panairet e librave.

“Ne si Shtëpi Botuese gjithmonë vijmë me risi gjatë panaireve. Edhe këtë vit kemi ofruar titujt të ri të ndryshëm për fëmijë dhe për të rritur. Kemi libra zanor, jo zanor. Për të rritur kishim botimet e reja të Petro Markos dhe shumë tituj të ndryshëm për shumë zhanre të ndryshme. Qëllimi kryesor është që të fitohet kultura rreth librit dhe organizimeve të tilla”, tha Ferati.

Panairi i librit në Shkup, maj 2025, foto nga Portalb.mk

Muhamed Jashari, koordinator i botimeve të Shtëpisë Botuse “Logos A” për Portalb.mk tha se lexuesit kanë shprehur interes për të njohur titujt dhe autorët që kjo shtëpi botuese i ka sjellë.

“Në përgjithësi panairet e librit janë një ngjarje kulturore ku interesimi i njerëzve për librin rritet. Në stendën e Logos-A këtë vit kishte frekuentues të grupmoshave të ndryshme dhe për çdonjërin grup thuajse kishte tituj cilësorë. Është i kanaqshëm fakti që ruhet tradita e organizimit të panairit të librit, ndonëse shpresojmë që disponimi për librin dhe fjalën e shkruar në të ardhmen të jetë edhe më i lartë”, tha Jashari.

Pjesë e panairit nga vendi ishin Shtëpitë Botuese: “Albas”, “Logos A”, “Furkan ISM”, “Nobel”, nga Kosova pjesëmarrëse ishte Shtëpia Botuese “Dituria Islame” dhe nga Shqipëria Shtëpia Botuese” “Fan Noli”.

Kultura shqiptareKulturë lajmeLibraPanairi i Librit Shkup